Reagime: MASH po shkatërron arsimin e Maqedonisë

Pas publikimi të paketit të reformave pedagogjike nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), mësimdhënësit e kundërshtojnë krijimin e Akademisë për mësues.

Ata thonë se nëse një kjo masë është e tepruar dhe se nuk është nevoja për një gjë të tillë, mjafton që mësimdhënësit të kontrollohen nga këshilltarët dhe nga inspektorët.

“Kjo masë është e ekzagjeruar, sepse nuk është e logjikshme që mësimdhënësit që kanë me nga 25 vite përvojë pune të hynë tani edhe në Akademinë për mësues. Ne kemi bërë seminare dhe trajnime të shumta. Është një ngarkesë tejet e madhe ashtu siç është edhe testimi ekstern”, tha për Portalb, Selajdin Hamidi, mësimdhënës.

Ai po ashtu kritikoi ashpër edhe testimin ekstern, pasi që sipas tij nuk mund të vlerësohet një mësimdhënës për punën e tij 9 mujore me një testim njëorësh.

“Testimi ekstern është dështim, një mësimdhënës nuk mund të vlerësohet me një testim sepse nota e nxënësit është mesatare me atë që ai tregon në orë të mësimit për 9 muaj. Në testim disa i kap stresi dhe marrin nota më të ulëta, kurse nxënësit e dobët gjejnë mënyrën e kopjimit dhe kështu vlerësohen me nota të larta dhe për këtë dënohen arsimtarët. Kemi ngarkesë shumë të madhe”, tha Hamidi.

“Ky si çdo projekt qeveritarë për avancimin të arsimit, përmban metoda të cilat nuk i njeh shkenca dhe nuk realizohen në vendet perëndimore. Ky është një projekt partiak dhe jo arsimor, sepse ekspert të ndryshëm nuk e kanë mbështetur por ja që gjithçka është politizuar tani edhe arsimi. Jemi dëshmitarë që kohëve të fundit po sjellën ligje dhe vendime të cilët po dëmtojnë rëndë arsimin”, tha për Portalb, Etem Xheladini, mësimdhënës.

Ai po ashtu u ankua edhe për vlerësimin e mësimdhënësve duke thënë që këshilltarët dhe inspektorët duhet të vlerësojnë punën e arsimtarëve dhe jo testimi ekstern.

Testimi ekstern u vërtetua se ishte i dështuar mirëpo mësimdhënësit vazhdojnë të paguajnë dënimet. Këto eksperimente po bëhen për frikësimin e arsimtarëve dhe për grumbullimin e mjeteve nga ana e MASH”, tha Xheladini.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta nuk ishte i kapshëm për Portalb për deklaratë, mirëpo kryetari i LASH-it të Kumanovës, Samet Jahiji tha për Portalb se i mbështet mësimdhënësit të cilët janë kundër këtij vendimi.

“Nëse një student diplomon dhe punësohet ai është i aftë për punë në këtë drejtim, dhe ne mbështesim ata që janë kundër. Ne mbështesim mësimdhënësit shqiptarë, por ja që MASH nuk na përfill fare, mirëpo ne do të reagojmë sepse kjo gjë është absurde i bie si të përfundojnë dy fakultete për tu punësuar në arsim”, tha për Portalb, Jahji.

Po ashtu edhe ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerësoi se kjo Akademi bëhet për të frikësuar mësimdhënësit.

“Aq shumë ndryshime bëhen për ­çdo ditë sa që nuk mund të ndiqen e lëre më të implementohen. Këto janë mekanizma për t’i mbajtur me frikë qytetarët. Akademia e mësuesve është gjithashtu një frikësim sepse thjeshtë qëllimi është të mbahet pushteti përmes frikës”, tha për Portalb, Rushiti.

Ndërkaq para disa ditëve MASH publikoi paketin e reformave pedagogjike ku parashikohet përforcim i kapaciteteve të kuadrove arsimore ekzistuese dhe të ardhshme në arsimin parashkollor, arsimin fillor dhe të mesëm, nëpërmjet krijimit të një Akademie për mësues, përmirësimin e programit arsimor për edukimin e mësuesve, duke futur një sistem të trajnimit të vazhdueshëm.

LEXO MË SHUMË:

Kontrolli mbi mësimdhënësit një farsë që nuk i ndihmon procesit arsimor

Mësimdhënësit ankohen: na bëjnë presion me kontrolle

Inspektorët detyrohen ti dënojnë mësimdhënësit

Inspektorët në teren, mësimdhënësit në ankth

Mësimdhënësit kërkojnë prolongimin e dënimeve nga testimi ekstern

Testimi ekstern sërish lajmërohen dënime ose shpërblime

Testimi ekstern sërish skandaloz!!

Lajme të ngjashme

Back to top button