Ahmeti: Ivanov dhe politikanët tjerë nuk guxojnë krizën politike ta shndërrojnë në krizë etnike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti është takuar me ambasadorin e Francës në Shkup , Kristian Timonier, njofton Portalb.mk.
Kryetari Ahmeti dhe ambasadori Timonier, ashtu siç njoftojnë nga BDI, diskutuan për situatën në vend dhe rajon si dhe për nevojën imediate që të zgjidhet ngërçi politik.
“Ali Ahmeti e njoftoi Ambasadorin e Francës që ka kërkuar nga partitë relevante parlamentare që të nisin dialog në mënyrë që të arrihet kompromis sa më shpejtë dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit si pikënisje për zgjidhjen e krizës, gjithashtu Ahmeti informoi Ambasadorin që Deklarata e përbashkët nuk cenon rendin e as karakterin kushtetues dhe është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë pasi që paraqet përmbledhje të programeve zgjedhore të partive parlamentare shqiptare. Ahmeti përsëriti që Ivanov dhe politikanët tjerë nuk guxojnë që krizën politike ta shndërrojnë në krizë etnike dhe duhet të përmbahen maksimalisht nga nxitja e urrejtjes midis dy komuniteteve shumicë”, njoftojnë nga BDI.