Zaev-Pacolli: Do të ketë lehtësi në qarkullimin Maqedoni-Kosovë

Pas takimit me homologun e tij, ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli realizoi takim edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ku duke shprehur gatishmërinë për zhvillim të raporteve të mira ndërfqinjësore premtuan qarkullim më të lirë të mallrave dhe njerëzve ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, njofton Portalb.mk.

“Qeveria e Maqedonisë është e përcaktuar që Maqedonia të ndërtojë raporte të mira me Kosovën si dhe me të gjithë fqinjët tjerë dhe kështu aktivisht të kontribuojnë në ardhmërinë e tërë Ballkanit Perëndimor, në BE dhe NATO. Kemi potencial, si dy qeveri të reja të cilat mendojnë mirë për qytetarët e tyre dhe shteteve të tyre, që të hapërojmë në procesin eurointegrues. Bashkëpunimi Kosovë-Maqedoni intensifikon zhvillim ekonomik, energjetik, infrastrukturor, lehtësimit doganor dhe lëvizje më e lehtë e njerëzve dhe mallrave”, tha Zaev, shkruan në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë.

Ndërkaq ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli vlerësoi se Kosova do të përkrah fuqishëm Maqedoninë në procesin eurointegrues të saj.

“Ministri Pacolli tha se Republika e Kosovës do të mbështesë integrimin e Maqedonisë në NATO, integrim ky që do të kontribuojë në thellimin e sigurisë dhe do të ndikojë në perspektivat për tërë rajonin, kurse shprehu edhe gatishmëri për shkëmbim të përvojave të Maqedonisë në BE-integrimet”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë.

Nga qendra informative e Qeverisë së Maqedonisë njoftojnë se Pacolli dhe Zaev kanë vlerësuar se “meqë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë nuk ka çështje bilaterale të pazgjidhura, krijon mundësi që raportet ndërmjet këtyre dy shteteve të zhvillohen edhe më shumë.

Siç njoftojnë nga Qeveria, Zaev vlerësoi se ky lehtësim qarkullues Kosovë-Maqedoni bëhet me qëllim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve.

Takimi Zaev-Pacolli vjen si vazhdë e vizitës së sotme të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Bexhet Pacolli. Kjo vizitë e Pacollit është e para në Maqedoni që pas formimit të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë.

LEXO MË SHUMË: 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button