Maqedoni, ëndrra e venitur evropiane ‘dhuratë’ nga Qeveria

Rënia e mbështetjes së Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian ka të bëjë me atë se Qeveria e deritanishme nuk përqendrohet në zgjidhjen e problemeve reale të reformave të brendshme, por gjen armik të jashtëm. Qeveria e deritanishme, mos-fillimin e bisedimeve për integrim në BE, e arsyeton me moszgjidhje të problemit me emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Kështu shprehen njohësit e politikave të jashtme për Portalb.mk duke theksuar se kjo propagandë ndaj Greqisë bëri që qytetarët të kenë raport negativ edhe ndaj procesit të integrimit të Maqedonisë në BE.

“Ulja e mbështetjes ndaj BE-së është si rezultat i propagandës së zhvilluar për një kohë të gjatë nga partitë politike në pushtet me qëllimin e vetëm që të humbet shpresa ndaj BE-së. Nga ana tjetër Maqedonia ka më shume se një dekadë që pret që të fillojë bisedimet për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kurse e njëjta assesi të ndodh. Paralelisht me këtë, kemi propagandë të zhvilluar nga partia qeverisëse e cila suksesshëm arriti të rrisë dyshimin ndaj integrimit evropian duke e parashtruar si pengesë problemin me çështjen e emrit të Maqedonisë me Greqinë, kurse asnjëherë nuk u përqendrua në problemet e brendshme të Maqedonisë dhe në sferën e reformave që duhet të ndërmerren, e të cilat janë faktori kryesor për uljen e mbështetjes së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Si rezultat i kësaj, edhe qytetarët filluan të kenë më shumë dilema dhe të mos e mirëpresin integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, thotë për Portalb.mk Andrea Stojkovski nga Qendra për Strategji Evropiane  (QSE).

Sipas tij, do të ishte normale sikur ulja e mbështetjes së Maqedonisë për integrim në Bashkimin Evropian të ndodhte në momentin kur zyrtarisht do të bëhej pjesë e bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian, meqë, atëherë nisin reformat më të vështira të cilat vështirë dhe i kuptojnë qytetarët.

Vlora Reçica nga Instituti për demokraci “Soceitas Civilis” (IDSCS) për Portalb.mk thotë se, nëse Qeveria e Maqedonisë në mënyrë të vrullshme do të angazhohej për procesin e euro-integrimit të Maqedonisë, rezultatet do të ishin ndryshe.

“Maqedonia gjendet në një krizë politike dy vjeçare, duke stagnuar në procesin e integrimit në BE, kështu duke rritur pakënaqësinë tek qytetarët sa i përket tërë procesit. Por përsëri edhe pse mbështetja për BE-në për dallim nga 2014, ka rënë në 77%, ajo sërish konsiderohet të jetë në nivel të lartë. Nuk mund të thuhet se kriza politike dhe ndërmjetësimi i BE-së në negociata kanë efekt negativ shumë serioz. Por ngecja e procesit reformues, si dhe rënia e kapacitetit dhe angazhimit të institucioneve shtetërore drejt integrimit, si dhe çështja e emrit me Greqinë luajnë një rol tejet të rëndësishëm. Shumica e qytetarëve nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga emri edhe për çmimin e mos-integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Një mënyrë që mbështetja e qytetarëve për BE-në të mbahet në nivel, duhet institucionet shtetërore fillojnë punën e tyre me intensitet të lartë, duke u fokusuar në reformat urgjente demokratike të Pribesë si dhe në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë”, u shpreh Vlora Reçica.

Ndryshe, gjatë vitit 2016, sipas një hulumtimit, mbështetja e Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian ka shënuar rënie.

Sipas rezultateve të sondazhit, 32,2% e shqiptarëve konsiderojnë se partneri më i mirë është Bashkimi Evropian, ndërsa 28.3% konsiderojnë se partner më i mirë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas SHBA-ve, me 15.9% e treta renditet Turqia ndërsa e katërta Gjermania me 11.6%. E fundit renditet Rusia e cila shihet si partneri më i mirë i Maqedonisë nga 9% e shqiptarëve. Nëse këto shtete grupohen dhe mblidhen, del që 75.1% e shqiptarëve të Maqedonisë shprehen se shohin njërin prej shteteve perëndimore si aleat më të mirë të Maqedonisë.

Në anën tjetër, 29.9 % e maqedonasve konsiderojnë se Rusia është partneri më i mirë i Maqedonisë.

Hulumtimi është zbatuar me anketë telefonike të bërë te 1.100 të anketuarve në nëntor të vitit 2016, ndërsa trendet të cilat komentohen në analizë janë lidhur me hulumtimin metodologjik të njëjtë të zbatuar në vitin 2014. Të dhënat nga hulumtimi janë shfaqur në “Analizë të mendimit publik për procesin e Maqedonisë për inkuadrim drejt Bashkimit Evropian (2014-2016)” dhe “Besueshmëria e Bashkimit Evropian në Maqedoni është sjellë në pyetje”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button