Maqedonia mbrohet me bashkëjetesë, e jo me ndarje etnike dhe thirrje për luftë

Kërkohet reagim i menjëhershëm i institucioneve përkatëse kundër nxitjeve për luftë dhe veprave të dhunshme nga protestuesit simpatizantë të VMRO-DPMNE-së të cilët më shumë se një muaj protestojë në rrugët e Shkupit. Interesat shtetërore rruhen duke përforcuar bashkëjetesën ndëretnike dhe jo duke dalë kundër qytetarëve që mendojnë ndryshe dhe etniteteve tjera që jetojnë në një shtet të përbashkët. Kështu i komentojnë njohësit e çështjeve sociale dhe politike informatat në mediat dhe shoqatat pro-VMRO-së për formimin e “brigadave kombëtare për të ruajtur interesat kombëtare të Maqedonisë me mjete të dhunshme dhe jo-dhunshme”, shkruan Portalb.mk.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dashur të komentojnë thirrjet e tilla edhe pse të kontaktuar disa herë.

Populli që nga fillimi i protestave deri më sot ka treguar vetëdije të lartë dhe duhet rënë pre e provokimeve, shprehet Dona Kosturanova nga Forumi Rinor Arsimor.

“Të gjithë ata që për qëllim kanë ruajtjen e interesave kombëtare, duhet të thirren për bashkëjetesë dhe respektim të qytetarëve të Maqedonisë dhe të kërkojnë që kriza politike të tejkalohet pa ndonjë eskalim të situatës. Brengosëse është edhe ajo se këto lajmërime shpërndahen edhe në shkolla dhe tek të rinjtë, të cilët në vend se të mësojnë dhe praktikojnë bashkëjetesën, bëhen viktimë e mos-durimit, ndarjes nacionaliste dhe gjuhës së urrejtes”, tha Kosturanova.

Ajo thotë se duhet të dënohen deklaratat të mbushura me urrejtje, protestat etno-nacionaliste dhe shoqatat që lajmërojnë se janë pagatitur për mbrojtje të dhunshme të atdheut.

Ndërsa aktivisti Xhabir Deralla tërë këto thirrje i sheh si të qëllimshme dhe se nëse të njëjtat realizohen do të përkeqësojnë edhe më tej situatën në Maqedoni.

“Thirrjet e fundit e mediave dhe shoqatave kanë qëllim që të bëjnë ndarje dhe bllokim të proceseve demokratike dhe se mund ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën në Maqedoni. Secila orë që kalon humbet dinjitetin dhe imazhin e Maqedonisë e cila nuk mund të funksionojë nën trysni të deklaratave dhe praktikës fashizoide”, tha Xhabir Deralla.

Por ai sërish është optimist, ngaqë sheh se qytetarët janë larguar nga koncepti i ekstremizmit nacionalist.

Kurse analisti politik Albert Hani u shpreh se shndërrimi i konfliktit nga rrafshi qytetar në atë nacionalist bëhet me qëllim, ngaqë aty “strukturat kriminogjene dinë të luftojnë më mirë”.

“Mënyra qesharake se si konflikti nga rrafshi qytetar u hodh shpejt në atë nacionalist, na jep në dije se strukturat kriminogjene i ka zënë paniku dhe fushë-betejen e zhvendosin në vend ku ato dinë të luftojnë më mirë”, tha Albert Hani.

Sidoqoftë, ai vlerëson se deri më sot populli tregoi durim dhe mençuri, dhe nuk ra pre e provokimeve injorante të kokë-nxehtëve dhe se këshillon që populli të vazhdojë me durimin nga provokimet që do të shpeshtohen tani dhe në të njëjtën kohë nuk do lejoj që të nxitet konflikt i dhunshëm intra-etnik ose inter-etnik.

Vetëm kështu do ti sjellim injorantët në pozitë që ta kuptojnë veten si dëm i vetvetes dhe askujt tjetër, tha ai

Përndryshe portali pro-VMRO-së “Republika” shkruan se qytetarët me vetiniciativë tashmë janë organizuar dhe bëhen lista për mobilizim të shpejtë” dhe se “formojnë grupe të cilët në situatë të tillë, për kohë të shkurtër do të tubohen dhe do të reagojnë ndaj secilës mënyrë të mundshme dhe me çfarëdo lloj mjeti”.

Sipas shkrimit, “praktikisht ata do të jenë mbrojtësit e shtetit dhe institucioneve në rast se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë do të dëshirojë të përdor periudhën para festës që në mënyrë të dhunshme të uzurpojë institucionet”.

Kjo ka ndodhur kur LSDM në seancën e  Kuvendit ka kërkuar që me mbështetje të 10 deputetëve të kalohet në pikën e katërt, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Mund te ndodh skenare si kane vepruar Serbet ne Bosnje dhe Kosove..
    Pikesepari mund ti çarmatosin policet Shqiptare dhe ti mbajne peng qe mos te organizohen ne formacione mbrojtwse te vendbanimeve Shqiptare….
    Shqiptaret ti bejne syte nga 2 ne 4…
    Çdo gje eshte e pritur pas kétyre lajmeve keqija…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button