Festivali “Teatri shqiptar në Maqedoni”, dielli që ngroh dibranët me art (VIDEO)

Të premten në Dibër ka nisur edicioni i 17-të i festivalit “Teatri shqiptar i Maqedonisë”, i organizuar nga artisti Ylber Nuredini. Festivali nisi me ansamblin e këngëve dhe valleve “Shota”, ka vazhduar me trupat teatrore të Preshevës dhe Tetovës, për të përfunduar të enjten, ditë kjo kur edhe do të ndahen çmimet, transmeton Portalb.mk.

Prania e madhe e publikut ishte dëshmi se ky festival, i cili vitin e kaluar përfundoi më herët për shkak të problemeve financiare, është i nevojshëm në Dibër, i cili edhe pse nuk ka Teatër të vetin, dëshmoi se ka teatërdashës të shumtë.

Josif Papagjoni ka thyer modestinë prej artisti, ka vlerësuar lartë përkushtimin e artistit Ylber Nuredini, i cili për të 17-tën herë është duke e organizuar festivalin “Teatri shqiptar i Maqedonisë”, duke shprehur besimin se ai nuk është i vetëm, vetëm që dielli të lind në Dibër.

“Ylber Nuredini, në këtë nismë të bukur, ti nuk do të mbetesh vetëm. Ti ke arsyen e asaj që është e dobishme dhe e domosdoshme. Neve na ke pas. Dibrën e ke pas. Gjithmonë pas neve do të lind dielli. Ky festival i duhet këtij qyteti, u duhet dibranëve me aq shumë histori dhe tradita, me kulturëdashje e punëtorëve si ata”, tha Papagjoni.

Për praninë dhe interesimin e publikut, ka folur artisti Miho Gjini, me çka ka shprehur mirënjohje ndaj atyre për siç tha ai, “nuk lejuan që të bie perdja e teatrit”.

“Si mysafir i përhershëm i një festivali teatror në Dibër, ku ndodhem në cilësinë e kritikut, jam ndjerë fort mirë prej publikut të jashtëzakonshëm, prej një përkushtimi të një artisti-organizator të rrallë Ylberi. Do t’u falej “me zemër në dorë” atyre pak institucioneve, biznesmenëve e qytetarëve të thjeshtë që nuk e  lanë vetëm krejtësisht që “perdja e teatrit” në Dibër të qëndrojë e hapur e të mos mbyllej përgjithmonë. Dhe paskëtaj, do të vinte një gjendje të hareshme me shfaqje përshëndetëse të ansamblit “Shota” të Kosovës, që i përkushtohej figurës legjendare të Skënderbeut, me plot vitalitet, freski, lirizëm, si për ta larguar përfundimisht trishtimin e Ylberit”, tha Gjini.

Ndërkaq dje, në kuadër të festivalit u paraqit Teatri i Preshevës me shfaqjen “Skicuesit” në regji të Afida Boriciti, e cila në debatin që organizohet pas çdo shfaqje, tregoi vështirësitë me të cilat ajo si regjisore ka pasur gjatë realizimit të shfaqjes.

“Kur e kemi nisur këtë shfaqje, teatri i Preshevës nuk ka qenë i themeluar. Kemi pasur një vullnet shumë më të madh, dhe kemi filluar me shumë entuziazëm kemi nisur provat e shfaqjes. Kisha vetëm tre aktorë  në dispozicion, kam lutur kolegët të më gjejnë një tekst që do të mund t’i përfshinte të tre aktorët. Ishte Ganiu, Gjelbërimi dhe Artani. Kur më ra në dorë skicuesi, u dashurova në këtë tekst, sepse më pëlqeu, sepse rolet që ishin aty, bëjnë që aktoret ta gjejnë vetveten, ta rikthejnë besimin në vete, dhe e kuptojnë se cili janë. Roli kryesor e kishte humbur kujtesën, nuk dinte asgjë. Tjetri nuk kishte shoqëri, as grua e as familje. Shpjegonte një përrallë për çdo natë, por që i konvenonte atij”, tha ndër të tjerash Borici.

Festivali do të vazhdojë me shfaqje

Sot në kuadër të “Teatri shqiptar i Maqedonisë” – Dibër, 8 tetor, e hënë, me fillim prej ora 19:00 në kuadër të festivalit do të prezantohet Teatri “Zihni Sako” i Gjirokastrës me shfaqjen “Një krevat për tre” në regji të Vasil Cukllës.

Më 9 tetor, e martë, me fillim prej ora 19:00 do të paraqitet shfaqja diplomë e të diplomuarve në Universitetin e Tetovës “Ëndrra e shtatë studentëve”.

Më 10 tetor, e mërkurë, me fillim prej ora 19:00 në kuadër të Festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni” do të prezantohet Teatri i Gjilanit me shfaqjen “I vetëm në banesë” në regji të Natyra Kallabës.

Më 11 tetor, e enjte, me fillim prej ora 19:00 do të paraqitet shfaqja “Gratë” e Teatrit Shqiptar të Shkupit në regji të Qëndrim Rijanit.

Pas kësaj, në po të njëjtën ditë, më 11 tetor, me fillim prej ora 22:00 do të bëhet edhe ndarja e çmimeve dhe do të përmbyllet festivali.

Dibër, sot nis festivali “Teatri shqiptar në Maqedoni” (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button