Rama: Qeveria zgjidhi “Zharrëzën”. Vuri nën kontroll industrinë e naftës

Duke marrë fjalën në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama është fokusuar në tematikat më të ndjeshme të aktualitetit shqiptar, që nga vettingu e deri tek protesta e banorëve të Zharrëzës, shkruan Top Channnel, transmeton Portalb.mk.

“Mbi 90 për qind e shqiptarëve duan vettingun dhe njëkohësisht riçeljen e rritjes ekonomike. Rritja ekonomike që ne kemi siguruar përmes reformave transformuese është e pamjaftueshme”, ka deklaruar Rama.

Pa asnjë diskutim, është shprehur kryeministri, kush ka sot pakënaqësi apo inat për situatën ku ndodhet, të vetmin aleat që ka ka këtë shumicë qeverisëse.

“Sepse edhe ne jemi të pakënaqur, edhe ne jemi të revoltuar në përpjekjen tonë për t’i hapur rrugë vettingut dhe për të bërë të mundur pastrimin e pallatit të drejtësisë dhe pastrimin e rrugës nga një pengesë e madhe, që është një nga arsyet përse Shqipëria nuk ka bërë më shumë në këto 25 vite”, ka thënë Rama.

Edhe historia e Zharrëzës, sipas tij, tregoi edhe njëherë se njerëzit që kanë halle kanë vetëm një aleat në këtë vend, qeverinë.

“Sepse përtej retorikave dhe shfaqjeve, që janë qëllime të ulëta, problemin e trajtoi kjo qeveri. Kjo qeveri që ndaloi injektimet e ujit teknologjik që fundvitin e shkuar, sapo u shfaq problemi. Aty nuk ka që nga fundviti i shkuar injektime”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se, ishte sërish kjo qeveri që ndërmori gjithë procesin e rivlerësimit të dëmeve dhe shumica dërrmuese e atyre që dolën në protestë ishin duke plotësuar formularët.

“Ndërkohë që disa tutorë politikë dhe aktivistë me demek, që vijnë nga skandali i korrupsionit dhe zullumeve në industrinë e naftës, morën peng atje 7 vetë dhe nuk i linin të iknin. Mua më thoshin fol me avokatin e tyre. Me kë avokat? Avokatin tutor që i mori zvarrë deri në Tiranë? Ishte një mizanskenë e ngritur mbi një hall të madh dhe me njerëz me plot të drejtë të dëshpëruar”, ka thënë Rama.

Nga ana tjetër, ka shtuar ai, nëse ka një qeveri që ka vënë nën kontroll sektorin e naftës është kjo qeveri. “Ne kemi imponuar ndaj Bankers një seri detyrimesh, duke i vënë para përgjegjësisë për një sërë aspektesh. Nga viti 2014, buxheti i shtetit merr 40 milionë dollarë më shumë”, ka shtuar Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button