Maqedoni, pa fuqizim të sektorit civil nuk do të ketë Qeveri të fuqishme dhe integrim në BE

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska në forumin me temë “Udhërrëfyes i ri në zhvillimin e shoqërisë qytetare” vlerësoi se Qeveria e re ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me sektorin civil dhe se sa më i fuqishëm do të jetë sektori civil po aq e fuqishme do të jetë edhe Qeveria, njofton Portalb.mk.

Milla Carovska
Milla Carovska

“Qytetarët duhet ta ndjenjë se kjo Qeveri është qeveri e tyre ngaqë bashkërisht me sektorin civil ne e fituam këtë proces që të formojmë qeveri të tyre. Pa një sektor civil të fuqishëm ne nuk do të jemi qeveri e fuqishme, nuk mund të shkojmë drejt Bashkimit Evropian, kjo ngaqë sektori civil nëse kritikon konstruktivisht, kjo e fuqizon edhe pushtetin”, tha Carovska.

Por ajo vlerëson se “kur sektori civil do të ndjehet i lirë në veprimtarinë e tij ai do të jep përfitime të mëdha”.

Ndryshe nga Qeveria paraprake, ministrja Carovska bëri të ditur se përkrahja e MPPS-së ndaj sektorit civil do të bëhet në atë drejtim që do të mundësohet funksionalizim i ligjeve ekzistuese dhe në rast të miratimit të ligjeve të reja ata do të bashkëpunojnë me sektorin civil.

“Janë miratuar ligje pa akte qytetarësh dhe pa u konsultuar sektori civil. Çdo shoqëri apo iniciativë qytetarësh që mendon se me veprimtarinë e saj mund të ndihmojë në përmirësim të të drejtave të një grupi shoqëror ne do ti qasemi me qëllim që të bëjmë një rregullativë më të mirë ligjore. Kjo do të bëhet nëpërmjet ligjit për marrëdhënie pune dhe ligjit për mbrojtje sociale kjo duke ndryshuar sistemin e funksionimit të këtyre ligjeve, e jo duke ndryshuar apo miratuar ligje të reja. Kjo do të ndihmojë që të krijohet hapësira e nevojshme se si dhe ku të veprojnë organizatat qeveritare, se si të marrin pjesë në dhënien e këshillave dhe rekomandimeve e cila do të bëhet si në kuadër të ligjeve përkatëse por edhe me takime javore me përfaqësuesit e tyre”, premtoi Carovska.

Ndërsa, përfaqësuesi i OJQ “Societas Civilis”, Marko Troshanovski vlerësoi se Qeveria paraprake me sektorin civil ka pasur një raport konfrontues gjë e cila nuk ishte e duhur dhe prandaj edhe bëheshin kontrolle nga Policia Financiare.

“Periudha paraprake ka treguar një konfrontim të përsëritshëm ndërmjet sektorit civil dhe Qeverisë, e cila nuk duhet të jetë e tillë. Funksioni ynë është të jemi korrektues të politikave ku nëpërmjet ekspertizave tona do të japim kualitet në politikat dhe ligjet që do të miratohen”, tha Troshanovski.

Edhe pse organizata Societas Civilis nuk ka qenë pjesë e inspektimeve nga Policia Financiare, sërish  Troshanovski vlerëson se “meqë ishte e targetuar në organizata të caktuara konsideroj se kishte hapësirë për të menduar se tentohej të bëhej kontroll dhe trysni ndaj organizatave joqerveritare në kryerjen e veprimtarisë së tyre”.

Nikolla Bertolini
Nikolla Bertolini

Se ku konkretisht gabonte Qeveria e mëhershme në raport me sektorin civil dhe se ku duhet të fokusohet Qeveria e re për mënjanim të kësaj mangësie, udhëheqësi për bashkëpunim i delegacionit të Bashkimit Evropian, Nikolla Bertolini u shpreh se ajo është në sferën e financimit të këtij sektori.

“Ka hapësirë të mjaftueshme për mundësi dhe sfida për përforcim të relacioneve Qeveri dhe sektori civil ku sërish vlerësoj se ato janë relacione të cilat duhet të përmirësohen dhe zhvillohen në vazhdimësi që të ekzistojë fryma e bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve dhe shtetit në përgjithësi. Problemi kyç ka qenë në raportin ndërmjet Qeverisë dhe organizatave joqeveritare në sferën e financave. E dimë që financat e dedikuara për sektorin civil janë të vogla dhe në këtë drejtim ne bashkëpunojmë me Qeverinë e re që t’i përmirësojmë këto raporte për të mirën e qytetarëve”, tha Bertolini.

Ndryshe, ky forum u organizua nga OJQ TACS (Përkrahja Teknike e Organizave në Maqedoni) i udhëhequr nga Qendra Rinore e Maqedonisë i financuar nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button