Zgjedhjet do të shtyhen?!

Vendimin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë që të qëndrojë në Qeveri derisa të hyjë në fuqi shpërbërja e Parlamentit- 24 shkurt, analistët e shohin si hapësirë që zgjedhjet të shtyhen dhe të krijohen kushte për zgjedhje kredibile, raporton Portalb.

“Mendoj se ka hapësirë që të arrihet marrëveshja për datën e zgjedhjeve para se vendimi për shpërbërjen e Parlamentit të hyjë në fuqi. Është mirë që deri më 24 shkurt të tentohet të ketë një konsensus për zgjedhjet dhe të njëjtat të mbahen pas implementimit kualitativ të Marrëveshjes së 2 Qershorit/15 korrikut. Kjo me qëllim që të jenë kredibile dhe të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit në ato zgjedhje”, shprehet për Portalb analisti Xhelal Neziri.

Hapësira kohore deri më 24 shkurt, për ish kryeparlamentarin Stojan Andov, është tregues se ka mundësi që të ndryshojnë vendimet qoftë të opozitës po ashtu të partive në pushtet që vendosën për shpërbërjen e Kuvendit.

“Në realitet me një vendim të këtillë janë dhënë dy mundësi. E para është që shumica që e ka dhënë këtë vendim që deri me datë 24 shkurt të mendohet dhe ndryshojë këtë vendim dhe nëse merren vesh të sjellin vendim tjetër, pra kjo vlen nëse anulohen zgjedhjet, nëse nuk kemi ndonjë marrëveshje, atëherë do të duhet që të mendohet që opozita të merr një vendim se a do të merr pjesë në zgjedhje dhe për këtë rast opozita e ka marr një vendim që të qëndroj në qeveri deri me 24 shkurt”, deklaroi për Alsat-M Andov.

Ndryshe, Komisioni Evropian përkujtoi partitë politike se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos ka rëndësi të madhe për kthimin e Maqedonisë drejt rrugës euro- atlantike.

“E kemi parasysh dorëheqjen e ish kryeministrit dhe inkurajojmë qeverinë që të zbatohen jo vetëm marrëveshja politike, por edhe reformat tjera urgjente. E kemi parasysh vendimin e Parlamentit për shpërbërjen muajin e ardhshëm, me qëllim që të mbahen zgjedhjet sipas marrëveshjes politike më 24 prill, por gjithashtu përkujtojmë se mbajtja e zgjedhjeve kredibile përfshin zbatimin e reformave të patjetërsueshme. Presim të gjitha partitë politike dhe organet e shtetit të bashkëpunojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe menjëherë të sigurohet mbështetja e nevojshme e KSHZ-së, me qëllim që të organizohen zgjedhje kredibile” deklaroi Kocijançiq duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar nuk do të ketë dyshime që të shpreh shqetësimin e saj për përgatitjen e zgjedhjeve dhe sjelljen gjatë fushatës  parazgjedhore.

Kocijançiq tha se Brukseli vlerëson se ka hapësirë dhe kohë që të zbatohen reformat e nevojshme zgjedhore, me qëllim që të ketë zgjedhje korrekte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button