fbpx

Xhaferi-Pacolli: Do të formohet grup i deputetëve për bashkëpunim ndërparlamentar

Kryetari i Kuvendit i Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Bexhet Pacolli, tha se bashkëpunimi i Maqedonisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më shumë kurse Pacolli shtoi se në kuadër të bashkëpunimit, në Kuvendin e Kosovës do të formohet grup i deputetëve për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Pacolli shprehu bindje se edhe në Kuvendin e Kosovës së shpejti do të formohet Grupi i deputetëve për miqësi për bashkëpunim me grupin përkatës i cili veç më është formuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, njoftojnë nga Kuvendi i Maqedonisë.​

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli theksoi nevojën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ekspertizë të cilën do e kishin fituar prej kolegëve të tyre në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe shprehu dëshirë që bashkëpunimi ndërparlamentar të zhvillohet në bazë të rregullt.

Ndërkaq, Xhaferi, në emër të Kuvendit, shprehu gatishmëri të tërësishme për ndarjen e përvojave në proceset eurointegrative me kolegët e Kuvendit të Kosovës, duke e marrë parasysh se Maqedonia ka përvojë më të madhe në këtë sferë.

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës, me shembullin e tyre për bashkëpunim kontribuojnë në drejtim të ngritjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se vizitat e këtilla janë vërtetim pikërisht i atyre angazhimeve”, tha Xhaferi, njoftojnë nga Kuvendi i Maqedonisë.

U fol edhe për kornizën juridike të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve dhe theksoi se e njëjta duhet së shpejti të zgjerohet me nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve bilaterale për lehtësimin e marrëdhënieve të përgjithshme.

Takimi Xhaferi-Pacolli vjen si vazhdë e vizitës së sotme të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Bexhet Pacolli. Kjo vizitë e Pacollit është e para në Maqedoni që pas formimit të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë.

LEXO MË SHUMË: 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button