Inspektorët në teren, mësimdhënësit në ankth

Në shkollat fillore dhe të mesme ka filluar të shpeshtohet vizita e inspektorëve të arsimit, të cilët iu tërheqin vërejtjen arsimtarëve dhe profesorëve për mangësitë në ditarët elektronike.

Gjatë javës që kaloi si dhe gjatë kësaj jave, shkollat u vizituan nga inspektorët të cilët u dhanë afat mësimdhënësve prej një jave që t’i mënjanojnë mangësitë, përndryshe do të dënohen.

Drejtori i shkollës fillore “Liria”, në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur se inspektorët tërhoqën vërejtjen disa mësimdhënësve të cilët kishin mangësi por deri më tani asnjë nga ata nuk është gjobitur.

“Ishin inspektorët i kontrolluan ditarët elektronik dhe bënë një proces verbal dhe kërkuan mënjanimin e gjërave të paplotësuara në ditarët elektronik. Më shumë gabime kishin mësimdhënësit e vjetër të cilët nuk e kanë kuptuar ende punën me ditarët elektronik dhe shpesh herë plotësojnë mendojnë se e kanë ruajtur por automatikisht iu fshihet. Fatmirësisht askush nuk është dënuar por megjithatë shpresoj që mangësitë do të mënjanohen”, tha Sadiku.

Gjithashtu inspektorët kanë vizituar edhe shkollat e Kumanovës, me ç’rast kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të këtij qyteti, Etem Xheladini shton se është e tepër të plotësohet edhe ditari elektronik edhe ai i vjetri.

“Për gjeneratën e re është me lehtë të punohet me ditarë elektronik por për momentin plotësohen dy ditarët dhe për mendimin tim nuk është e nevojshme. Ditari elektronik është i përkohshëm kurse ai i vjetri duhet të jetë prezent sepse ai ruhet në arkiva dhe nuk mund të humbet aq lehtë kurse po gabove, gjitha shënimet do të fshihen në ditarët elektronik. Sipas mendimit tim, ditari elektronik duhet të ekzistojë por vetëm me notat dhe mungesat e nxënësve që të mund t’i shohin prindërit online, e jo aty të shënohen edhe orët edhe mbledhjet dhe shumë gjëra të tjera”, tha Xheladini.

Të njëjtën punë e bëjnë dy herë!

Mësimdhënësja e gjimnazit “Kiril Pejqinoviq”, në Tetovë, Hatije Etemi bën të ditur se për momentin mësimdhënësit janë duke bërë të njëjtën punë dy herë.

“Është e vështirë të punohet kështu, dy herë bëjmë të njëjtën punë, gjë që nuk është e nevojshme. Ishin inspektorët, hetuan disa parregullsi dhe kërkuan që ato të mënjanohen për një javë”, tha Etemi.

Nga ana tjetër zëdhënësi i MASH-it Goran Galevski thotë se inspektorët kryejnë detyrën e tyre dhe se është normale që të sanksionohen ata mësimdhënës që nuk plotësojnë ditarët elektronik.

“Inspektorët janë në teren, gjithashtu edhe ne jemi duke përcjell punën e mësimdhënësve  në ditarët elektronik dhe nëse ata nuk punojnë dhe nuk plotësojnë ditarët, do të dënohen”, tha Galevski.

Ndërkaq gjobat për mos plotësimin e ditarit elektronik fillojnë prej 150 euro, varësish prej mangësisë apo lëshimit që është bërë, kurse kohë më parë burime të Portalb.mk pranë Inspektoratit Shtetëror për Arsim, bënë të ditur se inspektorët janë kërcënuar se nëse nuk ndërmarrin masa kundër mësimdhënësve që shkelin rregullat për përdorimin e ditarit elektronik, të dënuarit do të jenë ata vetë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button