Prindërit shqiptarë përkrahin iniciativën për vendosjen e kamerave në kopshte

Në disa kopshte të fëmijëve në Shkup ka filluar të hapet debat për vendosjen e kamerave nëpër hapësirat ku qëndrojnë fëmijët, në mënyrë që të mbikëqyret puna dhe funksionimi i tyre. Në kopshtet e fëmijëve në Çair nuk është hapur ky debat me prindërit, mirëpo ata për Portalb.mk thonë që një gjë e tillë të realizohet është e nevojshme pasi që sipas tyre duhet të mbikëqyret puna e edukatoreve se si sillen me fëmijët.

“Kohëve të fundit ishim dëshmitarë të disa videove private të cilat dëshmonin për dhunën që përdorët nëpër kopshte të ndryshme ndaj fëmijëve andaj unë me gjithë qejf e përkrah këtë projekt dhe kërkoj që sa më shpejtë të realizohet”, tha R.T., prinde.

“Me anë të kamerave rritet siguria e fëmijëve dhe mendoj se është gjë e nevojshme sidomos tani pas videove që shohim se si maltretohen fëmijët, kështu kur e dinë që janë nën vëzhgim besoj që nuk do të jenë të dhunshme apo të pasjellshme edukatoret, jo që janë por në nuk jemi aty dhe nuk mund ta dimë”, tha Alena K., prinde.

“Nuk na kanë ftuar për ndonjë takim lidhur me këtë çështje, por mendoj së është një iniciativë e mirë dhe e nevojshme”, tha Urim Tahiri, prind.

“Unë nuk kam ankesa lidhur me edukatoret, por nëse hapet debati për këtë çështje unë jamë pro”, tha Arjeta Abazi, prinde.

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thonë se kopshtet e fëmijëve mund të vendosin kamera të sigurisë, mirëpo ato do të financohen nga vetë prindërit.

“Kopshti vetë vendos se a do të vendos kamera apo jo. Drejtorët e kopshteve duhet të diskutojnë, të hapin debat dhe më pas të arrihet një marrëveshje me prindërit. Nga përvoja jonë e deritanishme, mund të themi se prindërit janë të kënaqur aty ku tani më janë vendosur kamerat, sepse kështu ndalohen incidentet më të mëdha si dhe fëmijët janë më të sigurt”, thonë nga MPPS.

Ndërkaq nga ana tjetër Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë viteve të kaluara ka vërtetuar se disa kopshte, përveç në hyrje dhe korridore, kamera kanë vendosur edhe në trapezaritë dhe në klasa, që është në kundërshtim me ligjin, dhe udhëzoi të njëjtat që të përmirësojnë gabimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button