KONTRAORGANIZATAT E BREGALLNICËS

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

 

Duke shkruar vitin e kaluar në “Politikë” për aksionin çetnik unë thashë se ai eliminohet me një aksion të njejtë si i tyre, kurse organizata e tyre me kontraorganizatë. Nuk ka qenë e thënë që kjo çështje të jetë shkas për miratimin e sistemit të tillë në bregun e majtë të Vardarit. Duke menduar se si të shpëtojmë nga e liga spontanisht, ndoshta, lindi ideja për krijimin e një rezistence të ngjashme me atë të komitëve, të cilët me arrogancë bridhnin nëpër rajonin tonë jugor. Manifestimet e paradokohshme në Shtip, kalendari nëpër lokalet publike në jug dhe shkrimet e shtypit – tregojnë se shoqatat e këtilla kan marrë hov të madh.

Aksioni kundërshtar ka kohë që po stagnon me të madhe.  E nuk është e thënë që të ndodhë kjo vetëm për shkak të ndryshimit të metodës. Sepse edhe ata ndryshojnë nën forcën e rrethanave. Një çetë nuk mund të kalojë më shumë se dy ditë në terren, ku nuk ka “kanale” dhe në të cilin e kërcënojnë çeta të po të njëjtit lloj. Po qe se ndodh ky rast megjithatë, atëherë kjo do të thotë se kontraorganizimi nuk është zbatuar si duhet. Menjëherë duhet ta shohim çka mungon në atë pjesë. Fakti se shefat e makedonstvujushçëve bëhen gati të shkojnë në haxhillëk në Ligën e Kombeve dhe që mbajnë predikime nëpër Pensilvani, paralizohet në tjetër mënyrë. Ai është në kompetencë të z. Ninçiçit ose e atij zotëriut i cili do ta zëvendësojë në ballë të politikës së jashtme. Megjithatë mirë është puna meqë bullgarët u dëshpëruan për bindjen e tyre se vetëm ata munden ta zbulojnë Amerikën. Kush e zgjat dorën kah thika – prej thikës do të vdesë. Dhe paqe.

Nuk mund të thuhet që kontraorganizatat janë zbatuar mirë, madje as për së afërmi. Rreth Strumicës, ta zëmë, janë në zanafillë. Po nga na doli tash që rreth Berovës endet çeta e atij mësuesit, përndryshe i biri popit?

Nga shkaqe krejtësisht të kuptueshme u shpreh droje nga shumë anë që në një situatë të këtillë mos ta përjetojmë përsëri ndonjë rast të Jovan Bërles. Për një kujdes të tillë u fol pikërisht në kuvendin vjetor të shoqatës çetnike në Beligrad. Ka po ashtu edhe punëtorë të moçëm nacionalë këtu te ne, të cilët shikojnë me mosbesim tërë punën në këtë drejtim. Natyrisht nuk  përjashtohet mundësia të paraqitet edhe ndonjë rast tradhtie. Por ky është pa pasoja të mëdha nëse është rast individual. E përgjithshmja, ndoshta, do të ndodhte në ndonjë rast katastrofe të ngjashme me atë të vitit 1915. Tash për tash nuk ka re të tilla në horizont. Fundja gjithçka varet nga sasia e mendjes së shëndoshë të investuar në ndërmarrje.

Nuk duhet ta heqim mendsh se një organizim i këtillë nuk mund të bëhet ideal për asnjë shtet modern. Ai duhet vetëm për një çast. Prodhim i hallit. Reaksion ndaj aktivitetit të anës kundërshtare. Se nuk ka, ma merr mendja, njeri të vendosur, i cili do të kishte dashur që edhe në një pjesë të atdheut të tij institucionet shtetërore të abdikojnë nga rolet e tyre. E në vend të tyre ofarë shoqatash t’i zgjidhin kontestet qytetare. Ose t’i dalin zot rolit të konsistorit. Të marrin taksa për pasaporta. Ose t’ua mbushin mendjen për anëtarësim si atë natë në Veles. Kur të vijë puna deri këtu, atëherë është më me nder të miratohen rregulla të jashtëzakonshme. Çfarë vlere mund të kenë sot në Bregallnicë parimet e demokracive të mëdha siç janë: liria e bindjeve politike,  e drejta e tubimit dhe marrëveshjes dhe e drejta e shprehjes së mendimit përmes shtypit? Kur t’ia shtojmë kësaj se ne nuk kemi mundur ta bëjmë asnjë institucion e të mos e ngjyrosim partishmërisht, para jush e del absurdi lakuriq. Në një anë partizanët e armës së një partie, në anën tjetër kundërshtarët duarthatë. Po të mos ishte ajo liria efektive e përcaktimit partiak, atëherë pjesëtarët e organizatës me të vërtetë do të ishin vetëm eksponentë partiakë. Atyre nuk do të mundte njeriu as t’u thotë ndonjë fjalë mospajtimi. Kështu secili syresh që predikon parime të kundërta partiake, është në rrezik të shpallet tradhtar . Shtypi partiak i ngarkuar me bashkimin e dobëson anën e tij kombëtare. Së këndejmi deklaratat e disa prijësve se si do të detyrohen të dalin në mal nëse disa grupe vijnë në pushtet. Nuk janë ata këtu për shkak të kësaj apo të asaj qeverie në Beligrad por për shkak të asaj ose të kësaj çete të formuar matanë kufirit me qëllim që t’i vrasë qytetarët tanë.

Kur z. Erioja flet për statusin e ri të Alzasit, kjo me siguri do të thotë përmirësimin e këtij statusi. Mirëpo edhe pas gjashtë vjetëve nuk bëhet fjalë atje për zgjerimin e kushtetutës frënge në rajonin e çliruar. Se francezët nuk duan që me heqjen dorë nga dispozitat pozitive ligjore nën forcën e rrethanave të bëjnë një zbrazëtirë të tillë për të njëjtat lëshime të këtilla në atdheun e moçëm. (Jeliçi, megjithatë, duke krahasuar “jugun” me Alzasin e pranon çështjen e tij, si çështje e pazgjidhur. Shën. i përkthyesit). Prandaj e japin vetëm atë që mund ta kryejnë e ta zbatojnë. Te ne kjo kuptohet shumë më lehtë dhe çdo krahasim do të kishte qenë i mërzitshëm.

Sa të fillojnë njerëzit të armatosen në një territor qoftë edhe në formë të policisë, me vetë këtë përjashtohet sistemi i deriatëhershëm i lirive qytetare. Madje ka rrezik edhe për mbarë rendin po qe se ky sistem mbahet edhe më tej. Grupet e armatosura duhet të duhet të vihen në korniza të ligjeve speciale në mënyrë që veprimi i tyre mos të shkaktojë anarki. (Kjo që po ndodh te ne edhe me këtë shembull dëshmohet se çdo gjë në këto anë përsëritet deri në imtësi. Shën. i përkthyesit). Nuk ka shembull më të mirë se bolshevikët. Ushtrisë së kuqe, të formuar në fillim vetëm me detyrë që ta mbrojë revolucionin, shpejt iu dhanë edhe organizimi edhe formacioni edhe hierarkia edhe kodi penal si edhe çdo armate tjetër të bardhë. Kështu gardistit të kuq iu mor e drejta e iniciativës ta bindë borgjezinë për vlershmërinë e parimeve komuniste. Ai ka mundur ta bëjë këtë vetëm përmes urdhrave të fituara përmes kanaleve të rregullta. Edhe gardistët tonë të bardhë në Bregallnicë duhet t’i nënshtrohen një vargu të tërë të dispozitave. Përndryshe ka rrezik që për një çast të shndërrohen në turmë, prej së cilës gjithmonë ka më shumë dëm se sa dobi.

Më tutje duhet vënë në spikamë se pasardhësit e dhespot Oliverit duhet të arsimohen në të gjitha drejtimet dhe t’u jepen njohuri për të kaluarën e tyre. Këtë punë, madje, nuk mund ta kontestojë askush. Nëse shumica syresh nuk ka njohuri për historinë e vet ose nëse është informuar keq, nuk është faji i tyre, por yni. Një shtypshkronjë e mirë në Shtip ose në Shkup, nga e cila do të dilnin botime popullarizuese për viganët tanë nga e kaluara, me kohë, do të kishte rëndësi arsimore-edukative për tërë bregun e majtë të Vardarit. Kështu një kalendar i rëndomtë duhet patjetër të shtypet në Beligrad. Kështu do të kishim pasur sukses që në radhët e kontraorganizatës të inkuadrohen më shumë të zgjuar siç është z. Kalamatijeviçi dhe shumë të guximshëm si z. Pandurski. Se fryma është ajo që është kryesore dhe që mbetet, kurse e tashmja do të kalojë si një ëndërr e keqe.

14. – VII. – 924.


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE – PROCESI

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button