Maqedoni, paratë e partive politike – tjetër në raport, e ndryshe në praktikë!

Ajo çfarë shihet në praktikë nuk përputhet me atë që partitë politike e shkruajnë në raportet e tyre financiare. Mungojnë shumë detaje që të themi me siguri se sa dhe a kanë qene transparente partitë politike të Maqedonisë dhe aq më pak a janë dënuar shkelësit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Publicitete të shtrenjta mediale, material i shumtë promovues, mitingje ku me autobusë u sollën njerëz nga qytetet e tjera, marrje me qira të hapësirave, këngëtarë dhe aktorë të cilët zbavitën anëtarësinë, e gjitha kjo duhet të paguhet. Fushatat zgjedhore dukeshin të shtrenjta, por si paraqiten ato në raportet financiare të partive? Njohësit e kësaj fushe dyshojnë në besueshmërinë e raporteve.

Raportet financiare për atë se si partitë i kanë shpenzuar paratë gjatë kohës së fushatës zgjedhore nuk e tregojnë pasqyrën reale, thotë ish anëtari i Komisionit për antikorrupsion, Arif Musa. Ai shton se ajo çfarë shihet në teren nuk përputhet me atë çfarë është paraqitur në raportet e insitucioneve kompetente, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“Në përgjithësi, shpenzimet janë dy ose tre herë më të larta nga ajo që partitë politike i tregojnë si shpenzime dhe të ardhurat.”

Enti shtetëror për revizion duhet ti tregojë mangësitë e raporteve financiare dhe të japë urdhër tek institucionet tjera për kontroll të parave të shfrytëzuara. Por ka një anomali në raport me atë se sa Enti përpiqet që raportet e tij të rishikohen profesionalisht nga institucionet e tjera, veçanërisht nga Prokuroria dhe Drejtoria e hyrave publike, thotë Musa. Ai përsëriti qëndrimin se kemi regullativë të mire dhe se ligjet duhen vetëm të zbatohen.

“Dënimi i shkelësve të ligjit, keqpërdorimit të detyrës dhe kompetencës, veçanërisht nga ana e organeve shtetërore, duhet të shkojë deri në fund, duhet të ketë epilog, por jo, veçanërisht Prokuroria dhe Drejtoria e të hyrave publike nuk ka ngritur procedurë kundër funksionarëve të lartë, që do të thotë nuk e kanë ndjekur raportin deri në fund”, thotë Musa.

Ai shton se mosndëshkimi i funksionarëve të cilët kanë shkelur ligjin nxit edhe njerëzit e tjerë të pozitave më të ulëta që të ndjekin shembullin e tyre.

Ana Janevska Deleva nga “Transparency International Macedonia” thotë se për dallim nga viti 2011 kur filluan ti ndjekin raportet financiare të partive, ka një përmirësim.

“Edhe pse raportet u publikuan, edhe kësaj radhe transparenca nuk është në nivel të lartë dhe nuk respektohen ligjet. Raportet nuk janë mjaftueshëm të detajuara që të mundemi ne si vëzhgues të tërë procesit të themi me siguri se sa dhe a kanë qenë partitë transparente.” thotë ajo.

Prej raporteve nuk mund të shihet në çka janë shpenzuar paratë dhe sa shpenzime janë të paraqitura realisht, kurse partitë në qeverisje kanë fuqi të përdorin të mirat e shtetit dhe të japin shërbime për kompanitë.

“Meqë partia në qeverisje e ka pushtetin, ndër të tjerash e ka edhe tërë mundësinë që ti shfrytëzojë edhe komunat, por nuk mund të thuhet se raportet kane qenë të besueshme sepse mund ti shfrytëzojnë edhe të mirat e tjera të cilat i ofron edhe vetë shteti, si mjete nga buxheti, siç janë benzina, transporti… këtu ndoshta ka edhe njerëz të drejtë, respektivisht firma të cilët më vonë do të fitojnë diçka prej atyre që do të vijnë në pushtet, si furnizime publike, tendere, lirime etj.” thotë Janevska Delleva. Ajo shton se duhet të presim për raportin e Entit për revizion që të shikohet se si partitë e kanë shfrytëzuar minusin e bilancit dhe si i kanë shpenzuar paratë për zgjedhje.

Organizatat e vendit të cilat ndjekin procesin zgjedhor thonë se mangësitë e mëhershme e karakterizuan edhe këtë proces zgjedhor. Pas zgjedhjeve prej “Transparency International Macedonia” thanë se partitë gjatë kohës së zgjedhjeve për fushatën e tyre zgjedhore kanë shpenzuar dy herë më shumë se ç’kishin të ardhura prej donacioneve.

Në raportin fillestar të pas-zgjedhjeve, përsëri nga OSBE-ODIHR potencuan se rregullativat janë gjithëpërfshirëse, por transparenca është zvogëluar për shkak të mos ekzistimit të përgjegjësisë së pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të paraqesin me raporte certifikatat dhe llogaritë bankare.

“Raportet e sjella prej pjesëmarrësve në procesin zgjedhor më 1 dhe 10 dhjetor tregojnë tejkalime të rëndësishme të buxhetit, veçanërisht nga VMRO-DPMNE”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button