fbpx

Keqpërdorime me sallën e sportit në Haraçinë, ja pse nxënësit nuk mund ta shfrytëzojnë (FOTO)

Salla e sportit e shkollës fillore “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Haraçinë ka pothuajse një vit që u finalizua si projekt i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por ka po aq kohë që ende nuk shfrytëzohet nga shkolla të cilës edhe i dedikohet. Nxënësit e kësaj shkolle orën mësimore të edukatës fizike e mbajnë në sallë në gjendje shumë të keqe, shkruan Portalb.mk.
Askush nuk tregon se ku janë çelësat e sallës së re. Shkolla nuk i ka, Komuna thotë që “punon në këtë proces” kurse Ministria e Arsimit dhe Shkencës pret që ata të kthehen nëpërmjet udhëheqësisë së shkollës.

Salla e vjetër e sportit ku zhvillohet ora mësimore e edukatës fizike, 07.11.2017
Salla e vjetër e sportit ku zhvillohet ora mësimore e edukatës fizike, 07.11.2017

Portalb.mk, duke mbledhur informata nga terreni, jozyrtarisht kuptoi se problemi i mospërdorimit të sallës së sportit ka të bëjë me konflikt interesi. Thuhet se çelësat e kësaj salle i ka vëllai ish kryetarit të Komunës së Haraçinës i cili përpiqet të përfitojë materialisht nga ky objekt.

“Çelësat e sallës i ka vëllai i ish kryetarit të Komunës. Ai tenton ta përdorë për përfitime personale. Ta jep me qera për aktivitete sportive të merr para. Ai nuk pranon t’ia jep komunës çelësat prandaj edhe shkolla s’mund ta përdor”, tha një banor i Haraçinës i cili deshi të mbetet anonim.
Të njëjtën na e thanë edhe disa të tjerë.

Gjatë vizitës së kësaj shkolle pamë se si nxënësit ushtronin në hapësira të ftohtë ndërkohë që andej murit të asaj salle qëndronte salla e sportit me standarde evropiane. Pyetjes së thjeshtë, se “pse nxënësit ushtrojnë këtu derisa ka sallë të re?”, përgjegjësi i shkollës refuzoi të përgjigjet duke na udhëzuar te Komuna e Haraçinës. Nuk u lejua as të vizitohet nga brenda salla e re e sportit.

Komuna e Haraçinës, 07.11.2017
Komuna e Haraçinës, 07.11.2017

“Për punën e sallës së sportit se pse nuk përdoret është mirë të konsultohet komuna pasi që ajo i ka kompetencat për këtë çështje”, thanë nga shkolla.

Portalb.mk vizitoi Komunën e Haraçinë ku në pyetjen se “pse nxënësit nuk ushtrojnë në sallën e re të sportit” na u dha përgjigja se problemiështë në proces”, se për çfarë procesi bëhet fjalë nuk e kuptuam.

Meqë salla e sportit është investim i Ministrisë së Arsimit, ishte alternativa e vetme për të kuptuar problemin me sallën e sporti. Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Vlladimir Delev sqaroi se Ministria i ka financuar sallat e sportit por ingerencat për të i ka Komuna e Haraçinës.

Salla e re e sportit, 07.11.2017
Salla e re e sportit, 07.11.2017

“Ministria e Arsimit i ka financuar këto lloj salla përfshirë edhe sallën Gjergj Kastriot Skënderbeu në Haraçinë. Investimi është bërë nga MASH, mirëpo me decentralizimin ajo kalon në kompetencë të komunës. Salla është ndërtuar dhe promovuar se pse nuk përdoret nga shkolla ne nuk kemi informata. Ne si MASH do të angazhojmë inspektoratin që të bëjë kontroll të kësaj hapësire dhe të shohim se pse nuk përdoret nga shkolla kjo sallë”, tha për Portalb.mk Delev.

Me tu njoftuar me problemin, Ministria angazhoi inspektoratin e arsimit për të bërë kontroll në sallën e sportit, nga ky kontroll doli se çelësat e sallës nuk i ka as Komuna e as Shkolla.

“Ne si Ministri kontaktuam Komunën dhe nga atje na thanë se po punohet në çështjen e kthimit të çelësave të sallës së sportit që e njëjta të mund të përdoret nga shkolla. Dmth problemi i mospërdorimit të sallës së re të sportit është se nuk i kanë çelësat e saj”, tha Delev.

Përndryshe, salla e re sportit në Haraçinë që me nisjen e punimeve ka pasur probleme me financa. Si projekt i Qeverisë BDI-VMRO nisi të realizohet më vitin 2011 dhe u tha se do të përfundojë më vitin 2013, por u finalizua në fund të vitit 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button