Hipertensioni, sëmundja interne më e përhapur në Kumanovë

Një numër i madh i kumanovarëve përballen me të a.q.”Hipertension”, të njohur si “Shtypja e lartë”. D-r. Lavdim Ibrahimi, nga Reparti Intern i Spitalit të Kumanovës konfirmoi për Portalb se Hipertensioni është sëmundja interne më e përhapur në vend, Çdo i dyti pacient ka hipertension! 4-5 pacientë vijnë këtu për raste urgjente çdo ditë, kurse në ambulantat tjera sa shkojnë me hipertension nuk e kam idenë, sigurisht ka shumë!”

Sipas tij,  90-95% të rasteve me hipertension klasifikohen si hipertension esencial (pra e zbulojmë si hipertension por nuk i pararend ndonjë sëmundje tjetër), kurse 5% si hipertension sekundar (që dmth se është shkaktaktuar nga ndonjë sëmundje tjetër si: veshkët, sëmundjet e gjëndrave endokrine etj.) “Hipertensioni shfaqet në të gjitha moshat dhe te të dy gjinitë.”tha Ibrahimi. “Më shpesh shfaqet pas moshës së pjekurisë, duke filluar nga mosha 30-50 vjeçare, kuptohet te pleqtë edhe më shumë, pasiqë enët e gjakut janë më të ngurta. Jo që kemi shumë raste të hipertensionit te fëmijët, por do të theksoja se sipas zbulimeve të reja, ka hipertension edhe në fetus…  Përndryshe deri në moshën 50 vjeçare predominon gjinia mashkullore, pasi te femrat hormonet estrogjene i ruajnë enët e gjakut të organizmit. Ndërsa pas kësaj moshe rastet me hipertension pothuajse barazohen.”-vazhdoi sqarimin specializanti i Mjekësisë Interne.

Simptomat më të shpeshta janë: kokëdhembja, skuqja në fytyrë, marramendja, kollapsi (alivanosja). Sidoqoftë, reagimi i hipertensionit është personal, i ndryshëm në individë të ndryshëm. Kjo d.m.th. se ka persona, te të cilët nuk shfaqen fare simptoma, tensioni i lartë zbulohet nga matja rutinore e shtypjes. Në fakt, “te këto të fundit hipertensioni është më i rrezikshëm”-vlerëson Ibrahimi. Ndërsa pasoja fatale e hipertensionit është gjakderdhja në tru.

“Sigurisht pasi nuk është zbuluar shkaktari kryesor i hipertensionit kjo ka të bëjë me një problematikë multi-disciplinore, multi-faktoriale. Mendoj se këtu luajnë rol gjenet e ADN-së. Por është problem të identifikohet se cili gjen është pararendës i shtypjes së gjakut.”-u shpreh ai.

Përveç terapisë medikamentoze, Ibrahimi sqaron se “Shoqatat kardiologjike ndërkombëtare kanë formuluar të a.q. “Regjim higjieno-dietal”, si terapi jo-medikamentoze. Sipas kësaj terapie rekomandohet ndërrimi i stilit të jetesës: stili i jetesës të jetë më dinamik, të mos jetë shumë i tjetërsuar nga natyra, nga përditshmëria reale. Sugjerohet ecja, së paku 1 orë në ditë. Duhet të gjejmë secili  një mënyrë si të mbrohemi nga stresi (si pikënisës i shumë sëmundjeve)! Ndalohet pirja e duhanit dhe alkoolit; duhet të reduktohet përdorimi i ushqimeve të njelmëta, të yndyrshme, ëmbëlsirat e tepërta, kafja (kafja ndikon momentalisht në ngritjen e shtypjes, por në termine afatgjate nuk ka ndonjë ndikim shumë të madh). Rekomandohet të bëhet matja e belit, pra të mos tejkalohen parametrat e të a.q. ‘Body Mass Index’, në kontekst të paraqitjes së obezitetit. Nëse të gjitha këtyre rekomandimeve iu përmbahemi, shtypja mund të reduktohet për 15-20 mm në shtyllë të zhivës!”

Ndryshe, shtypja e gjakut është forca që gjaku e ushtron ndaj mureve të enëve të gjakut e se këtë shtypje e krijojnë: puna e zemrës si pompë (që e shtyn gjakun dhe shkakton presion), sasia e gjakut (sa më shumë gjak që ka, aq më shumë shtypje e gjakut krijohet) dhe rezistenca(sa më e vogël të jetë hapësira e enëve të gjakut, shtypja është më e madhe).

Përveç hipertensionit, sëmundje tjera të shpeshta për të cilat ankohen pacientët në repartin intern në Kumanovë janë: sëmundja kronike obstruktive e mushkërive (sidomos tani gjatë vjeshtës); Angina petkoris (si dhimbje e shkaktuar nga zemra në kafaz të kraharorit, respektivisht mbyllja e arterieve të gjakut, që njihet si “Para-infarkt”) dhe Infarkti; e Diabeti (Diabetis mulitus), që siç tha Ibrahimi “Dita ditës po merr masa epidemike”. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button