ANKETË: Rënia e Gruevskit parakusht për realizimin e Platformës Shqiptare

“Çfarë është më me rëndësi për shqiptarët, rënia e Nikolla Gruevskit apo realizimi i Platformës Shqiptare? Është kjo anketa që ka realizuar Portalb.mk me njohës të çështjeve politike dhe sociale në Maqedoni.

Nga mendimet e ndryshme që morëm, mund të konkludojmë se me largimin e liderit të VMRO-së Nikolla Gruevski dhe partisë së tij nga pozitat udhëheqëse në vend, hapet rruga për t’u realizuar kërkesat e shqiptarëve të shënuara në Platformën Shqiptare por edhe në përgjithësi. Vite të tëra kjo parti nuk ka arritur dhe nuk ka dashur të jep “dritë jeshile” për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit si dhe kërkesa të ndryshme shiptare, andaj me mbetjen në pushtet të tyre nuk do të ketë reforma reale, shtet të së drejtës si dhe Platforma Shqiptare nuk do të sheh “ditë të bardha”, shkruan Portalb.mk .

Më poshtë mund të lexoni vlerësimet e të anketuarve.

Radhitja është bërë sipas alfabetit (a-z).

 

Abedin Zymberi
Abedin Zymberi

Abedin Zymberi, ish deputet

“Opsioni më i mirë është realizimi i Platformës Shqiptare, por njëkohësisht edhe rënia e Nikolla Gruevskit nga pushtetit meqë është deklaruar se nuk e pranon këtë platformë. Prandaj të gjithë partitë shqiptare, gjatë bisedimeve për koalicion qeveritar, duhet të thirren në realizim të kësaj platforme të përbashkët shqiptare.”

 

 

 

 

 

 

Alajdin Abazi
Alajdin Abazi

Alajdin Abazi, akademik

“Është me rëndësi edhe njëra edhe tjetra, sepse rënia e Nikolla Gruevskit paraqet kusht për realizim të Platformës Shqiptare. Por realizimi i Platformës Shqiptare mundësohet me formim të Qeverisë reformuese”.

 

 

 

 

 

 

 

 

Alajdin Demiri
Alajdin Demiri

Alajdin Demiri, ish diplomat

“Ajo çfarë shihet është se kemi një bashkim të komponentëve, si ajo e realizimit të Platformës Shqiptare por edhe të rënies së Nikolla Gruevskit. Sepse jo-koalicionimi me Nikolla Gruevski tregoi se e rëndësisë parësore është realizimi i Platformës së Përbashkët, por se kjo do të dëshmohet edhe në mundësinë e koalicionimit të ardhshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI-së) me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM-në)”.

 

 

 

Albert Hani
Albert Hani

Albert Hani, analist politik

“Nga njëra anë, çdo kush që është personifikim i krimit dhe ka mundësi të ketë qasje në pasurinë publike, duhet të mposhtet nga ndershmëria, ndërsa nga ana tjetër, vizioni që nuk sfidohet me koncepte bashkëkohore dhe nuk është real rrezikon që kurrë mos të realizohet. Kështu mposhtja e gjithë figurave politike të inkriminuara, është po aq me rëndësi sa edhe parafrazimi i Platformës me terminologji dhe koncepte të kapshme për të gjithë.”

 

 

 

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Ali Pajaziti, profesor universitar

“Realizimi i Platformës Shqiptare ka përparësi, por sa mund të realizohet një skemë e vetërealizimit shqiptar kur keni në rrjetin e politikanëve një figurë destruktive dhe albanofobe siç është Nikolla Gruevski. Më e mira është që Platforma të realizohet me një figurë partitokratike dhe diktatoriale të përjashtuar nga loja politike, sepse dimensioni empirik flet se ai është antiheroi i gjithë kulturës politike të Maqedoni. Nga ana tjetër ikja e Gruevskit nuk nënkupton realizimin e nënkuptueshëm të platformës,  andaj politika shqiptare duhet të pozicionohet fort në kërkesat e veta sepse ky “shtet fragjil” nuk ka gjasa të mbetet në skenë pa përfshirjen efektive dhe të drejtë në jetën shoqërore dhe politike, pa barazi dhe pa jetësimin e shtetit multikulturor.”

 

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit “Metamorfosis”

“Nga ajo që e kemi parë viteve të fundit nga mënyra se si qeveris Nikolla Gruevski dhe partia e tij është e dukshme se nuk janë në gjendje të realizojnë asnjë platformë, strategji apo program progresiv. Si pasojë, sot Maqedonia është larg integrimit në Bashkimin Evropian dhe larg NATO-s. Prandaj, nuk besoj që dikush mund të mendoje dhe shpresoje se me Gruevskin mund të realizohet Platforma Shqiptare. Parakusht, dhe hapi i parë në realizimin e cilësdo platformë që do të afronte Maqedoninë drejt Evropës, përfshirë këtu platformën shqiptare, është largimi i Gruevskit.”

 

 

 

 

Mr Bashkim Bakiu
Bashkim Bakiu

Bashkim Bakiu,  drejtor i institutit IHPQM

“Më rëndësi është realizimi i Platformës Shqiptare por edhe rënia e Nikolla Gruevskit. Platforma Shqiptare ka rëndësi, sepse për herë të parë partitë shqiptare bënë diçka të përbashkët e cila tash për tash paraqet kusht për koalicionet e ardhshme të shqiptarëve me partitë politike të bllokut maqedonas. Kjo Platformë Shqiptare më në fund po mundëson që partitë politike shqiptare të mos hyjnë pa kushte në Qeveri, siç ka ndodhur deri më sot”.

 

 

Profesoresha universitare Besa Arifi
Besa Arifi

Besa Arifi, profesoreshë universitare

“Për mua nuk ka dilemë që rënia e Gruevizmit si formë e qeverisjes është lufta kryesore dhe prioriteti kryesor për ndryshim në Maqedoni. Mënyra e qeverisjes së tij, ka qenë, jo vetëm problematike por, edhe jodemokratike dhe kundërligjore. Vetë fakti që ai u kap në flagrancë dhe u ballafaqua me skandalin më të madh të përgjimit të njohur gjer tani, bëri gjithçka që kishte të mundur për të mbuluar këtë skandal dhe përgjegjësinë e tij e të partisë së tij, përmes keqpërdorimit të temave etnike dhe, përmes mbjelljes së urrejtjes ndërnacionale, tregon shumë qartë që kjo strukturë është e gatshme të bëjë gjithçka për vazhdimin e mënyrës së tillë të qeverisjes. Në kuadër të kësaj qasjeje hyn edhe pranimi i platformës shqiptare, e vetmja pikë problematike e së cilës për Gruevskin është përkrahja e punës së PSP, ku faktikisht ai është shprehur qartë se një gjë të tillë nuk do të lejojë. Ai, me këtë tregon që gjithçka është në gjendje të bëjë dhe të pranojë, përveç vendosjes së drejtësisë në vend. Ndërsa, pa vendosjen e drejtësisë në vend dhe pa sundimin e së drejtës si parakushte, platforma shqiptare asnjëherë nuk do të realizohet në tërësi por do të mbetet e anashkaluar siç kanë mbetur të anashkaluara të gjitha çështjet e hapura shqiptare deri më tani. Në një qeverisje ku nuk funksionon drejtësia, si mund të pritet që të drejtat kolektive etnike të funksionojnë pa problem, kur të drejtat themelore të njeriut shkelen për çdo dite në mënyrë të hapur dhe arrogante?!”.

 

Besim Hoda
Besim Hoda

 

Besim Hoda, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

“E rëndësisë është realizimi i Platformës Shqiptare, dhe se kjo duhet të jetë pikënisja e mbrojtës së të drejtave të shqiptarëve nga vetë partitë politike shqiptare dhe fillim i bashkëpunimit të partive politike shqiptare”.

 

 

 

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

 

Fatmir Sulejmani, profesor universitar

“Duhet të realizohet Platforma Shqiptare, sepse ajo bëri dallim të vlerave politike dhe humane, dhe nuk bëhet fjalë për çështje individi, por bëhet fjalë për parti politike të cilat qeverisin në bllokun politik maqedonas”.

 

 

 

 

 

Hysni Shaqiri
Hysni Shaqiri

 

Hysni Shaqiri, ish deputet

“Me rëndësi është realizimi i Platformës Shqiptare, për të vetmen arsye se në të janë parashtruar kërkesa që përsëriten më shumë se një dekadë. Platforma Shqiptare paraqet moment të rëndësishëm se kush duhet të qeverisë në Maqedoni”.

 

 

 

 

 

 

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ismet Ramadani, analist politik

“Për shqiptarët është me rëndësi që të realizohet Platforma Shqiptare dhe Nikolla Gruevski të shkojë në opozitë. Kjo për shkak të qëndrimit anti-shqiptar dhe anti-evropian të strukturave partiake në krye të së cilës është Nikolla Gruevski. Platforma Shqiptare nuk paraqet përparim vetëm për shqiptarët, por paraqet përparim edhe për tërë shtetin e Maqedonisë dhe integrimet e saja euro-atlantike”.

 

 

 

Lulzim Haziri
Lulzim Haziri

Lulzim Aziri, gazetar

“Realizimi i Platformës Shqiptare, njëkohësisht nënkupton edhe rënie të Nikolla Gruevskit nga Qeveria. Koalicioni i mëhershëm nuk ka qenë i lidhur me interesat e shqiptarëve, por me interesat partiake. Por realizimi i Platformës Shqiptare para se gjithash kërkon guxim të partive shqiptare për kushtëzim të partive politike të bllokut maqedonas”.

 

 

 

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

Mersel Bilalli, profesor universitar

“ Realizimi i Platformës Shqiptare është me rëndësi parësore për çdo qeveri të ardhshme, por procedurat për zbatim të saj fillojnë me shkuarjen e Nikolla Gruevskit në opozitë, por fillimisht duhet të kemi një çlirim të ekonomisë dhe demokracisë së Maqedonisë nga sulmet e shumta që po i bëhen”.

 

 

 

 

 

Mersim Maksuti
Mersim Maksuti

Mersim Maksuti, profesor universitar

“Këto dy çështje nuk i shoh të ndara, por, përkundrazi si dy çështje të cilat kushtëzojnë dhe janë të lidhura me njëra tjetrën. Platforma e katër partive shqiptare pamëdyshje që paraqet prioritet për realizimin e saj, por kjo kushtëzohet nëpërmjet vendosjes së një sistemi demokratik të mirëfilltë në Maqedoni, ku regjimi i Gruevskit dështoj në këtë kuptim dhe politika e tij u dëshmua si diskriminuese ndaj shqiptarëve prandaj rënia e regjimit të tij është i patjetërsueshëm”.

 

Osman Kadriu
Osman Kadriu

Osman Kadriu, profesor universitar

“Për ne shqiptarët është me rëndësi të realizohet Platforma Shqiptare dhe duhet të insistohet në të. Partitë politike si më herët, edhe tash duhet të këmbëngulin në realizimin e pikave të kësaj platforme. Por, më rëndësi është të potencohet se realizimi i Platformës Shqiptare mund të arrihet vetëm nëse kemi formim të qeverisë reformuese. Njëashtu, partitë politike shqiptare, të cilat kanë nënshkruar këtë platformë, duhet të kenë parasysh se për çështjet që kërkojnë ndryshim të kushtetutës, duhet të presim që të kalojë një kohë deri sa ato të vihen në zbatim. Por, ardhja e cilësdo qeverie duhet të ketë për synim realizimin e Platformës Shqiptare dhe mos-prezencë të VMRO-DPMNE-së në të”.

 

Petrit Saraçini
Petrit Saraçini

Petrit Saraçini, aktivist civil

“Me dekada artikulohen platforma politike të ndryshme, të cilat, për shqiptarët janë të rëndësisë parësor që ato të realizohen, mirëpo, këto janë ngushtë të lidhura dhe të përfaqësuara nëpërmjet veprës dhe personalitetit të Nikolla Gruevskit. Si realizimi i Platformës Shqiptare, si rënia e Nikolla Gruevskit, janë të rëndësishme, por pa zhbërjen e politikës së deritanishme, dhe pa dhënie të llogarisë nga partitë politike të deritanishme qeveritare për veprat e tyre të deritanishme, kjo nuk mund të realizohet”.

 

 

 

Salajdin Salihu
Salajdin Salihu

Salajdin Saliu, profesor universitar

“Votuesit dëshmuan se janë për ndryshime në qeverisje, veçanërisht ata shqiptarë. Është shumë e rëndësishme të merret ky sinjal sepse ata janë faktori kryesorë për një shoqëri e shtet stabil. Në këtë përpjekje partitë shqiptare duhet të kujdesen më shumë për agjendën e tyre politike. Por gjithsesi se duhet që të reflektojnë edhe në zhvillimet e përgjithshme. Tani ka një hapësirë të volitshme për këtë proces. Varet se sa do ta shfrytëzojnë”.

 

 

 

Sefer Tahiri
Sefer Tahiri

Sefer Tahiri, profesor universitar

“Konsideroj se prioritet i shqiptarëve nuk është fati i politikanëve maqedonas, por duhej dhe duhet të jetë realizimi i kërkesave legjitime të shqiptarëve për avancim të tyre në Maqedoni. Kjo Platformë Shqiptare duhet ti vë në veprim të gjitha partitë politike në Maqedoni, dhe nuk shoh ndonjë problem që ndonjë nga pikat të mos realizohet nga Qeveria e ardhshme”.

 

 

Visar Ademi
Visar Ademi

Visar Ademi, analist politik

“Me rëndësi prioritare është të krijohet shteti i së drejtës, e me krijim të shtetit të së drejtës do të rikthehet sundimi i ligjit dhe drejtësia në Maqedoni. Dhe meqë VMRO-DPMNE ka bërë që këto të mos funksionojnë, atëherë, për ne me rëndësi është të bëhet “degruevizimi” i institucioneve. Vetëm pasi të krijohet shteti i së drejtës, mund të flasim për përfaqësi të barabartë të shqiptarëve dhe mirëqenies së shtetit në përgjithësi”.

 

 

 

 

Xhabir Ahmeti
Xhabir Ahmeti

Xhabir Ameti, publicist

“Në rend të parë duhet të jetë realizimi i Platformës Shqiptare, e veçanërisht zbatimi i gjuhës shqipe në të gjitha sferat shtetërore, dhe se kjo nuk i bën dëm askujt, por përkundrazi do ta stabilizojë vendin. Për mu me rëndësi është se kush e jetëson zbatimin e gjuhës shqipe, e jo kush është në Qeveri”.

 

 

 

Xhelal Neziri
Xhelal Neziri

Xhelal Neziri, gazetar

“Për mua personalisht më me rëndësi është funksionimi i drejtë i sistemit shtetëror, ku çdonjëri do të jetë i barabartë para ligjit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, religjioze, politike, partiake, gjinore e kështu me radhë. Te kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet reformave rrënjësore të përfshira në Raportin e Pribes, të cilat erdhën si rezultat i krizës politike që u shkaktua nga shpalosja e përgjimeve korruptive të funksionarëve qeveritarë. Pa funksionim të drejtë të sistemit asnjë qytetar, etni apo grupo i caktuar interesi nuk do të ketë të drejtat që duhet t’i takojnë. Rrjedhimisht, fokusi duhet mbajtur te puna e Prokurorisë Speciale, te reforma në drejtësi, te dekriminalizimi i sistemit dhe politikës. Personalisht mendoj se prioritet ne dy vitet e ardhshme duhet t’i jepet dekriminalizimit të partive politike dhe institucioneve, që më pastaj ne një ambient normal të hapen të gjitha çështjet etnike. Në atë rast nuk besoj se do të kishte ndonjë problem që të zgjidhen të njëjtat. Përderisa kemi parti me njerëz të korruptuar dhe inkriminuar, nacionalizmi dhe patriotizmi do të përdoren vetëm si mbrojtje për aktivitetet e tyre të pista.”

 

Xhevdet Hajredini
Xhevdet Hajredini

Xhevdet Hajredini, ish politikan

“Nëse analizohen pikat e Platformës Shqiptare, realizimi i tyre mund të arrihet pa Nikolla Gruevskin në Qeveri, kurse me prezencë të tij do të jetë e pamundur. Duhet të kuptohet se Platforma Shqiptare nuk është e parealizueshme, dhe nëse BDI-ja do të tregohej e përkushtuar për çështjen shqiptare ajo do duhej të ishte realizuar deri më sot dhe, për këtë BDI duhet të kërkojë falje nga shqiptarët”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button