fbpx

Seanca e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, ja çfarë thanë Rama dhe Zaev (VIDEO)

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është pritur me ceremoni zyrtare në Pogradec nga Kryeministri Edi Rama. Rama i ka uruar mirëseardhjen qeverisë së Maqedonisë të drejtuar nga Zoran Zaev duke e quajtur historike këtë mbledhje. Ai tha se kjo mbledhje e përbashkët do të çel një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve duke përmendur edhe disa nga projektet që i shërbejnë bashkëpunimit mes tyre. Rama theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet baza, njofton Portalb.mk. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga ana tjetër theksoi gjatë fjalës së tij se duhen ndërtuar marrëdhënie më të afërta mes dy vendeve, si një mundësi e mirë kjo jo vetëm për t’iu bashkuar familjes evropiane, por edhe për të krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Zaev vuri theksin te thellimi i bashkëpunimit në fushat më të rëndësishme, si në infrastrukturë dhe siguri, njofton Portalb.mk.

“Është një kënaqësi e posaçme për të gjithë ne në anën e qeverisë së Shqipërisë t’ju urojmë mirëseardhjen këtu në Pogradec kur përgjithësisht njerëzit e këtij vendi e lidhin gjithmonë këtë qytet të mrekullueshëm me një nga bijtë më të dashur dhe një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë dhe europianë, Lasgush Poradecin. Pjesa më e madhe e vargut të tij magjik i kujtohet këtij liqeni, kësaj pasurie të përbashkët. Kjo simbolikë e liqenit ngushton lidhjet mes dy vendeve. Besoj se ajo i përshtatet më së miri dhe qëllimit të kësaj mbledhjeje të parë të dy qeverive, që jemi shpresëplotë se çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë sonë të mirë, ndërthurur me interesa të përbashkëta, gjeografike, historike, kulturore dhe jo në plan të fundit gjeopolitike dhe gjeo strategjike. Shqipëria do të jetë gjithnjë mikja më e mirë e Maqedonisë që prej pavarësisë së saj, çka qeveritë e Shqipërisë e kanë treguar në mënyrë të palëkundur”, deklaroi Rama.

Rama: Askush ma shumë se ne nuk ka qenë i interesuar për fatin e Maqedonisë

“Kemi qenë thellë të brengosur për fatin e Maqedonisë e cila një kohë më herët ka kaluar një situatë të tensionuar, ku fati i sajë është vënë në një pikë pyetje të madhe. Por sot po shohim se Maqedonia me frymat e reja politike ka marrë shumë shpejtë rrugën euro-atlantike. Dhe gjatë këtij rrugëtimi të tensionuar që kishte Maqedoni, ne si shqiptarët kemi qenë shumë të brengosur, dhe tani na gëzon fakti se ne si Shqipëri po kontribuojmë në përshpejtimin e rrugës euro-atlantike të Maqedonisë”, tha mes tjerash kryeministri i Edi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se do të ketë qasje konkrete që synon rezultat, si dy vende fqinje me detyrimin për të ofruar më shumë zhvillim dhe më shumë mirëqenien për vendin tonë, objektiv kyç i procesit të Berlinit, “ku bashkërisht me të tjerët jemi të angazhuar”.

Zaev- Rama
Zaev- Rama

Rama bëri me dije se nesër do te vizitohet bashkia e Pustecit, ku tha se është shembull për respektin e të tjerëve dhe garantimi i barazisë së fqinjëve si qytetarë të Republikës.

Rama: Do mundësojmë lëvizjen e lirë të mallrave me Maqedoninë

Kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te bashkëpunimi i mëtejshëm mes dy vendeve, duke deklaruar se do të mundësohet lëvizja e lirë e mallrave. I pari i qeverisë shqiptare theksoi se do të reduktohen masat në pikat doganore me Maqedoninë, ndërsa shtoi se një vëmendje të veçantë do të kenë dhe rrugët që lidhin dy vendeve.

Rama u ndal në ndërtimin e korridorit 8, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, çka do të rriste shkëmbimet tregtare, sipas tij. Ndër të tjera, ai tha se dy qeveritë do të bashkëpunojnë për “Rrugën e Arbrit”, e cila sipas tij, do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve.

“Do ndërmarrim përsipër harmonizimin me Maqedoninë për Rrugën e Arbrit. Segmenti Bulqizë-Bllatë ka përfunduar. Kjo rrugë do sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve. Do mundësojë eksesin e Maqedonisë në portet tona. Jemi besimplotë se kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij aksi është i plotë dhe nga ana juaj dhe në këndvështrimin e mesazhit për forcimin e themeleve të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve është themelor. Por kjo nuk mund të konceptohet pa modernizimin e rrugëve. Do punojmë që së bashku të mundësojmë lëvizjen e lirë të mallrave, duke krijuar mekanizmat e duhur për reduktimin e masave. Synojmë përkrahje për nxitjen e eksportit.

Zaev- Rama2 Qeveria e Maqedonisë - Qeveria e Shqipërisë

Këto masa janë pjesë e qasjes sonë në zhvillimin ekonomik për krijimin e zonës rajonale-ekonomike. Objekti i kësaj mbledhjeje është forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar. Ne ndajmë pasuri ujore të jashtëzakonshme. Ne kemi privilegjin e madh të gjendemi në brigjet e Prespës e Ohrit ndaj dhe është koha të vlerësojmë qasjen e përbashkët dhe t’i vlerësojmë këto pasuri. Rivlerësimi i kuadrit ligjor është aspekt tjetër. Duhet të nisë një analizë dhe të merren masa për këtë kuadër. Ne nuk lejojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbeten ende të pazbatuara. Është koha t’i riaktivizojmë ato. Komiteti Ekonomik do të mblidhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Rama:  “Gjuha shqipe të shtrihet në gjithë Maqedoninë”

Kryeministri Edi Rama theksoi se mbetet me rëndësi implementimi i dygjuhësisë nga Maqedonia, përmes shtrirjes së gjuhës shqipe në të gjithë vendin. “Shpresoj që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt. Alfabeti i manastiritt duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike. Simbolika flet shumë për të gjithë sëbashku. Ne kemi punuar dhe do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit maqedonas në Shqipëri. Miratimi i ligjit të ri, qeveria ka përmbushur një hap madhor në drejtim të respektimit të pakicave në të gjithë territorin.”, tha Rama.

Kreu i qeverisë i premtoi Zaevit mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. 

“Shqipëria do vijojë të mbështetëse me të gjitha focat anëtarësimin e Maqeodnisë në NATO-s si një investim i fuyqishëm për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Një NATO pa Maqedoninë është e cunguar”, tha Rama. Rama falenderoi Zaev edhe për solidarizmin dhe ndihmën e ofruar pas përmbytjeve të fundit në disa zonave të vendit.

Zaev: Kjo seancë qeveritare, është më shumë se një mesazh për rajonin

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në hapjen e seancës së përbashkët qeveritare, ka pohuar se këto dy qeveri po hapin një faqe të re të bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe po hapin horizonte të tjera të ndërtimit të një të ardhme të përbashkët.

“Kjo seancë qeveritare hapë një kapitull të ri në mes marrëdhënieve dypalëshe, përveç kësaj ne po japim kontributin edhe për zhvillimin e rajonit në tërësi. Ne si qeveri po bëjmë përpjekje maksimale që ndasitë ne mes etniteteve tona në vend të tejkalohen përmes rrugës së dialogut. Kjo seancë qeveritare, është më shumë se një mesazh për rajonin, është një mesazh se udhëheqësit e këtyre vendeve po i udhëheqin popullin e tyre pa paragjykime”, tha mes tjerash kryeministri Zaev.

Zaev: Bashkë për sigurinë e rajonit dhe integrimin në BE

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, theksoi gjatë fjalës së tij se duhen ndërtuar marrëdhënie më të afërta mes dy vendeve, si një mundësi e mirë kjo jo vetëm për t’iu bashkuar familjes evropiane, por edhe për të krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Zaev vuri theksin te thellimi i bashkëpunimit në fushat më të rëndësishme, si në infrastrukturë dhe siguri.

“Marrëdhëniet fqinjësore kanë domethënien e paqes e stabilitetit në rajon, por edhe ndihmojnë për anëtarësimin në BE. Qëllimet e dëshiruara mund t’i arrijmë vetëm me fqinjësi të përbashkët. Duhet të ndërtojmë marrëdhënie më të afërta. BE dhe NATO nuk janë vetëm interesa politike. Jemi të përkushtuar për një shoqëri qytetare me mundësi të barabarta për të gjithë. Jemi të përqendruar të bëjmë maksimumin. Të kalojmë pengesat dhe identifikojmë mundësitë e përbashkëta që do të mundësojnë ndërveprimin mes dy vendeve. Të përshpejtojmë projektet në infrastrukturë dhe siguri. Do t’i përkushtohemi të gjitha mundësive që do paraqesin lehtësi mes qytetarëve”, deklaroi Zaev.

Zaev fton Ramën: Në 2018 takohemi në Ohër

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev foli për intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve në nisje të mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy vendeve që mbahet sot në Pogradec. Ai tha se dyja vendet duhet të kontribuojnë për zhvillimin rajonal dhe projektet strategjike. Zaev ftoi qeverinë shqiptare që mbledhjen e ardhshme ta zhvillojnë në Ohër.

“Ne duhet të japim kontributin në drejtim të zhvillimit rajonal, të projekteve strategjike. Mbi të kaluarën deri tek e tanishmja duke punuar në zgjidhje paqësore dhe jo në shtyrje, ne ndërtojmë të ardhmen për Maqedoninë dhe rajonin. Kjo mbledhje e parë është më tepër se një mesazh për rajonin. Është mesazh se dy udhëheqjet e dy vendeve kanë nderin t’i udhëheqin pa paragjykime. Kemi intensifikuar veprimet në kuadër të procesit të Berlinit”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë tha se ky takim i sotshëm hap perspektiva të reja për dy vendet.

“Për avancimin e infrastrukturës, për lëvizjen e lirë etj. në këtë seancë të përbashkët dëshiroj të ritheksoj se si qeveri e re por edhe si shtet kemi vendosur të avancojmë marrëdhëniet fqinjësore. Këto marrëdhënie do të thonë paqe e stabilitet për rajonin. Ne si popuj miqësorë dhe përmes vetëm një zhvillimi të përbashkët mund t’i arrijmë qëllimet. Minoritarët në Shqipëri urë e vërtetë e bashkëpunimit më të madh. Ne jemi përkushtuar për një proces reformash, çelësi jo vetëm për NATO por edhe për një sistem që mbron qytetarët. Presim me të drejtë që në 2018 të fillojmë negociata për integrimin në BE. Ju e njihni momentin dhe shansin për zhvillimin rajonal. Vendet anëtare të BE-së shprehin mesazh politik për aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe janë të hapura mundësitë për anëtarësim të Shqipërisë. Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë vizion të njëjtë për në BE dhe NATO”, tha Zaev.

Ai shprehu mirënjohje për Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat e Maqedonisë.

“Maqedonia dhe të gjitha vendet e rajonit përballen me detyrimin për plotësimin e kritereve. Ne jemi përkushtuar ndërtimit të një shoqërie qytetare me mundësi të barabarta për të gjithë. Muaj e ardhshëm me rëndësi për Maqedoninë si për integrimin në BE ashtu edhe për anëtarësimin në NATO. Ndaj ne jemi të përkushtuar për të bërë maksimumin. E rëndësishme është edhe vendosja e Komitetit të Përbashkët për bashkëpunim ekonomik, duhet të vendosen edhe mekanizma për realizimin e marrëveshjeve dy palëshe. Ju ftoj që të dyfishojmë përpjekjet që të përshpejtojmë projektet aktuale, me infrastrukturën dhe energjetikën. Dëshiroj t’i përkushtohemi të gjitha mundësive për lehtësinë e qytetarëve në të dyja anët”, u shpreh Zaev.

Ai ftoi qeverinë shqiptare për një takim të dytë në Maqedoni për avancimin e projekteve mes dy vendeve. “Ftoj qeverinë që vitin e ardhshëm në 2018 të mbajmë një seancë në Ohër ose në Strugë. Të vazhdojmë të punojmë së bashku duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për avancim të marrëdhënieve tona. Të gjitha sfidat t’i përkthejmë në progres për rajonin. Si Maqedonia dhe Shqipëria dhe rajoni kanë partnerë shumë seriozë që do i mbështesin”, theksoi Zaev.

Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishme, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.

Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në menaxhimin e emergjencave.

14:40 – Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është pritur me ceremoni zyrtare në Pogradec nga Kryeministri Edi Rama në orën 14:40. Zaev dhe kabineti i tij qeveritar do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët me qeverinë shqiptare.

Por, kryeministri Edi Rama, nuk ka qënë i qetë gjatë cereminisë pasi ai është pritur me protesta nga një grup të rinjsh demokratë.

ВЛАДИ МАКЕДОНИЈА АЛБАНИЈА

08.00 – Qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë sot në qytetin shqiptar Pogradec do të mbajnë takim të përbashkët ndërqeveritar në të cilën do të diskutohen disa tema për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

Pritet të bisedohet për çështje nga sfera e ndërlidhjes infrastrukturore, ndërtimit të Korridorit tetë, për lehtësim dhe intensifikim të këmbimit të mallrave dhe shërbimeve dhe për përforcimin e bashkëpunimit në sferën e sigurisë.

Në seancë është planifikuar të nënshkruhen disa dokumente për bashkëpunim, përfshirë edhe planin për konsultime mes Ministrive të Punëve të Jashtme, memorandum mes Ministrive të Punëve të Brendshme për bashkëpunim në sferën e kontrollit të brendshëm, si dhe për formim të komitetit të përzier për bashkëpunim ekonomik. Nga sfera e arsimit dhe shkencës, do të nënshkruhet memorandum për bashkëpunim intensiv bilateral përmes Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve nga Republika e Maqedonisë. Në mënyrë shtesë do të nënshkruhet edhe memorandum për bashkëpunim në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe marrëveshje për bashkëpunim në parandalimin e krizave.

Pas mbajtjes së seancës së përbashkët është paralajmëruar konferencë e përbashkët për media e kryeministrave të Maqedonisë dhe Shqipërisë Zoran Zaev dhe Edi Rama.

Kjo është seanca e parë e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Nesër, kryeministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë do ta vizitojnë Pustecin ku do të takohen me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe do ta vizitojnë shkollën ku do të dhurojnë pajisje për nxënësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button