fbpx

Zyrtare: “Jahja Kemal” as në kaos e as mbyllet, punon normalisht

Shtatë shkollat në Maqedoni që i takojnë rrjetit “Jahja Kemal” nuk planifikojnë të mbyllen konfirmojnë për Portalb.mk nga përfaqësia e shkollës në fjalë si dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Sipas tyre, inspektorati arsimor dhe Qeveria nuk kanë asnjë argument të vlefshëm për të mbyllur shkollat ndërsa mësimi tani më zhvillohet në mënyrë të rregullt në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Strumicë, njofton Portalb.mk.

Spekulimet mediale në Maqedoni se shkollat do të mbyllen dhe se ka panikë te prindërit duke i çregjistruar u përhapën pas puçit shtetëror në Turqi. Për “Jahja Kemal” shkruhej se është e lidhur financiarisht dhe shpërndan ideologji politike dhe islamiste të lëvizjes së Fetullah Gylen, të cilin Turqia e akuzon për terrorizëm. Për këto arsye, shkruhej që Turqia ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë të mbyllë shkollat.

Qeveria e ka diskutuar këtë çështje pas dyerve të mbyllura, pohoi për Alsat-M, ministri i jashtëm Nikolla Poposki, mirëpo se çfarë vendimi është marrë, asnjëherë nuk u bë publike.

Nga ana tjetër, publikisht prononcohet vetëm MASH që thotë se shkolla nuk do të mbyllet sepse nuk ka asnjë argument për ta mbyllur duke mos përmendur aspak mbledhjen e Qeverisë. Dy zëdhënësit e Qeverisë për Portalb.mk shprehen se përderisa Qeveria nuk ka dalë me vendim, vlen deklarata e MASH-it.

“E përsëris atë që e ka thënë ministri Pishtar Lutfiu, nuk do të mbyllen shkollat “Jahja Kemal” sepse nuk ka asnjë bazë për tu mbyllur. Asgjë më shumë nuk komentojmë” tha për Portalb.mk, Safet Neziri nga MASH.

Surija Tauk, zëdhënësi i “Jahja Kemal” thotë për Portalb.mk se shkolla do të padisë të gjitha mediat dhe personat që përhapin spekulime dhe dëmtojnë imazhin e shkollës.

“Të pavërteta janë shkrimet se prindërit masovikisht lëshojnë shkollën tonë dhe se shkollat do të mbyllen. Njësoj janë të pavërteta informatat që ne kemi lidhje me Fetullah Gylenin. Ne as kemi lidhje financiare me të, nuk kemi marrë as donacione nga to e as predikojmë ideologji fetare radikale. Ne vetë-financohemi që nga ekzistimi i jonë në Maqedoni ndërsa kemi 5 pronarë që nuk kanë lidhje me atë person. Prindërit i kanë sjellë fëmijët në shkollë dhe mësimi rrjedh rregullisht si po e shihni. Sukseset tona janë të njohura në vend dhe ndërkombëtarisht” tha Tauk.

Ai thotë që nga 2 mijë nxënës në shkollat e tyre sivjet janë larguar vetëm 29 nxënës. Në vendin e fëmijëve të larguar kanë ardhur të tjerë, shprehet ai.

“Prindërit që i kanë larguar fëmijët e tyre kanë pasur presion nga Qeveria e Turqisë për tua ndërprerë biznesin e tyre në Maqedoni. Ky problem ishte më i theksuar në Gostivar ku u larguan 20 nxënës sepse atje kanë më shumë biznese me Turqinë. Disa të tjerë janë larguar për arsye krejtësisht tjera. Domethënë që nuk ka largim masiv e as kaos te ne. ” tha Tauk.

Ai tha se nuk kanë pasur asnjë paralajmërim nga Ministria për mbyllje të shkollës, madje e kundërta kanë marrë konfirmim që të fillojnë me vitin e sivjetshëm shkollor.

“Nëse merret vendim për mbyllje të një shkolle duhet të ketë argumente që dëshmojnë shkelje në atë shkollë. Ne nuk kemi bërë asnjë shkelje, Inspektorati na vlerëson punën me notën më të lartë, disa vite me radhë. Andaj nuk ka asnjë logjikë të flitet për mbyllje dhe kjo s’është në plan”, tha Tauk.

‘Jahja Kemal’ ka 7 shkolla në Maqedoni: Në Shkup ka dy, në Tetovë dy, në Gostivar, Strugë dhe Strumicë ka nga një. Mësimi zhvillohet nga çerdhja, shkolla fillore dhe shkolla e mesme.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close