fbpx

AMNISTIA

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

Meqë Krishti e kish paraparë midis gjërave të bekuara, njerëzit e bënë si atribut të kurorës. Prej kah do të kishte mundur të bëjë dritë mëshira përveç se prej froneve të larta mbretërore? Mirëpo popujt të cilët kanë bërë marrëveshje me sunduesit kushtetues, e kanë mbajtur të drejtën e propozimit për vete. Dhe nëse njerëzit vuajnë me të padrejtë nëpër mbretëritë e ndryshme, kjo ndodh me fajin e regjimeve. Kurdo që të ndjekurit u janë drejtuar monarkëve më shpejt janë mbrojtur se sa kur u janë afruar qeverive.

Një ditë u fut në një konak të Beligradit Zhivota Lukiç Markiçeviçi nga Miloshevci, qarku i Smederevës.

– Imzot, tha, unë erdha dhe ta solla kokën time.

– E a e di mirë se çka ke bërë? e pyeti kral Milani.

– E di. E kam futur në vend pretendentin Petar Karagjorgjeviçin, e u desh që para ndjekjeve të kthehemi.

Mbreti u mendua. Pastaj tha:

– Po ta fal. Shko në shtëpi dhe rri urtë.

Dhe tërë jetën ka ndenjur urtë Zhivota Lukiçi nga Miloshevci edhe pse Tasa Milenkoviçi edhe më vonë ia ka gjetur fotografinë në albumet e policisë së fshehtë vjeneze.

Vojislav Gojkoviçi dhe Radoje Jankoviçi iu drejtuan anës tjetër kontraktuese. Prandaj edhe sot kalben nëpër kazamate. Sepse popujt sipas L. Nenadoviçit “dinë vetëm dy shtigje: ose poshtërsisht zvaraniken para teje ose të shkelin llahtarshëm “.

Mirëpo regjimet, të gjitha pa përjashtim, zbuten e bëhen të mëshirshme në ditët parazgjedhore. Prandaj përsëri po flitet për amnistinë dhe prandaj udhëtari i amshueshëm z. Zhika Laziçi përsëri ecën nëpër qytetet e vendit. Duke menduar se kë duhet ta amnistojë – a ata që kanë qenë kundër regjimit ose ata të cilët – së paku si thonë vendimet e gjyqeve – kanë punuar kundër shtetit, zgjedhja ra mbi këta të dytët.

Kështu fitoi edhe një herë filozofia e shëndoshë popullore nga këto anë. Në procese ajo dilte në sipërfaqe në bisedat e thjeshta e të logjikshme me përfaqësuesit e jurisprudencës.

– A ju ke dhënë komitëve bukë?

– Po, zotëri.

– E pse, vëlla,  pashë zotin?

– Po sikur të mos u kisha dhënë do të më kishin vrarë, ju nga ana tjetër do të më çoni në robëri – po gjallë do të mbetem.

– Po do të mbash pranga…

– E do të martohet mbreti, do të gëzohet populli.

Kishin harruar vetëm: “Do të vijnë zgjedhjet”.

Vetëm kështu: rob ndonjëherë, varr asnjëherë.

Njësoj kështu mbroheshin fshatarët, krejt njësoj a ishin patrijarshistë, ekzarkistë, edhe në kohë të turkut. E sollën masën pas luftës në Çellopek, në Skup. Kurse valiu i kishte marrë në pyetje.

– Pse, ore, i keni pranuar komitët serbë?

– E ç’mund të bëjmë ne pa armë, o pasha i nderuar? Forca s’i lutet Zotit. Edhe ti të kishe qenë në vendin tonë, e pushkë mos të kishe pasur, e ushtria të mos të kishte ruajtur, edhe ti do t’i kishe pranuar.

U mendua Hilmi Pasha dhe e lëvizi kokën në shenjë pohimi. Pikërisht edhe ai do ta kishte pranuar edhe Savatin edhe Gjorgje Skoplançen, po të kishte qenë në situatë të tillë.

      2 

Po a kanë qenë të burgosurit kundër shtetit me të vërtetë?

Edhe po, edhe jo.

Pjesa dërmuese s’ka qenë. Ka rënë para terrorit, frikës të lajmërojë, lidhjeve me fshatarët dhe sistemit të vendosur që moti të organizimit të fshehtë. Shumica është popullsi bujqësore, e qetë, paqedashëse, e cila punon tokën e vet dhe mban hallin e vet. S’i shkon mendja asaj për aventura dhe s’çan kokë: u rrëzua Mara a u rrëzua Sara. Dhe me të vërtetë është e interesuar për paqe në shtëpi dhe rreth saj.

Prej asaj pjese, që është, mund të numërohen në gishta ata që në rrugë të keqe i ka shpënë ndonjë bullgarash. Ndjenja e këtillë është e rrallë te fshatarët, sado e pabesueshme të duket kjo  për ata në Sofje. Kurse ata në të gjitha rrethanat tona shikojnë me syzet e emigrantëve. Kurse ky shikim është mjaft i demoduar, i moçëm, për shkak se shumë ujë ka kaluar nëpër Vardar. Ka ndjenjë të tillë aty-këtu në familjet e vojvodëve të komitëve. Përndryshe: ко ми зема мајката, татко ми је(“kush ma merr nënën, baba e kam”. E ka pasur kjo punë.

            Të gjithë të tjerët janë të revoltuar me padrejtësitë, me parregullsitë e pushtetit. Pas luftës në atë gjendje kaotike, veçmas. Më në fund, ajo që ka ndodhur në vitin 1912 edhe të bëhet hallall bën, mirëpo kjo që po ndodh sot, kjo nuk falet. Prapë ka analfabetë në polici, teneqexhi, zdrukthëtarë e abaxhi. Bolshevikët deshën të bëjnë prej tyre oficerë, po nuk patën sukses, prandaj sot në ushtrinë e tyre 70% të oficerëve janë oficerë të carit (lexoje “Ratnikun” e fundit). Kurse ne nuk heqim dorë nga përpjekja jonë që prej tyre të bëjmë policë. Nuk ka dyshim se një njeri i cili duhet ta komandojë grupin prej gjashtë vetash duhet të ketë dymbëdhjetë deri më katërmbëdhjetë vjet shkollë. Kurse ta komandojë një rreth të tërë nuk u dashka shkollë fare, asnjë vjet. Dhe të gjitha profesionet kanë akademi, universitete. Vetëm policia nuk ka. Të gjithë japin provime. Policia nuk jep. Për njëqind vjet të jetës shtetërore askush s’e themeloi ndonjë akademi policore. Pastaj i çojnë këta njerëz ta përfaqësojnë shtetin. Kush është kundër tyre, ai është kundër shtetit. Ka shumë të dënuar të cilët i mundon vreri për këtë arsye.

Në fund kur z. Zhika Laziçi nuk ju lavdërua me rastin e tij në Veles, atëherë ta bëjë këtë unë. Erdhi ky prej dika me një zotëri tjetër për ta përcjellë atë likasin trim të rënë në betejë me kaçakët. Të nesërmen ai ftoi shumë qytetarë të dalluar në bisedë. Iu tha se si shteti bën çmos për sigurinë publike, mirëpo për këtë punë duhet të bëhen edhe përpjekje private. Mirë do të kishte qenë të organizohemi për rezistencë si ata në Bregallnicë.

U ngrit Joca Gjorgjeviçi, drejtor i postës në pension, beligradas (natyrisht kolonizator në tokat shqiptare. Shën. i përkthyesit), e tha:

Nëse kjo që thoni është urdhër, atëherë kjo është një punë, mirëpo nëse organizimi duhet të dalë nga bindja dhe besimi i këtyre njerëzve për të mirën e tyre,  atëherë puna është krejtësisht tjetër. Para së gjithash populli duhet të mbrohet nga kaçakët e privilegjuar. (Gjorgjeviçi i ardhur nga Beligradi bashkë me likasit, shumadijasit e të tjerë nëpër shtëpitë shqiptare, kërkon “mbrojtje” nga kaçakët “e priviliegjuar”. Aq të privilegjuar sa kanë qenë të detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, të dalin në rrugë, në mënyrë që brenda të futen kolonizatorët “e paprivilegjuar”. Shën. i përkthyesit).

– Si, si?

– Epo, vëlla: a ndodhi kjo e kjo punë, a ndodhi ajo tjetra?

I numëronte gjatë e gjatë z. Joca.

– E a s’e rrahu komandanti i stacionit të xhandarmerisë kryetarin e komunës në Stara Popadi, pse s’ia kishte dhënë një litër vajguri?

E kështu nuk themelohet shoqatë.

Pas kësaj të gjithë jemi shëndoshë e mirë. Dhe bëre zot që të kemi jetë të gjatë.

Kur të kthehen ata njerëz nga burgu çka do të sjellin me vete? Do të dinë të bëjnë lugë. Tjetër asgjë. Kurse ata kanë qenë fajtorë politikë dhe atje është dashur t’iu jepet ndonjë farë mësimi. Analfabetët kanë mundur të mësojnë të shkruajnë. Ata të cilët kanë ditur të shkruajnë kanë mundur ta mësojnë historinë, plot këngë popullore dhe të zgjuar të dalin nga muret e burgut. Të tillët nuk do të kthehen. Në fytyrat e secilit nga ata do të qëndrojë pezull pyetja: e pse më burgosën atëherë, pse më lëshuan tash?

Mirëpo henëz duhet të lëshohen. Fushat i presin duart e tyre, familjet e presin praninë e tyre.

Dhe sikur pas burgut të piqen me pritjen e njerëzve të mençur, atëherë do të ishin hequr retë nga koka e tyre dhe do ta kishin pasur të kthjelltë pjesën e mbetur të ditës.

Ajo që ka ndodhur përpara, do t’ia kishin lënë fatit, të cilit nuk i iket dot.

20. – VII. – 924


LEXO PJESËN PARAPRAKE – KONTRAORGANIZATAT E BREGALLNICËS

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close