Kryetarja e re e Haraçinës, Halimi: së shpejti do të ndërtojmë shkollë të mesme

Fëmijët e komunës së Haraçinës vazhdojnë të ankohen dhe të kërkojnë shkollë të mesme më afër shtëpive të tyre, pasi që nga mungesa e saj, ata çdo ditë udhëtojnë me nga dy autobusa për të ndjekur mësimin në Shkup.

Banorët thonë për Portalb.mk se institucionet përkatëse si Komuna dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të duhej ta kishin parasysh që kur të bëhet shkollimi i obligueshëm, për të njëjtin duhet të krijohen kushte.

“Fëmijët e mi çdo ditë udhëtojnë me dy autobusë për të shkuar në shkollë në Shkup. Ata duhet të zgjohen një orë më herët që të jenë në mësim me orar. Shkolla e mesme tani më një kohë të gjatë është e obligueshme, por kushte nuk kemi”, tha R.T., banor.

Haraçina
Haraçina

“Kemi shumë fëmijë, po ashtu këtu afër është edhe lagjja e Hasanbegut e cila bie nën Komunën e Gazi Babës, por janë gjithë shqiptarë dhe më afër do ta kishin shkollën e mesme në Haraçinë sesa në Shkup”, tha T.T.,banor.

Kohë më parë kishte disa iniciativa për ndërtimin e objektit për një shkollë të mesme, mirëpo Komuna dhe banorët nuk ia dolën të merren vesh për vendin se ku do të ndërtohet shkolla.

Kryetarja e re e kësaj komune, e cila në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni qysh në rrethin e parë iu besua udhëheqja e kësaj komune, Milikije Halimi, thotë për Portalb.mk se ndërtimi i shkollës së mesme është prioritet për të.

“Ne e kemi paraparë në program edhe ndërtimin e një shkolle të mesme për nxënësit e kësaj komune. Planet janë që së shpejti të realizohet ky projekt, por duhet të shqyrtohet edhe buxhetin se si do e kemi, por është prioritet hapje e shkollës”, tha për Portalb.mk, Halimi.

Ndryshe në këtë komunë jetojnë rreth 16 mije banorë dhe rreth 1300 fëmijë ndjekin mësimin në shkollat e mesme të Shkupit, ngase edhe pas një dekade nga ligji që bëri shkollimin e mesëm të obligueshëm, në këtë komunë nuk është ndërtuar shkollë e mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button