Haradinaj: Serbia le të më ndjek sa të jam gjallë, por unë dhe shqiptarët kurrë nuk do nënshtrohemi (VIDEO)

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për atë që ka ndodhur dje në Colmar të Francës, ku është mbajtur seanca që e la të lirë me kusht ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit e ish-kryeministrin e Kosovës, shkruan Koha.net, përcjell Portalb.mk.

 “Ne kemi paraqitur qëndrimet tona për pavlefshëmërinë e fletëndalimit dhe lirimit me kusht. Nuk u shqyrtua pavlefshmëria për shkak se pala serbe nuk ka paraqitu akoma argumentet veta, por u pranua kërkesa jonë për lirim me kusht. E dhashë mendimin tim se ky është një abuzim në emër të ligjit nga Serbia”, ka thënë Haradinaj, teksa ka konfirmuar se fjalën e tij në Gjykatë e ka thënë në frëngjisht.

Haradinaj ka treguar se “ka udhëtuar në Gjermani, Austri, Zvicër, e vende të tjera të BE-së”.
“Të gjitha e kanë anuluar dhe nuk kam pritur që Franca të veprojë kështu. Ishte befasi dhe ky veprim është joligjor dhe i padrejtë. Kam qenë në Francë në shumë vende të BE-së nuk ka ndodh ndalimi. Më është shpjeguar se ka ndodhur një riaktivizim në INTERPOL me kërkesë të Serbisë, por ky ndalim është i kërkuar nga Serbia që nga 2004, por këto argumente janë shqyrtuar nga Tribunali”, ka thënë Haradinaj.

Kur ka folur për deklaratën se “Serbia do ta ndjekë sa të jetë gjallë”, Haradinaj ka thënë se “Serbia mundet të më ndjek, po Serbia duhet ta dijë që këta që janë sot në pushtet në Serbi janë hyzmeqarë”.

“Ivica Daçiq është hyzmeqar i Millosheviqit, ja ka mbajt çadrën, Vuçiq dhe Nikoliq i kanë ndejt gatitur Sheshelit. Unë s’kam mbajt çadra por i kam mbajt veglat e mija kundër tyre. Njëjtë sa të më ndjekin, as unë kurrë s’do t’i nënshtrohem Serbisë e as shqiptarët nuk do t’i dorëzohen serbëve. Duhet të mësohen të jetojnë me neve, si janë mësuar me jetu me kroatët, që ju kanë dhënë leksion të mirë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se në rrafshin personal nuk ka vërejte me mënyrën se si ka vepruar shteti gjatë këtyre ditëve.
“Është me rëndësi të them që konsulli i Kosovës ka qenë shumë korrekt, ambasadori (Qëndrim) Gashi shumë korrekt, ministri i jashtëm. Nuk kam vërejtje në aspekte personale. Por, Prishtina zyrtare është shumë e dobët në marrëdhënie me Serbinë, janë vërtet shumë të dobët”, ka thënë Haradinaj, përcjell Koha.net. “Duhet të marrim shembull Kroacinë për reciprocitet me Serbinë. Kroacia është vend evropian në NATO dhe ka pas guxim me bo reciprocitet me Serbinë e është shpërblyer. Edhe Kosova duke mos u tërhequr nga ambiciet evropiane duhet të guxojë të vendosë reciprocitet me Serbinë”.

Haradinaj i ka komentuar edhe protestat që po mbahen gjatë këtyre ditëve anekënd botës në përkrahje të tij.
“Ato nuk po mbahen veç për mua, por për të drejtën e shqiptarëve. Ata që shkaktuan gjenocidin dhe luftërat po vazhdojnë të tallen me popujt viktima, me shqiptarët. Shqiptarët me të drejtë po reagojnë. Jemi njerëz të gjallë që e mbrojmë veten tonë. Më kanë bërë me u ndi shumë krenarë, veçanërisht sot në sallë, prezencë e shumë shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.

Ka shprehur siguri se do të kthehet në Kosovë. Por nuk ka mundur të saktësojë se kur do të ndodhë kjo.
“Kjo ka vetëm një epilog për të mbyllur këtë procedurë, nuk kam asgjë për t’u ndier në faj. Një e padrejtë e re që po ndodh ndaj meje. Kjo vetëm ka me u kthy në motiv për të punuar më shumë”, ka thënë Haradinaj. “Ne jemi krenar që jemi çliruar në vitin 1999 edhe me ndihmën e NATO-s e të prirë nga Amerika. Nuk lejojmë Republika Srbska në Kosovë. Kemi me i mësuar fqinjët tanë të respektojnë shqiptarët”, ka shtuar më tej ai, duke shprehu bindjen edhe se emri i tij do të hiqet nga lista e INTERPOL-it.

Haradinaj nuk ka dashur të komentojë deklaratat e kreut të shtetit Hashim Thaçi, se bileta për në inaugurimin e presidentit Trump mund të blihet 500 dollarë, duke aluduar në ftesën që Haradinaj thoshte se e kishte për këtë ceremoni.
“Mendoj se zoti Thaçi është në një sezon të veten për të cilën s’kam koment. E ka një sezonë të tillë që nuk ja vlen me e komentu”,ka thënë Haradinaj, që shpreson të jetë në Washington.

“Duket e vështirë që do të shkoj për shkak se procedurat mund të zgjasin edhe një javë. Shpresoj të jem në Washington. Është nder për Kosovën kushdo i yni që shkon në Washington”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button