“Ndalesa e mallrave nga Shqipëria e Kosova, veprim i dyshimtë dhe i gabuar i Maqedonisë”

Ditë më parë në kufirin Bllatë midis dy Dibrave u ndaluan kamionë me prodhime bujqësore të Shqipërisë, nga ana e autoriteteve maqedonase. Nga autoritetet e Maqedonisë deklarojnë se ndalesa është bërë për kontrollim të shtuar, kurse nga autoritetet e Shqipërisë ky veprim paraqet shkelje të marrëveshjes CEFTA. Njohësi i çështjeve ekonomike, Abdylmenaf Bexheti deklaroi për Portalb se veprimi në fjalë është i dyshimtë dhe i gabueshëm, cilidoqoftë motivi pse bëhet një gjë e tillë, njofton Portalb.mk.

I pyetur nëse është shkelur Marrëveshja në fjalë, Naim Vrenezi, zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë tha: “Marrëveshja nuk është shkelur, kemi lëshuar informacion gjatë ditëve të kaluara, agjencia për ushqim ka shtuar kontrolle nëpër vendkalimet kufitare.”

Sipas tij nga 11 kamionat që janë ndaluar, 9 janë lëshuar menjëherë ditën e nesërme dhe po i presin rezultatet e kontrolleve fito-sanitare të produkteve të hershme bujqësore për dy kamionët tjerë, ndërsa theksoi “Momentalisht nuk ka kurrëfarë ndërprerje të tregtisë në kuadër të Marrëveshjes CEFTA.”

Por sipas Ministrit të bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti edhepse kamionët janë lëshuar, vetë ndalimi paraqet shkelje të marrëveshjes CEFTA. Sipas tij, këto veprime bien ndesh me frymën e bashkëpunimit dhe njësimit të standardeve.

Ky rast nuk është i pari. Njëjtë ndodhi disa muaj më parë, kur me ndërhyrjen e ish-ministrit të Ekonomisë, Bekim Neziri, situata u normalizua dhe u hoq bllokimi.

Sipas ekonomistit, Abdylmenaf Bexheti i cili flet për Portalb.mk në parim në çdo vend-kalim kufitar duhet të ketë edhe kontrolle të natyrës së cilësisë për të gjitha mallrat, veçanërisht kontroll fito-sanitar (për aspekt shëndetësor). Në rast se vërtetë konstatohet se në ekzemplarët që janë marrë në laboratoriume ka tejkalim të standardeve që përmbajnë helme, pesticide apo forma tjera sigurisht që ajo është gjithmonë e arsyeshme.

“Asnjë marrëveshje për shkëmbim tregtar, nuk përjashton mundësinë e kontrollit dhe nuk ka CEFTA ndonjë mundësi specifike.”- theksoi Bexheti, “Por nuk ma merr mendja se Maqedonia në kushte të rrënimit institucional e ka arritur atë standard të kontrollimit të mallrave bujqësore të hershme, si trangujt, domatet apo të ngjajshme.”

Sipas tij është indikative, respektivisht e dyshimtë pse kjo ndodh kohë pas kohe vetëm në kufijtë me Shqipërinë dhe me Kosovën dhe pse pikërisht kontrollohen ato lloje të prodhimeve, që prodhohen edhe në vend e që lënë dyshim se tentohet të mbrohen prodhimet vendore,
“Është indikative pse gjithmonë në pranverë po bëhen shantazhe, gjithmonë me prodhime bujqësore, gjithmonë këto qenkan problem kur importohen nga Shqipëria, për shkak se të njëjtat prodhime përafërsisht i keni edhe nga vendi, veçanërisht nga Maqedonia jugore.”

“Mendoj se Maqedonia e ka shumë gabim këtë veprim që bën, për dy arsye: Kosova dhe Shqipëria krahas Gjermanisë janë vendet e vetme me të cilat ajo ka një teprim shkëmbimi tregtar, pra ka një suficit, që neutralizon deficitin e madh struktural që e ka me të gjitha vendet në rajon dhe më gjërë; Dhe e dyta, në vend që të punohet në avansimin e kësaj marrëdhënieje, që të ekuilibrohen bilancet tregtare, se vetëm atëherë mund të jenë të qëndrueshme, ajo po bën obstruksione me të cilat në pamundësi të rrit eksportin e vetë, tenton ta zvogëlojë importin nga Shqipëria dhe Kosova.”-sqaroi Bexheti.

“Kompetentët në këtë rast: Ministria e ekonomisë dhe institucionet fito-sanitare, Instituti i veterinerisë në Maqedoni do të duhet të japin dëshmi relevante se a punohet vërtetë për ndonjë tejkalim të gjithë standardeve shëndetësore apo kjo është vetëm një alibi për të penguar këtë shkëmbim!”-porositi ai./Portalb.mk.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button