Vllatko Gjorçev uzurpon foltoren, Talat Xhaferi kërkon ndërhyrjen e sigurimit për ta larguar (VIDEO)

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, sot në Kuvend mori fjalë pa miratimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, njofton Portalb.mk. Kryeparlamentari disa herë kërkoi nga Gjorçevi që ta lëshojë foltoren, megjithatë, i njëjti nuk dëgjonte. Ndaj kësaj, Xhaferi ka kërkuar nga sigurimi që ta largojnë nga foltorja, ndaj së cilës kanë kundërshtuar deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët janë afruar në foltore. Xhaferi pas kësaj kërkoi 10 minuta pauzë.

Pas pauzës deputeti Ilija Dimovski i VMRO-DPMNE-së theksoi se secili ka të drejtë të paraqitet për vërejtje procedurale në momentin kur të vlerësojë se është e domosdoshme.

Apeloi deri tek kryetari i Kuvendit të jetë i vëmendshëm gjatë përdorimit të gjuhëve dhe ta respektojë ligjin, pasi që, siç tha, 100 deputetë nuk e kuptojnë se çfarë flet në momentin kur nuk kanë ose nuk mund të kenë dëgjuese.

“Ndoshta duhet të jeni edhe një hap përpara neve të gjithëve i vëmendshëm në përdorimin e disa mekanizmave të caktuara të cilat i keni në dispozicion për arsye se dëshironi të vendosni rend ashtu siç mendoni ju, por gjithsesi edhe secili prej nesh dëshiron ta shfrytëzojë të drejtën e cila është dhënë me Kushtetutë – të ketë mundësi të drejtohet, të diskutojë dhe t’i shfrytëzojë të gjitha të drejtat”, tha Dimovski.

Kryetari Xhaferi, nga ana tjetër, theksoi se secili duhet të rrijë në vend dhe të dëgjojë se çfarë flet.

“Deputeti u thirr dhe u tha se ka replikë për folësin paraprak dhe u paraqit para jush. Ai duhet të marrë fjalë për replikë, por ju kërkuat në mënyrë procedurale, ndërsa vërejtjet procedurale kanë përparësi dhe prandaj e morët fjalën”, i tha Xhaferi, Dimovskit.

Theksoi se nuk mundet deputeti në momentin kur e ka marrë fjalën për replikë të thotë se nuk do të bëjë replikë, por fillimisht do të shpreh vërejtje procedurale, ndërsa pastaj do ta shfrytëzojë të drejtën e replikës.

“Derisa sjellja është e personale edhe fjalimi personal, personalisht do të mbajë fjalim, sepse në të vërtet jam edhe deputet. Kjo do të rregullohet, ndërsa në të vërtetë edhe është e rregulluar”, tha Xhaferi në lidhje me përdorimin e gjuhës.

Paraprakisht, derisa zgjati debati për Raportin vjetor për punën e Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës të fëmijëve dhe për gjendjen në sferën e të drejtave të fëmijëve dhe delikuencës së fëmijëve në vitin 2015, deputeti Ilija Dimovski, në mënyrë procedurale, kërkoi që kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të konvokojë seancë urgjente për, siç tha, gjendjen aktuale me ndotjen në Strugë të shkaktuar nga djegia e deponisë, me qëllim, siç tha, gjendja aktuale të mos fillojë të ngjajë me gjendjet kronike në disa komuna tjera.

Kërkoi që Xhaferi të drejtohet deri te Qeveria dhe të kërkojë ajo ta dorëzojë informacionin për këtë gjendje dhe pastaj në afat më të shkurtër të konvoj seancë me pikë të vetme në rend dite.

Xhaferi theksoi se si Kuvend e kanë edhe obligim edhe mundësi këtë ta bëjnë. Por, siç tha, duhet që Qeveria të dorëzojë material që të mundet seanca të caktohet, ose megjithatë, siç tha, informacion të përgatisin deputetët, për procedurën urgjente, në pajtim me Rregullore.

Tha se krahas caktimit të seancës së re, ka mundësi kjo pikë të vendoset në seancë e caktuar për më 3 korrik, sepse, siç tha, në pajtim me Rregulloren në çdo seancë të dytë duhet të ketë pikë e cila do të propozohet nga opozita.

Dimovski theksoi se nëse deri më 16 e 30 Qeveria nuk dorëzon informacion, atëherë deputetët ai dhe kolegët e tij do ta bëjnë këtë.

Kuvendi sot në vazhdimin e seancës së 5-të filloi ta shqyrtojë Raportin vjetor për punë të Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve dhe për gjendjen në sferën e të drejtave të fëmijës dhe delikuencën e fëmijëve në vitin 2015.

Si pikë e fundit në rend dite të seancës është emërimi i zëvendësministrave të Qeverisë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button