Dështimet e para të qeverisë së re

Në opinion krijohet përshtypja se një regjim është këmbyer më një tjetër

Shtatë muaj më parë, kur VMRO nuk arriti të formojë qeveri dhe ishte e qartë se këtë do t’a bëjë LSDM-ja, pata shkruar një kolumnë (Detyrat-e-menjehershme-te-qeverise-se-re) ku rendita një sërë pritjesh që kishin shqiptarët nga qeveria e re. Në opinion dominante ishte bindja se po përfundonte epoka e politikave të mbrapshta të regjimit të VMRO-së dhe shpresa se vinte koha e korigjimit të padrejtësive të atij regjimi. Megjithëse me rezervë, duke patur parasysh se disa punë marrin më tepër kohë, megjithatë rradhita disa çështje të hapura që kursesi nuk po merrnin përfundim. Tani që kanë kaluar 100 ditët e para të qeverisjes së re është koha t’iu rikthehemi atyre pikave për të parë se çfarë është bërë e çfarë nuk është bërë në ndërkohë. Listës po ja shtoj edhe disa pika të hapura në ndërkohë, si ligji i gjuhës dhe raportet me jashtë.

Sopoti. Bombat hoqën çdo dyshim për procesin e Sopotit, pra dëshmuan se ai është rast i montuar. Edhe përkundër kësaj, të akuzuarit ende nuk kanë fituar formalisht gjyqin, megjithëse mbrohen në liri. Qeveria e re nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm në këtë drejtim. Këtu nuk mban arsyetimi se gjykatat janë të pavarura, sepse ka një sërë hapash që ka mundur të ndërmarë pushteti, si ofrimi vullnetar i dëshmive shtesë që thotë se i ka, ngritja urgjente e një komisioni parlamentar që do merret me çështjen e të tjera. Dyshoj se këtu problemi qëndron te inkriminimi i figurave të LSDM-së nga periudha 2002-2006, që qeveria e tanishme me çdo kusht mundohet t’i fshehë e mbrojë.

Monstra. Në rastin Monstra prisja se partitë në pushtet, të çliruara nga presioni i regjimit të Gruevskit, më në fund do të shpalosnin publikisht dëshmitë që thonë se kanë për të. Rasti është tejet urgjent, sepse në ndërkohë procesi gjyqësor po vazhdon dhe mund të përfundojë para se Zaevi të thotë “a”. Njerëz të pafajshëm mund të përfundojnë me burgim të përjetshëm vetëm pse dikush po bën kalkulime politike. LSDM premtoi se do të zbardhë të vërtetën sapo të vijë në pushtet, por vazhdon të mos bëjë zë. Ne të paktën duhet t’a dijmë se ç‘janë ato informata që ka Zaevi dhe a janë të akuzuarit vërtetë me faj ose jo. Nëse rasti është i montuar atëherë pse pushteti hesht; nëse nuk është atëherë pse Zaev ka manipuluar me të? Sido që të jetë njerëzit kanë të drejtën të dijnë të vërtetën; heshtja është qëndrimi më i keq që mund të mbajë pushteti.

E njëjta gjë mund të thuhet për rastin e gazetarit të vrarë Nikola Mladenov, por ai nuk është rast me urgjencë pasi s’kemi të bëjmë me të akuzuar që i pret ndonjë dënim. Aty bëhet fjalë vetëm për zbulimin e fajtorëve të vërtetë të montimit.

Lagja e trimave. Pushteti nuk shpalosi asgjë të re as për rastin e lagjes së trimave, ashtu siç premtoi. Madje në ndërkohë po vazhdojnë të vdesin dëshmitarë potencialë dhe duket se rasti po komplikohet edhe më tej. Edhe ky rast është minus tjetër i madh për pushtetin, që me pasivitetin e vet ngjall dyshime se vetë pushteti i ka ndyrë gishtat, sidomos BDI.

Gjorçe Petrovi. Rast më i pastër dhe njëkohësisht më i harruar. Sa për rikujtim bëhet fjalë për ngjarjet kur një turmë e xhindosur nga vrasja e një të riu u hakmorr duke djegur lokalet e shqiptarëve të pafajshëm në lagjen Gjorçe. Forcat e rendit nuk bënë punën e tyre, gjegjësisht nuk mbrojtën pronën nga protestuesit. Edhe një shtet fashist si Serbia kompenzoi shqiptarët e pafajshëm për një rast të ngjashëm, por kjo nuk ndodhi në Maqedoninë grueviste, as në Maqedoninë e re “të lirë e demokratike”. Më e keqja është se rasti është harruar, sikur fare mos kishte ndodhur.

Ligji i gjuhës. Është e vërtetë se ligji i ri i gjuhës i cili gjendet në procedurë parlamentare bën një hap të madh përpara në avansimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo është për t’u përshëndetur. Por nga ana tjetër pushteti krijon opinion se me këtë përmbyllet përfundimisht çështja e gjuhës shqipe, që është tendencë tejet negative. Ligji i ri është i mirë, por ai assesi nuk guxon të jetë fjala e fundit e zyrtarizimit të shqipes, siç pretendon qeveria.

Marrëdhëniet me jashtë. Që të jemi korrekt duhet thënë se Maqedonia nën regjimin e ri ka shënuar disa suksese, më së shumti tek marrëdhëniet me jashtë. Janë shënuar hapa pozitivë në raport me fuqitë e mëdha perëndimore, është nënshkruar marrëveshje fqinjësore me Bullgarinë dhe janë relaksuar sadokudo raportet me Greqinë. Mirëpo edhe në këtë fushë mbeten dy njolla të zeza. Së pari është e pafalshme lëkundja e Zaevit në raport me votimin pro Kosovës në UNESCO; lëkundje të këtilla nuk ka patur as Gruevski megjithëse është albanofob i njohur. Së dyti provokimi i Serbisë me tërheqjen e stafit diplomatik sipas meje kaloi me kapitulim të Maqedonisë. Megjithëse Serbia ishte zënë me presh në duar, kontesti disi u përmbyll me relativizim të çështjes dhe fajësi të barabartë të të dy palëve. Të jeni të sigurtë se nuk do të kishte ndodhur kështu në rast kontesti të njëjtë me Shqipërinë ose Kosovën.

Është e vërtetë se qeveria e re mezi ka përmbyllur 100 ditët e para dhe ndoshta është e tepruar të gjykohet ashpër që në fillim. Mirëpo gjykuar nga këto 100 ditë fitohet përshtypja se në realitet nuk ka ndryshuar asgjë, veçse një grusht njerëzish janë këmbyer me një grup tjetër. Nëse vazhdohet kështu atëherë s’kemi bërë gjë përveç që kemi zëvendësuar njërin regjim me një tjetër dhe shpresa për Maqedoni vërtetë të lirë dhe demokratike do të vazhdojë të ngelet ëndërr.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button