Një pjesë e nxënësve boshatisin bankat nga pasiguria

Protestat e ditëve të fundit kanë bërë që nxënës të shkollës së mesme “Pançe Karagjozov” në Shkup të mos shkojnë në shkollë, për shkak se ndjehen të pasigurtë. Këtë e thotë Berati, nxënës i kësaj shkolle, që sipas tij, ka disa nxënës që nuk ndjekin mësimin, shkruan TV 21, transmeton Portalb.mk.

“Unë jam viti i katërt, po mungojnë shokët e mi sidomos kohëve të fundit shumë. Arsyeja është që po ndodhin protestat në qendër të Shkupit dhe kanë frikë normalisht edhe nuk vijnë shumica”, tha nxënësi.

Zëvendës drejtori i shkollës së mesme Pançe Karagjezov thotë se ka pasur raste të tilla, por sipas tij, kujdestarët e klasave janë në kontakt me nxënësit, dhe se kjo problematikë shumë shpejt do të tejkalohet.

“Nuk do të thotë që kanë munguar, por pjesërisht ka pasur edhe dezinformata të cilat kuptohet se e bëjnë atë të vetën mirëpo nuk do të thotë se nuk është zhvilluar mësimi.Besoj se kujdestarët e klasave janë në kontakt me nxënësit dhe mendoj se kjo është shumë lehët për tu tejkaluar”, tha zëvendës drejtori Sherif Selimi.

Ministri i Arsimit, Pishtar Luftiu apelon që nxënësit të mos ndikohen nga protestat. Ai thotë se angazhimi maksimal i shkollave duhet të jetë i përkushtuar për nxënësit.

“Po ashtu siç e theksova nxënësit nuk duhet të ndikohen nga protestat, nxënësit duhet të fokusohen tek mësimi dhe të ndjekin mësimet sikurse i kanë ndjekur ditëve të tjera”, tha Lutfiu.

I pyetur nga gazetarët për përfshirjen e drejtorëve dhe profesorëve të disa shkollave në protesta , Ministri Luftiu tha se si ministri do të shqyrtojë këto keqpërdorime të mundshme. Qendra Rinore për Arsim i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të shqyrtojnë situatën në terren për keqpërdorime të mundshme të fëmijëve për qëllime politike. Sipas kësaj qendre, drejtorët, profesorët dhe prindërit duhet të reagojnë ndaj çdo tentimi që nxënësit të përzihen në agjendat e partive politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button