Rasti i Almirit të vogël, famijlarët apelojnë për qetësi

Nëpër rrugët e Kumanovës thjeshtë nuk mund të takosh njeri që të mos ketë dëgjuar për vdekjen e 4 vjeçarit e të mos jetë në gjendje të shprehë pikëllimin që ndjente. Almir Aliu ditë më parë u godit qëllimisht nga Boban Iliç, pas një zënke banale me të atin e fëmijës afër Spitalit të Kumanovës. Ndërkohë që Kumanova shquhet për bashkëjetesën e qetë të popullatës që i përket komuniteteve të ndryshme etnike e religjioze, banorët mendojnë se rasti ishte fatkeqësi dhe se nuk mund të kishte për bazë urrejtjen ndër-etnike. Ndërkaq kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, thotë që Komuna merr masa të mos ketë incidente ndër-etnike pasi që sot janë paralajmëruar protesta.
Për versionin në gjuhë maqedonase kliko: KËTU

LEXO:Iu dha lamtumira e fundit Almirit të vogël, mijëra persona në varrim (FOTO-VIDEO)
LEXO:Kumanovë, paralajmërim për Marsh protestues

Familjarët e të ndjerit në bisedë me gazetaren tonë bënë të ditur se nuk duan që rasti të partizohet, që dikush t’i vizitojë ata për poena politike. Ata nuk janë pro protestes, e cila sipas tyre, do të mund të nxiste incidente të mëtutjeshme apo urrejtje ndër-etnike.

“Me të vëretë ky është rast tejet i rëndë, që vështirë përballohet… Almiri me të vërtetë ka qenë fëmijë i ëmbël. Ishte e pashmangshme të kishe kontakt me të, reagimet e tij ishin impresionuese. Kjo na e ka shtuar më shumë dhimbjen.”-hapi zemrën një i afërt.

“Konflikti mes Sedat Aliut, babait të Almirit dhe të akuzuarit kishte filluar në spital, ata nuk ishin njohur më parë. Incidenti ishte momental, për shkak se Sedati ia lëshoi rendin një gruaje më të moshuar dhe nuk kishte të bënte aspak me urrejtje ndër-etnike apo diçka të ngjajshme. Nuk ka nevojë për protesta. Ajo që kishte për të ndodhur ndodhi më. Ne nuk kemi punë me atë që e shkeli Almirin, me të ka punë shteti. Ia kemi lënë gjykatës, gjykata ta vendosë drejtësinë në vend.” thonë familjarët.

Vdekja e Almirit i ka pikëlluar të gjithë qytetarët

Në pyetjen e Portalb-it se a mund që rasti ta rrezikojë këtë bashkëjetesë, qytetarët ndajnë mendime të ndryshme: disa kanë frikë se mund ta rrezikojë ndërkohë që të tjerët janë të bindur se as ky rast dhe as ndonjë rast tjetër i ngjajshëm nuk do të ndikonte në raportin e tyre me bashkëqytetarët e komunitetit tjetër etnik.

 “Mendoj se ky rast nuk ka ndodhur rastësisht, por është pasojë e pasivitetit të politikanëve tanë. Ata është dashur vazhdimisht të punojnë që qytetarët e thjeshtë të dijnë ta respektojnë njëri-tjetrin, të sillen në mënyrë të ndërgjegjshme. Sa e dij, sipas ligjit përkatës vetëm për një shuplakë parashihet dënim prej rreth 500 eurove. Sikur ky ligj të respektohej njësoj si për ata edhe për ne më ndryshe do të ishte gjendja: Secili do ta kontrollonte vetveten para se të ngriste dorë mbi dikë tjetër e lëre më të bënte ndonjë vrasje.”-tha M.A, 44 vjeçar, “Kjo ndodh sepse nuk dënohen të gjithë njësoj, d.m.th. nuk dënohen ata që e kanë ‘shpinën të fortë’.”

 “Kam dëgjuar se fatkeqësisht ndodhi më e keqja. Nuk besoj se e rrezikon, se këto ndodhin edhe në vende tjera. Nuk domethënë se një rast i prek të gjithë. Ajo ka ndodhur rastësisht, të themi, është takuar me një psikopat. Ka mundur të më ndodhte edhe mua.”-tha Avni Rrahmani, mik i familjes Aliu “Raportet me bashkëqytetarët maqedonas i kam të mira. Por thash, mund të ndodh që të takohesh me ndonjë person që nuk e do as nacionalitetin  e vetë e jo më të tjerët.”  

“Rasti i Almirit mund të jetë edhe fatkeqësi momenti, por mund të jetë edhe diçka e përgatitur. Sipas rasteve të fundit që kanë ndodhur në Kumanovë besoj se ka qenë e përgatitur.”-tha Alban Krasniqi, i cili i pyetur nëse rastet e përmendura mund ta cenojnë bashkëjetesën shtoi “Është një gjë që nuk harrohet asnjëherë 9 Maji, e cila e ka tronditur jo vetëm popullin shqiptarnë Maqedoni, por gjithë botën, gjithkund ku ekzistojnë shqiptarët.”

“Jemi mërzitur shumë me thënë të drejtën. Por ç’të bëjmë?! Kjo ka ndodhur papritur, ka qenë aksident momenti.” –tha Visar Alimi, adoleshent i cili mendon se incidenti mund ta cenojë bashkëjetesën, pasi sipas tij shqiptarët dijnë të falin por maqedonasit janë më ndryshe. Megjithatë ai ka miq të etnive tjera, me të cilët ka raporte shumë të mira.

“Në lajme dëgjova. Nuk besoj se është në baza etnike. Mendoj se ai njeri që e ka bërë atë vepër është i papërllogaritshëm, pra sipas meje është i sëmurë. Një gjë të tillë vetëm një njeri i sëmurë mund ta bëjë.”-tha Suzana Angelovska, e cila beson se ngjarja mund ta rrezikojë bashkëjetesën, “Punoj në barnatore private, me shqiptarë punoj tashmë 20 vite. Raportet më të mira të mundshme i kam me ta, shumë… Po, besoj se mund të rrezikohet bashkëjetesa. Kemi njeri të sëmurë, por mund të vijë deri tek një situatë e tillë për fat të keq. Megjithatë mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të gjejmë forca të gjithë e ta tejkalojmë.”

“Nuk e njoh, por dëgjova në mediume të ndryshme dhe në internet për vdekjen e tij. Është vërtetë tragjedi!”-tha Nenad Dimkovski, 22 vjeçar “Jo, nuk ishte për shkak të urrejtjes ndër-etnike, por ishte fatkeqësi. Kjo nuk do ta rrezikojë bashkëjetesën, unë të paktën kështu mendoj. Shpresoj që ky të jetë i pari dhe rasti i fundit i këtij lloji. Pa dyshim se kam shokë dhe fqinj shqiptarë dhe mund të them çdo gjë të mirë për ato me të cilët njihem, ka njerëz të drejtë në mesin e tyre. Kjo ngjarje nuk do ta prish raportin mes nesh.”

Damjanovski: Nuk ka vend për tensione etnike

Komuna e Kumanovës
Komuna e Kumanovës

“Këshilli preventiv për siguri është këshill që e formon komuna, në të merr pjesë prokuroria, policia, këshilltarë, organizata joqeveritare etj. Ky ka rol preventiv. U mblodhëm që të caktojmë çfarë kuptimi t’i jepet këtij rasti, që të mos del nga kontrolli dhe të mos ketë tensione etnike. Përndryshe këtu kemi gjendje ku janë rrahur dy grupe, që patën një lloj konflikti fatkeq, ku ka ardhur njeriu e ka shkelur fëmijën dhe ia ka marrur jetën. Ai është në paraburgim, do të ketë vendim gjyqësor.”-deklaroi Kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, ndërsa i pyetur nëse do të kërkojnë dënim maksimal, u shpreh “Kush të kërkojë?! Këtë duhet prokuroria ta kërkojë. Ne kemi vetëm rol preventiv, nuk gjykojmë, nuk kemi role gjyqësore. Marrim masa që mos të ketë tensione ndër-etnike. Përndryshe në këtë gjendje nuk mund të prejudikojmë çfarë do të jetë dënimi.”

“Mendoj se është në pyetje konflikt mes dy personave, mes dy grupeve dhe nuk ka asnjë lloj baze etnike, kur e dijmë se në vendin e ngjarjes ndodhi një grindje mes dy qytetarëve. Pra nuk ka pasur mosmarrëveshje në baza etnike. Mendoj se nuk ka vend për tensione etnike, sepse bëhet fjalë për një padurim mes tyre që ndodhi në shtëpinë e shëndetit dhe përfundoi me epilog të keq.”-shtoi ai pas pyetjes nëse incidenti mund ta rrezikojë bashkëjetesen në vend.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button