Detyrat e menjëhershme të qeverisë së re

Kriza e fundit dëshmoi se shteti nuk ndërtohët me gënjeshtra. Që të kthehet drejtësia rastet e inskenuara duhet të zbardhen sa më parë, të pafajshmit të lirohen dhe të dëmshpërblehen, ndërsa inskenuesit të burgosen

Qeveri e re, shpresa të reja. Pas dy muaj e gjysmë kalkulimesh në fillim të marsit si duket përfundimisht do të kemi qeveri të re. Sipas të gjitha gjasave atë do t’a formojnë LSDM-ja dhe BDI-ja me mbështetje të Aleancës dhe Besës, megjithëse nuk dihet nëse ato formalisht do t’i bashkangjiten koalicionit. Kështu pas dhjetë vitesh i vjen fundi qeverisjes së VMRO-së dhe regjimit që instaloi ajo. Në horizont po fryjnë erëra të reja; tek qytetarët është rikthyer shpresa se po mbaron epoka e politikave të mbrapshta dhe se po vjen koha për korigjimin e padrejtësive të bëra nga pushteti i mëparshëm.

Pjesa më e madhe e obligimeve të qeverisë së re natyrisht duan kohë për t’u zbatuar. Kështu është puna me implementimin e plotë e ligjit të ri të gjuhës; kështu është edhe me detyrën parësore – reformën e sistemit gjyqësor, burgosjen e qeveritarëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurisë së fituar ilegalisht.

Megjithatë ka disa çështje tjera konkrete që mund dhe duhet të zgjidhen shpejtë, që kryesisht kanë të bëjnë me raste të montuara. Janë këto çështje që tanimë janë të qarta për opinionin, ose çështje për të cilat Zaev ka thënë se ka informata shtesë dhe që ka premtuar se do t’i zbardhë kur të vijë në pushtet. Nëse qeveria e re vërtetë do të jetë e ndryshme nga e vjetra, nëse vërtetë ka ardhur koha për zbardhje të së vërtetës, atëherë këto çështje duhen zgjidhur brenda 100 ditëve të para. Vetëm kështu populli do të bindet se shteti tani e tutje do të funksionojë në baza të shëndosha, ku para së gjithash do të sundojë drejtësia.

Sopoti. Bombat hoqën çdo dyshim për të akuzuarit e rastit të Sopotit. Rasti është i kurdisur, të akuzuarit janë rrahur e maltretuar për të pranuar fajin e paqenë dhe ashtu të pafajshëm kanë vuajtur 10 vite burg. Edhe pas publikimit të bombave Svarovski gjykatat ende nuk i kanë liruar përfundimisht.

Ky rast duhet të mbyllet shpejtë në favor të të akuzuarve. Për golgotën e kaluar ata duhet të dëmshperblehen me shuma të majme, megjithëse nuk ka shumë që mund të mbulojë 10 vite jetë të humbura kot. Por rasti nuk përfundon me kaq. Është e domosdoshme që të gjinden dhe dënohen të gjithë të involvuarit në kurdisjen e rastit. Kjo përfshin kreatorët e rastit, urdhërdhënësit dhe policët që kanë maltretuar të akuzuarit, prokurorët që montuan rastin, gjykatësit që i dënuan pa bazë dhe ata që nuk i liruan edhe kur u pa se ata janë të pafajshëm. Vetëm kështu do të kemi shoqëri të drejtë dhe do të sigurohemi se nuk do të ketë më raste të montuara.

Lagja e trimave. Para zgjedhjeve Zaev tha se ka informata që në konfliktin te “Lagja e Trimave” janë përzier sktruktura të larta të shtetit. Këto informata tani duhet të zbulohen, sepse populli ka nevojë të dijë se kush, si dhe pse ka inskenuar këtë incident të armatosur në një pikë kritike në betejën kundër regjimit. Prokurori i ri medoemos duhet të rishikojë gjithë procesin e deritanishëm gjyqësor dhe të padisë organizatorët e këtij skenari, nëse është e vërtetë se është inskenuar nga vetë shteti. Në këtë pikë nuk duhet të ketë asnjë lëshim, madje edhe nëse në të kanë gisht njerëz nga partneri i ri qeveritar i LSDM-së, BDI-ja. Nëse vërtetë duam të ndërtojmë shtet të së drejtës, kjo assesi nuk mund të bëhet me kurdisje të reja për të shpëtuar lëkurën e dikujt.

Monstra. Ndryshe nga rasti i Kumanovës, rasti Monstra nuk ka të bëjë me informata që mund të tangojnë sigurinë e shtetit. Në këtë rast duhet vepruar njëlloj, pra të identifikohen dhe akuzohen fajtorët e vërtetë. Por pasi këtu nuk cenohet siguria e shtetit, materiali rreth Monstrës duhet të jetë krejtësisht publik. Publike duhet të jenë edhe seancat gjyqësore, madje ndoshta duhet të transmetohen direkt në televizione. Vetëm me transparencë të plotë do të hiqet çdo dyshim rreth vendimit gjyqësore, pa paragjykuar se kush është fajtori.

Nikolla Mladenov. Ky rast ka natyrë të ngjashme me rastin Monstra. Edhe këtu dyshohet për involvim të aparatit shtetëror në vrasje dhe kurdisje incidentesh. Për të hequr dyshimet duhet të veprohet njëlloj si më lartë.

Gjorçe Petrovi. Çështja e dyqaneve të djegura në Gjorçe thuajse është harruar fare. Por ky rast është ndoshta më skandalozi, pasi padrejtësia u bë ndër sy të publikut. Këtu nuk bëhet fjalë për informata e aktorë të fshehtë, këtu gjithça dihet. Turma e xhindosur nga vrasja e një të riu u hakmorr duke djegur lokalet e shqiptarëve të pafajshëm. Forcat e rendit nuk bënë punën e tyre për çka paguhen nga tatimet tona, gjegjësisht nuk mbrojtën pronën nga protestuesit. Për këtë pronarët e lokaleve duhet menjëherë të dëmshpërblehen deri në denarin e fundit. Kështu vepron çdo shtet i mirëfilltë; kështu ka vepruar edhe shteti serb kur kompenzoi lokalet e djegura të shqiptarëve pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kështu duhet të veprojë edhe qeveria e re nëse vërtetë pretendojmë të ndërtojmë shtet.

Të përbashkëtat e këtyre rasteve janë keqpërdorimi i pushtetit dhe shtrembërimi i tmerrshëm i drejtësisë. Pikërisht këto dy pika kanë qenë në thelb të revoltës dyvjeçare kundër regjimit dhe të projektit “E vërteta për Maqedoninë”. LSDM këto dy vite ka premtuar se me rrënien e regjimit shteti do të vendoset mbi baza të reja dhe do të funksionojë me frymë të re. Kryetari i saj Zaev shpesh ka thënë se do të zbardhë këto raste kur të vijë koha. Koha ka ardhur. Koha është tani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button