SHËNIME NGA JUGU

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve. 
Libri është botuar në vitin 1930, pra para më shumë se tetëdhjetë vjetësh, kurse një pjesë e shënimeve është edhe më e hershme. Po kryesisht përshkruhen ngjarje që kapin periodën prej vitit 1923-1926. Shënimet, fletëzat, ditarin dhe përkujtimet do t’i japim të plota në mënyrë që lexuesi ta shohë se politika serbe ndaj fqinjve të vet në thelb nuk ka ndryshuar asnjëherë, veçmas ndaj shqiptarëve. Si ka qenë, ashtu ka mbetur. Dhe, se dhuna politike, mospërfillja e tjetrit dhe shovenizmi mbeten në qendër të kësaj ideologjie. Për fat të keq edhe sot këto të këqia përsëriten në format më të egra nga disa qarqe politike në trevat e ish Jugosllavisë, duke mos përjashtuar këtu as disa qarqe maqedonase.

Si rezultat i kësaj politike të hershme janë edhe ngjarjet e përgjakshme të dhjetëvjetshit të fundit të shekullit të njëzet dhe të fillimit të këtij shekulli që ndodhën brenda kufinjve të ish Jugosllavisë, si në Kroaci, në Bosnje, në Maqedoni dhe në Kosovë. Urrejtja ndaj shqiptarëve edhe këtu në Maqedoni, i ka rrënjët te po kjo politikë. Dhe lexuesi i nderuar në  reportazhet M. Jeliçit  do ta vërejë edhe vetë se çka na sjellin këto shënime nga e kaluara dhe sa ka lëvizur përpara qëndrimi i inteligjencive dhe i politikanëve të këtyre hapësirave ndaj shqiptarëve. 

Që të jemi të drejtë duhet të theksojmë së në këto fletëza, megjithatë, nuk mund të fshihen shumë stoli të imëta të traditës shqiptare dhe nuk mund të anashkalohet fryma shqiptare e këtyre anëve.

Portalb do të gjurmojë burime të këtilla, në radhë të parë të autorëve serbë, po edhe të autorëve të tjerë dhe do t’i botojë me qëllim që ta japë një kontribut sado të vogël për eliminimin e paragjykimeve që janë krijuar në të kaluarën te popujt e këtyre anëve nga politika e gabuar. Të vetëdijshëm se jeta multietnike nuk ka alternativë, për shkak se e gjithë bota është në të vërtetë një shoqëri e madhe multietnike e cila, medoemos duhet të bashkëjetojë dhe t’i hapë kufinjtë, shpresojmë se e kaluara do të shërbejë të mësojmë se si nuk duhet të sillemi ndaj fqinjëve, ndaj atyre, pra, me të cilët duhet ta ndajmë të mirën e të keqen, do të jetë një shembull i cili do ta sheshojë arrogancën dhe megalomaninë e politikës serbomadhe, e cila  nuk ndryshon që nga themelimi i Serbisë dhe udhëheqja e saj nga Obrenoviçët.


Harta e vilajetit të Kosovës

I.
                                                                  PRANVERA NË JUG

Ende vezullon një copë bore nga Lubeteni, kurse në Tetovë kanë çelur mollët. Edhe rreth Vardarit të mbjellat që moti janë të blerta dhe pemët po lulëzojnë. Ja sa s’është skuqur edhe Tikveshi nga hashashi, ndërsa Kosova nga lulëkuqet. “Do të dalë Jana në bahçe të më mbledhë një tufë me lule…”
Çdo gjë është valëzuar dhe çdo gjë është e larmishme: edhe toka edhe vesha edhe klima edhe fati nën ndikimet e shumta. Dhe nëse shëtia e Janës ju nxit melodinë e njohur, do ta kuptoni pse folklori ynë muzikor i jugut është ajo që kemi më të bukur në këtë lëmi shpirtërore. Se kur korret elbi në Gruzhë arat janë të mëdha, dita e gjatë, rreth lumit dhe në valëzimin e pafund të drithit ndjehet gëzimi. Prandaj e dëgjoni si zgjatet kënga e korrjes:

Elb na korrka, elb na korrka kjo goca e Gruzhës…
Kurse në vatrën e Donës së bardhë çdo gjë është e ndryshueshme. Malet e larta dhe liqenet e ulëta, pyjet e frikshme dhe kullotat e buta, përrenjtë malorë dhe lumenjtë e qetë, akullnaja në majat e maleve dhe pranverë në fusha e hapin magjinë. Prandaj ritmi në bisedën e Donës me mjekun është më i shpejtë, theksi tjetër dhe lëvizjet më të ngutshme.
Tash përmbi gjithë këtë laramani shtrihet pranvera me lule, me ngjyra dhe me rini. Dhe depërton andej e këndej.  Në Bistër pranvera vonohet e shpendra do të zgjohet diku kah mjedisi i verës.

Vështirë do të kalojë stina e rinisë edhe nëpër Ibër(1) dhe përmes Dragës atje ku gjithnjë është errët nga kurorat e aheve dhe të pishave. Dhiaret janë të rralla dhe me një mister hajduti. Kështu është rreth Mojstirit ku shpesh e dëgjoni ndonjë bari të vogël si e thirr të atin nga ndonjë breg:
– Ooo baba!
– Fol?!
– Na ka rënë arusha ndër lopë… Ec këndej!
Në kullotat rreth Zveçanit ende ka vjollca. Majën e ka të kaltër mali, shikuar nga Kosova. Natën duket misterioz si vis i mbretit të pafat të Deçanit. Këtu ka shumë themele dhe kisha nga lashtësitë, ndoshta nga kohë e Milutinit, si ajo e Banjskos.

Ibri është i madh. Bart trungje  nga Rozhaja për “Treskën” dhe nga Slomna Gora për “Zveçanin”. Sitnica është e turbullt dhe plot silurë. Ura e Qemerit rri në të thatë plot pikëllim, rri vetëm, në hyrje të Vushtrrisë. Kulla e Milosh Vojinoviçit vjen si më e moçme dhe e thinjur si flokët e Zhivko Fërtuniçit. Ka njëfarë ngashërimi edhe në valëvitjet pranverore. Kur ia merr lojës mbi lashtësitë që presin të zbulohen, mbi buzët e engëta që deri para pak kohësh ngjallnin kujtimet e ditëve të shkuara, mbi varrin e xha Jargo Qamiloviçit.

Kurse nga Vushtrria deri në Prishtinë buzë Llabit të blertë dhe pranë hekurudhës renditen si plima zogjsh shtëpitë e kolonizatorëve me pullazet e mbuluara me tjegulla të kuqe. Për dhjetë vjet fshatrat do t’i mbulojë gjelbërimi, nga i cili do të qesin kokë kulmthat e puseve dhe pirgjet e kishave. Kosova do të marrë pamje tjetër kur nëpër Gazi Mestan do të lërojnë pllugjet në vend “parmendave të rënda” të kohëve të shkuara.

Pranvera vendos fole nëpër Drenicë dhe në Rrafsh të Dukagjinit në fushat e tyre pjellore dhe nëpër pemishte e nëpër viset e paprekura. Ajo i ka stolisur me gjethe të gjitha zabelet që shtrihen dendur prej këtu deri në Kijevë dhe Rahovec. Ndërthuret pranvera rreth burimit të fuqishëm të Istogut dhe shtëpive të kolonizatorëve malazezë udhës për në Pejë. Ka një rimtësi dhe gjelbërim njëherësh në hapësirën para Gjurakocit dhe njëfarë gëzimi derdhet pranë Kullës së Miliç Kërstiçit (2). Qetë është dhe plot freski rreth Manastirit të Deçanit dhe pranë Hoçës së Madhe, ku ende dëgjohet psherëtima e nënës së Kujunxhiçit. Gëzimi shfaqet edhe në shkëlqimin e pasqyrave të Drinit të Bardhë.

Prizreni në këtë pranverë është solemn pranë gurgullimës së Lumbardhit dhe pa mjegulla në Malin e Cvilenit që ka përmbi dhe rreth Trinisë së Shenjtë. Me rrëfimet e veta për vendet e oborreve perandorake, për kopshtet, bibliotekat dhe për shtallat e kuajve Petar Kostiçi na ofron një lëndë të përhershme për romanin tonë historik. Kur perandori i afrohej nga ana e Shkupit, e ka pasur patjetër të ndalet në Duhël dhe ta shikojë fushën e gjerë buzë Drinit, vijën e fortë të maleve kah “viset bregdetare”(3) dhe masivin e llahtarshëm të Sharrit. Dhe vetëdija se gjithandej arrin e prek fuqia e tij bënte që ai pastaj “me kujdes t’i këndojë” librat e moçëm. Pastaj kishte mundësinë të shohë si kalon përfund kupës së lartë qiellore “hija e tmerrshme e Nemanjës me marsh ngadhnjimtar”.

Pastaj shkonte teposhtë nga lartësitë nga Uroshi, Vukashini dhe Marku. Po megjithatë prapë ka pasur fisnikëri e pasuri.

Në Kaçanik fëmijët ju nxjerrin në tren tufa me lule fushe (4). Ndoshta i kanë mbledhur në Ahishtë. Zymbyla ende s’ka, kurse në Shkup gjen sa të duash, edhe zymbyla edhe argavana.

Nëpër terasat e Velesit, nëpër shtëpitë e dendura, nëpër kopshte e në saksi në të dy anët e Vardarit ka hyrë fryma e ngrohtë gazmore e pranverës. Thuajse dëshiron t’i zgjojë ata që flenë në shpat rreth kishës me gjumin e qetësisë së thellë dhe të amshimit. Thuajse dëshiron që edhe një herë ta hapë syrin e orlit të madh Jovan Babunskit (5). Valëvitet fryma e freskisë dhe shqetësimit në kaçurrelat e vashave dhe në sytë e tyre. I hap kapixhikët, luan nëpër verandat dhe vitrinat plot peshqeshe dasme. I zhvillon bandillët dhe vashat. O moj bukur-o e Velesit, o më iku moj jeta shpejt-e…

Blerojnë shelgjishtet rreth Bregallnicës, çelin kumbullat në Careva Sellë. Një valë tepër e madhe sa s’i ka shtyrë fushat e Orizit të Koçanës dhe fiknajat e Strumicës. Mugullon afioni rreth Kavadarit dhe gjelbërojnë manat rreth Gjevgjelisë. Kapela në Kajmakçallan bën roje me hijerëndësi mbi Pellagoni. Në Poreç ende bën shërbim kryetari vojvoda Mihajlo, mirëpo Shumadia e Maqedonisë ende vuan nga tmerret e luftës. Liqeni i Ohrit e ka lagur Strugën, kurse Drini e ka vërshuar udhën e Dibrës. Tash barkat notojnë qetas pranë Studençanit dhe klithin pulëbardhat në anën shqiptare. Të gjitha Biljanat janë mëngëpërveshura dhe me këmisha të shpërthekuara te gjinjtë dhe ditët e reja i ledhatojnë me freskinë e burimit dhe të ftohtit të gurëve. Dibra duket e bardhë përmbi grykën e Radikës dhe dalëngadalë ka nisur të plasë gjethi kah Galiçniku.

Pranvera e re gazmore na ka përqafuar të gjithë neve në jug me duart plot lule e jetë.
______________________________________________________________________________
1. Autori bën një shëtitje nëpër vendet e ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë duke bërë kështu një hartë politike të së ashtuquajturës Serbi jugore për nevojat e propagandës së kohës 
2. Kulla si ndërtesë, si vend banimi, njihet vetëm ndër shqiptarët. Autori edhe këtë karakteristikë të kulturës shqiptare synon ta uzurpojë (shën. i përkthyesit)
3. Me “viset bregdetare” nënkuptohen trojet shqiptare pranë detit, të cilat Serbia ka ëndrruar t’i pushtojë, pas pushtimeve të shumëta të tokave shqiptare dhe të Maqedonisë (shën. i përkthyesit)
4. Në Kaçanik në kohën kur janë bërë këto shkrime nuk ka pasur asnjë serb. Autori e fsheh përkatësinë shqiptare “të fëmijëve me lule” (shën. i përkthyesit)
5. Jovan Babunski është njëri ndër çetnikët më famëkëqij të kohës 

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button