Gjykata Themelore e Tetovës rrëzon paditë penale kundër Jugohrom-it!

U bënë 9 muaj që kur OJQ “Eco Guerilla” dorëzoi në Gjykatën e Tetovës padinë penale kundër fabrikës metalurgjike “Jugohrom”. Të pyetur nga Portalb anëtaret e kësaj organizate thonë se nuk kanë fare dijeni në lidhje me atë se çfarë është bërë me padinë e tyre.

Arianit Xhaferi – Kryetar i “Eco Guerlla”, tha: “Nuk di asgjë në lidhje me padinë që kemi dorëzuar. Nuk jemi të njoftuar nga askush”.

Ndërsa në emisionin “200”  të transmetuar nga “Alsat-M” ku u fol për problemin e ajrit në Tetovë edhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, preku çështjen e padisë kundër “Jugohrom-it”. Mes tjerash Arifi tha:

“Kur e kemi ngritur idenë për të inicuar një padi penale për Jugohromin ne si komunë, unë i kam thirrur përfaqësuesit e shoqatave “Eco Guerilla” dhe “Nëna dhe Fëmija”, kemi krijuar grup pune, por ata kanë parë të  arsyeshme që më tutje të mos vijnë në grupin që e kemi koordinuar ne”.

Ndryshe, përveç padisë penale të ngritur nga ana e OJQ-së  – “Eco Guerilla”, kundër “Jugohromit” padi penale ngriti edhe partia maqedonase DOM.

Portalb, bisedoi me zëdhënësin e kësaj partie, Toni Ristov në lidhje me atë se çka është bërë me padinë e tyre.

“Padia jonë u rrëzua nga Gjykata Themelore e Tetovës. Pas asaj ne jemi ankuar por na është rrëzuar edhe ankesa”, tha Ristov.

Ai më tej theksoi se masat që do të ndërmerren në të ardhmen nga DOM varen drejtpërdrejt nga ajo se si do të shkojnë punët me fabrikën “Jugohrom”.

Portalb u interesua edhe në Gjykatën Themelore të Tetovës për dy paditë e ngritura kundër “Jugohrom-it”.
Nga shërbimi për mardhënje me publikun, Elizabeta Nedanovska u përgjigj kështu:

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Tetovë veproi ndaras në dy rastet e padive penale. Padia penale e bërë nga partia politike DOM është refuzuar me Vendimin e prokurorisë më 05.12.2015, për shkak se afati i vënies së filtrave në fabrikën ‘Jugohrom’ është prolonguar nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë deri më 31.10.2016.
Për të njëjtat shkaqe është refuzuar edhe padia penale e bërë nga ‘Eco Guerilla’ më 21.08.2015”.

Ndryshe, fabrika metalurgjike “Jugohrom” është mbyllur më 31.12.2015 dhe sipas drejtorit teknik të saj –  Slavko Stojçevski ajo nuk do të punojë deri në fund të këtij muaji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button