fbpx

Han: Presidenti Ivanov ta ndryshojë urgjentisht vendimin, presim Qeveri të re

“U takuam sot me përfaqësuesit e partive parlamentare. E përsëritëm shumë qartë se të gjithë liderët e vendit, duke përfshirë edhe presidentin, tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit”, kështu thuhet në kumtesën e eurokomesarit, Johanes Han dhe tre eurodeputetëve, Ivo Vajgël, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, pas realizimit të takimeve me paritë politike parlamentare në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

“Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare. Prandaj, ne e inkurajojmë presidentin që urgjentisht të rishikojë vendimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Ne tani presim që të gjithë liderët politik dhe institucionet të lejojnë të rrjedhë procesi demokratik në interes të qytetarëve të vendit. Vonesat e muajve të fundit janë tashmë duke e dëmtuar ekonominë e vendit. Andaj, kërkojmë formimin e shpejtë të një qeverie të re të përkushtuar për të zbatuar reformat e vonuara. Palët dhe qeveria e re pritet të vazhdojnë zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës”, thuhet në kumtesë,njofton Portalb.mk.

Han dhe eurodeputetët “në veçanti, kërkojnë nga të gjithë të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike apo të dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore”.

“Askush nuk duhet të joshet të luajnë me zjarr. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet dhe gjuhen e urrejtjes. Liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ata mbajnë dhe përgjegjësi. Gjithashtu, retorika negative kundër komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave jo-qeveritare është plotësisht kundër-produktive. Kjo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, dhe kredibilitetin e atyre që e përdorin atë. Në fund, ne duhet të shohim në ditët e ardhshme aftësi serioze dhe të përgjegjshme politike nga institucionet relevante për të mundësuar një krijim të shpejtë të një koalicioni të ri dhe solid. Kjo është e vetmja mënyrë për të ri-marrë sërish rrugën e BE-së – e cila është ajo që qytetarët tuaj duan dhe meritojnë”, thuhet në kumtesë, njofton Portalb.mk.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close