Kumanovë: Në rritje të vazhdueshme numri i pacientëve me diabet

Numri i pacientëve me diabet është në rritje të vazhdueshme. Kjo sëmundje paraqitet te të gjitha moshat, për shkak të: mos-aktivitetit fizik, ushqimit, stresit; ndërsa trajtohet me: dietë, tableta dhe insulinë,  njoftojnë për Portalb nga Qendra për diabet, në Kumanovë. Sipas pacientëve, kjo sëmundje paraqet shqetësim të vazhdueshëm.

“Nuk mund të thuhet se diabeti është shndërruar në epidemi, por numri i pacientëve të sëmurë nga diabeti është në rritje të pandërprerë.”-deklaroi D-r. Ismail Bajrami, specialist. Sipas tij, pacientët iu takojnë të gjitha moshave, ndërsa më e theksuar është mosha e mesme dhe e vjetër.  

Bajrami foli për arsyet e paraqitjes së sëmundjes në fjalë, duke thënë: “Në paraqitjen e diabetit luajnë rol elementet gjenetike, çka d.m.th. se është më e madhe mundësia e paraqitjes së diabetit te fëmijët, prindërit e të cilëve kanë diabet. Përndryshe kjo sëmundje paraqitet për shkak të mënyrës së të jetuarit, ushqimit, mos-aktivitetit fizik, stresit (problemeve ekonomiko-sociale).”

“Diabeti mund të paraqitet edhe gjatë shtatzanisë, për shkak të ndryshimeve që ndodhin në organizmin e femrave, veçanërisht për shkak të jo-aktivitetit fizik dhe ushqimit.” –tha ai dhe sqaroi se këto raste trajtohen me insulinë. Ai nuk përjashtoi mundësinë që diabeti të ketë efekte negative në fetus, por sipas tij, këto efekte “janë ende të padefinuara” . “Këto femra kanë lindje normale, por zakonisht fryti është më i madh.”-shtoi.

Sipas specialistit, etja, konsumimi i sasisë jo-normale të ujit, urinimi më i shpeshtë, plogështia, humbja e peshës, problemi me shikimin janë disa nga simptomat e kësaj sëmundjeje. Ndërsa sa i përket trajtimit mjekësor ai tha: “Te pacientët që nuk i kanë të larta vlerat e diabetit, kjo sëmundje trajtohet me dietë, që nënkupton largim nga ushqimet e gatuara, karbohidratet dhe ëmbëlsirat si dhe shtim i aktivitetit fizik. Ndërsa dy mënyrat tjera të trajtimit mjekësor janë me tabletë dhe insulinë.” 

“Ka 7 vite që kur jam e sëmurë nga diabeti. 5 vite kam pirë tableta, ndërsa po bëhen dy vite që kur marr insulinë.Sëmundje më të keqe nuk ka: nëse të bie sheqeri, të dridhet tërë trupi dhe mund të alivanoset njeriu pa vetëdije; Po në rast se sheqeri hyp, mund të shkaktojë sulm në tru, apo t’i dëmtojë veshkët.” –tha për Portalb një 48 vjeçare, e cila shtoi “Kur mërzitem hyp e ndonjëherë vetvetiu bie shumë.Por i jam bërë mjek vetvetes, tërë kohën i rrij gati. E marr insulinën me rregull dhe e kontrolloj vlerën e sheqerit sa herë që nuk ndjehem mirë.”

Përndryshe nga Qenda për diabet nuk treguan shifra të rritjes së numrit të pacientëve, me arsyetimin se nuk kanë përpunuar akoma statistikë të re./Portalb.mk

LEXO: Hipertensioni, sëmundja interne më e përhapur në Kumanovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button