Maqedoni, universitetet përgatisin ndryshimet e ligjit për arsim të lartë

Universitetet filluan që të përpilojnë draft programe në bazë të kërkesave dhe shqyrtimeve të profesorëve, të cilat më pas do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për analizë dhe më pas të vendoset se çfarë të ndryshohet, njofton Portalb.mk.
Gjatë viteve të fundit ligji për arsimin e lartë tërë kohën ndryshonte dhe nuk dihej qartë se cilat ndryshime vlenin dhe cilat anuloheshin. Profesorët disa herë u ankuan për këtë çështje, por tani siç duket po i vjen fundi këtij procesi kaotik.

Profesori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Fati Iseni, tha për Portalb.mk se ky universitet është duke punuar në përpilimin e draft programit po gjithashtu do të ketë debat publik ku të gjithë profesorët do të mund të japin sugjerime dhe vërejtje lidhur me ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë.

“Draft programi për ndryshimin e ligjit për arsim të lart është në fazën përgatitore dhe çdo vërejtje është e mirëseardhur në bazë të asaj që edhe vetë ministrja e arsimit tha që çdo profesor ka mundësi që të jep propozime dhe vërejtje. Për këtë do të ketë edhe debat publik dhe unë do të intervenoja te çështja e hulumtimit, punimeve shkencore dhe grumbullimit të pikave së çështjes së avancimit, meqë këtu vlerësoj që është diskriminues në raport me kushtet që ofron MASH për një punëtor shkencor apo për një profesor universitar në raport me kërkesën që paraqet për avancim. Për shembull kërkohen publikime në zhurnale me impakt faktor, me ndikim ndërkombëtar, kurse çdo publikim dhe hulumtim kushton me qindra euro”, tha Iseni.

Ai shtoi se problematikë tani për tani është motivimi dhe përkrahja financiare e profesorëve që marrin pjesë në hulumtime, publikime dhe konferenca shkencore.

“Gjithashtu me rregull parashikohet pika të njëjta për profesorët që marrin pjesë në konferenca shkencore si në vendet perëndimore dhe në ato të rajonit, të cilat dallojnë sa i përket kostos financiare. Nëse ne i vlerësojmë pak më tepër profesorët duhet tu japim një infuzion pak më të mirë, në kuptimin financiar, ose çdo universitet duhet të ndaj fonde të veçanta për të stimuluar profesorët për hulumtime dhe publikime në revista shkencore si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore. Ose vetë MASH që ka një fond të caktuar por kompensimi është minimal, atëherë ku është motivimi i profesorët që të bëjë këto hulumtime dhe pjesëmarrje, sidomos problem është me ata që nuk janë në gjendje të mirë financiare dhe nuk mund t’i mbulojnë këto shpenzime nga xhepi i tyre, gjë që shumica e profesorëve e bëjnë. Ne si profesor këto rroga kemi, kemi familje kemi obligime dhe nuk dalin për të avancuar me tituj. Ka edhe çështje tjera që duhet diskutuar sa i përket autonomisë etj, por do të bëhen të gjitha me kohë”, tha për Portalb.,k, Iseni.

Profesori i UEJL-së, Nasir Selimi, thotë për Portalb.mk se edhe ky universitet është në përgatitje e sipër të draftit në të cilin do të pasqyrohen ndryshmet e kërkuara.

“Janë konsultuar profesorët dhe kemi dhënë sugjerimet tona. Drafti ende është duke u punuar besoj që kur të jetë gati do të dorëzohet në MASH për të parë se cilat nga ato sugjerime do të miratohen”, tha Selimi.

Dekani Fatmir Sulejmani nga USHT po ashtu njofton se profesorët e këtij universiteti kanë bërë vërejtjet e tyre të cilat do të pasqyrohen në draft programin që është duke e përgatitur universiteti.

“Ne si profesorë dhe kuadër i këtij universiteti kemi bë disa sugjerime dhe disa vërejtje sa i përket ligjit për arsim të lartë. Gjithashtu kemi dhënë sugjerimet tona dhe tani do të shohim se çfarë ndryshimesh do të bëhen”, tha për Portalb.mk, Sulejmani.

Profesoresha Gordana Popsimonova nga Fakulteti për shkenca bujqësore dhe ushqim në Universitetin Kirili dhe Metodij në Shkup, e cila po ashtu është profesoreshë e Plenumit të Profesorëve sqaron se ligji i ri duhet të sjell ndryshime themelore.

“Ka pasur 30 ndryshime dhe plotësime në Ligjin e më parshim për arsimin e lartë. Më askush se dinte se cili është në fuqi dhe çfarë është tërhequr. Kur bëhen ndryshime duhet kohë dhe transparencë dhe të përpunohet në atë mënyrë që të ju konvenon të gjithë pjesëve të interesuara, sidomos studentëve dhe profesorëve”, tha për REL profesoresha Popsimonova.

Ndërkaq sipas disa informacioneve deri në MASH duhet të dorëzohen draft tekstet për ligjin, të cilat do të jenë publike për të gjithë.

Ndryshe, ndryshimet në Ligjin për arsim të Lartë, para tre muajve i paralajmëroi ministrja e arsimit dhe shkencës, Renata Deskoska e cila realizoi takime me përfaqësues të universiteteve shtetërore dhe private, sindikata dhe përfaqësues të Plenumit të profesorëve dhe studentëve. Qëllimi është që të krijohet një ligj i ri në të cilin do të përfshihen edhe statusi edhe organizimi i Universitetit, detyrave të Senatit, mënyrës së menaxhimit të fakulteteve dhe organizimit studentor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button