Ende në përdorim, çfarë fshihet pas librave skandalozë të gjeografisë dhe historisë? (VIDEO)

Librat e lëndës së gjeografisë dhe historisë, të ribotuara në vitin 2009, kanë përmbajtje me prapavijë politike, ofenduese dhe shtrembërojnë historinë shtetërore dhe të entiteteve që jetojnë në Maqedoni. Që të zgjidhet problemi, kërkohet planprogram mësimor i ri për lëndën e historisë duke filluar nga arsimi fillor, por deri atëherë, librat duhet të largohen nga përdorimi, shkruan Portalb.mk. Heqjen e librit nga përdorimi e parasheh edhe ligji.

Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar” ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

  • Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
  • Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
  • Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
  • Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
  • Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
  • Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
  • Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

Portalb.mk vizitoi Shkollën e Mesme të Qytetit të Shkupit “Zef Lush Marku”, ku u pa se këto libra ishin ende në përdorim.

Korrigjimi nuk e zgjidh problemin, të hiqet nga përdorimi

Neni 14 i ligjit të librave për arsim fillor dhe të mesëm, parasheh se në rast se gabimet janë më shumë se 30 për qind, përpilohet planprogram i ri: “Gjatë miratimit të plan-programit të ri mësimor ose nëse bëhet ndryshimi ose plotësimi i më shumë se 30% i plan-programit mësimor, shërbimi pedagogjik shpall konkurs për libër të ri shkollor për lëndën përkatëse”, thuhet në ligj.

Sipas gjendjes aktuale të librave të historisë për vitin e parë dhe të dytë dhe gjeorgrafisë të vitit të dytë të gjimnazit të reformuar, gabimet janë didaktike, në përmbajtje, dhe në cilësinë dhe sasinë e informacioneve që japin. Në lidhje me këtë, historiani dhe koordinator i komisionit për përpilim të plan programit të historisë së vitit të parë të shkollave profesionale, Ilir Memedi vlerëson se duhet ndryshim i planprogramit mësimor, por deri atëherë, libri të hiqet nga përdorimi.

Ilir Memedi

“Unë nuk propozoj të korrigjohet libri, sepse në përbërje dhe në kontekst ka shumë gabime, që edhe nëse korrigjohet, nuk do ta ketë efektin që dëshirohet. Propozoj të kemi plan program të ri mësimor, por me qenë se kjo merr shumë kohë, deri atëherë libri të hiqet nga përdorimi. Pas kësaj, të mendohet përpilimi i plan programit të lëndës së historisë të arsimit fillor dhe atij të mesëm. Plan programi duhet të jetë në frymën evropiane, që të reflektojë shtetin multietnik dhe multikulturor. Kjo do të arrihej vetëm me ndërmjetësues, duke përfshirë në procedurë të përpilimit ekspertë ndërkombëtar”, tha profesori Memedi .

Profesori i historisë në shkollën “Zef Lush Marku”, Naser Miftari vlerësoi se librat e historisë janë shkruar me qasje të njëanshme.

“Për shembull kemi rast ku titulli shkruan shqiptarët në periudhën kohore të caktuar. Kur lexohet teksti, tregon se si shqiptarët kanë pasur problem me fqinjët e tyre. Këtu është problemi, te mënyra se si i qaset temës”, tha Miftari.

Në lidhje me punimet për plan programin e historisë së vitit të parë të shkollave të mesme profesionale, profesori Memedi njoftoi se punimet janë ndërprerë për shkaqe që ai nuk i di.

Nasen Miftari

Naser Miftari

Sipas profesorit Miftari, komisioni i lartpërmendur nisi punimet në prill, por u prolongua për në gusht, nën arsyetimin se për realizim të korrigjimit të librit të historisë për shkolla profesionale, duhet edhe profesorë universitar, arsye kjo sipas tij ishte vetëm “alibi që edhe kësaj radhe të dështoj korrigjimi”. Në gusht nuk u thirr komisioni.

Për profesorin Ilir Memedi korrigjimi i librit të historisë së shkollave profesionale është një zgjidhje parciale dhe joefektive.

“Korrigjimi duhet të bëhet nga arsimi fillor. Nuk mund të nisësh me një libër të arsimit profesional. Duhet plan program mësimor i ri nga arsimi fillor, e pastaj të vazhdohet në arsimin e mesëm dhe profesional”, tha Memedi.

Natasha Kolekevska Georgievska, nënë e fëmijës së vitit të dytë në shkollë të mesme, kërkon të reagohet për librat në fjalë, por kërkoi revizion të të gjithë librave në shumë baza.

“Absolutisht duhet të reagohet. Në princip, tashmë shumë vjet, duke i parë librat e fëmijëve të mi, them se duhet të bëhet revizion të shumë librave, në shumë aspekte: histori, etnicitet, çështjet gjinore, religjion, mospajtueshmëri të moshës, por edhe vetë formati, lloji i fletës, cilësia e botimit, pasi që përdoren nga shumë gjenerata. Dhe, librat të ju jepen librarëve, dhe jo miqve të atyre që janë në pozita sa për të marrë ndonjë honorar”, tha Kolekevska – Georgievska.

Profesorët: Faruk Rexhepi, Naser Miftari dhe Adnan Bajrami

Skandali me librin e gjeografisë

Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar” ka autorë: Bllagoja Markovski, Nikolla Panov, Gjorgji Pavllovski, Dragan Vasillevski dhe Nikolla Dimitrov, kurse redaktor ka Refail Sulejmani i cili nuk njihet nga profesorët e kontaktuar. Sipas profesorit të gjeografisë në shkollën “Zef Lush Marku”, Faruk Rexhepi libri në fjalë është jo valid, kontradiktor dhe kontestues. Kërkohet libri të hiqet nga përdorimi.

“Mund edhe të mos kemi të drejtë që të kërkojmë të hiqet nga përdorimi, por së paku të korrigjohet i njëjti. Siç ekziston për momentin, libri nuk është valid. Ka kontradikta. Përdoret në orë mësimore, por kur arrijmë në pjesën kontestuese, bëjmë marrëveshje reciproke me mësimdhënësin e historisë”, tha Rexhepi.

Meqë libri nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia, sipas profesorit Rexhepi kjo nxit shpifje – gënjeshtër.

“Nuk e di a ka pasur ndryshime nga botimet paraprake, ngaqë unë i punësuar jam nga viti 2007. Diskutabile është pjesa se si është e mundur që libri është botuar në vitin 2009, kurse Kosovën edhe pse u pavarësua në vitin 2008, nuk e njeh si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia. Kjo na bën që ne ta gënjejmë nxënësin, sepse Maqedonia kufizohet me pesë shtete”, tha Rexhepi.

Drejtori i shkollës “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri për Portalb.mk, tha se kërkesa e mësimdhënësve që të korrigjohet libri është i pranushëm nga ai, por tërheqja nga përdorimi, sipas tij do të pengonte procesin edukativo-arsimor.

“Unë nuk kam kundër që libri të korrigjohet, profesorët e dinë më së miri. Por që të largohet tërësisht, mendoj se kjo do të pengonte procesin arsimor, dhe mund të shkaktonte pengesa në vlerësimin e nxënësve”, tha Zeqiri.

Shtrembërimi i fakteve, shkak që gjeografia të mësohet me shënime

Maturantët nuk i mbajnë mend autorët, në arsyetimin se gjeografinë e kanë mësuar nga shënimet.

“Nuk i mbaj mend autorët. Nga fotografia më kujtohet se ka qenë ky libër. Ne kemi mësuar nga shënimet, prandaj nuk e mbaj mend mirë”, tha nxënësi F.B.

Në lidhje me shënimet, profesori Rexhepi deklaroi: “Diçka që nuk është reale, dhe që është e ndryshme nga ajo që e kemi studiuar, ne duhet t’ua shpjegojmë nxënësve. Nuk është me rëndësi se si ne ua shpjegojmë nxënësve gjeografinë, sa ajo se me këtë libër mësojnë edhe maqedonasit. Ata mund të mësojnë vetëm se sa të dhunshëm dhe okupator janë shqiptarët”, tha Rexhepi.

A u bënë gabimet nga padituria, apo…?

“Nuk është nga padituria, unë politikan nuk jam, por kjo është gjë e qëllimshme. Gabimet mund të jenë teknike, por jo në tërë librin”, tha Rexhepi.

Skandali me historinë

Edhe libri i historisë për vitin e parë dhe të dytë të gjimnazit ka lëshime, por ndryshe nga ai i gjeografisë, gabimet këtu nuk janë empirike, por përmbajtjesore.

“Edhe pas shumë reagimeve, edhe pas gjithë kësaj kohe, bëhet fjalë për të njëjtat libra. Aspak nuk ka ndryshuar në përmbajtje. Vazhdimisht jemi thirr në ndryshime, në përmirësimin e gabimeve, por të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër. Me qëllim apo pa qëllim, problemi nuk është drejt zgjidhjes”, tha profesori i historisë, Naser Miftari.

Miftari propozoi që ndryshimet të bëhen: në përmbajtjen e librit, në mënyrën didaktike dhe në sasinë dhe cilësinë e informacionit.

“Historia nuk lejon modifikim, programime. Ajo është e kaluar e kombit, dhe nuk guxon të preket, dhe duhet të bëhet dogmë. Krahas kësaj, me këto tekste nuk plotësohen kriteret didaktike. Nuk mund të shtjellohen njësitë mësimore me hipokrizi. Teksti mbjell mosbesim te nxënësi ndaj historisë. Teksti është burim kryesor i informacionit për nxënësit. Rasti ka qenë akuza që iu bë shqiptarëve në kohën e mbretëreshës Teuta, ku u tha se janë piratë”, tha Miftari.

Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi nëse përmban materie me të cilën ofendohen qytetarët

Neni 26 i ligjit për libra në arsim fillor dhe të mesëm thotë: “(1) Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi nëse miratohet plan-programi i ri mësimor ose nëse bëhet ndryshimi ose plotësimi i më shumë se 30% të planit dhe programit mësimor dhe nëse nuk i përmbush qëllimet shkencore-profesionale dhe metodologjike. (2) Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi edhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë. (3) Për tërheqjen e librit shkollor nga përdorimi i cili nuk i plotëson qëllimet shkencore profesionale dhe metodologjike, si dhe për shkaqe nga paragrafi (2) i këtij neni, ministri formon komision të përbërë prej shtatë anëtarësh prej të cilëve nga dy anëtarë nga Ministria, dy anëtarë nga radhët e arsimtarëve të dalluar dhe nga një anëtar këshilltar nga Byroja ose nga Qendra për arsim dhe aftësim profesional ose nga Qendra për arsimin e të rriturve të sferës për të cilën është dedikuar libri shkollor, nga Inspektorati shtetëror i arsimit dhe mësimdhënës të fakultetit përkatës. (4) Me propozim të komisionit nga paragrafi (3) i këtij neni, ministri mund të tërheqë nga përdorimi libër shkollor të lejuar”.

Përndryshe, në kuadër të fillim vitit shkollor në Maqedoni, ministri i Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë, Arbër Ademi njoftoi korrigjimin e teksteve mësimore nga Kimia, Fizika, Matematika, Shkencat Natyrore dhe Biologjia.

Se pse nuk u korrigjua edhe libri i historisë dhe gjeografisë, ministri Ademi u pëgjigj kështu:

“Mendoj që pas kësaj faze të vazhdojmë edhe me tekstet tjera shkollore dhe të korrigjojmë të gjitha ato tekste shkollorë në të cilat konstatohen gabime apo lëshime qoftë në aspektin metodologjik teknik profesional apo gabime lëshime në aspektin e përkthimit dhe adaptimit. Kemi bërë një hap të rëndësishëm nuk do të ndalemi edhe më tutje. Sigurisht që të gjitha tekstet shkollore nuk duhet të nxisin urrejtje dhe tensione por përkundrazi duhet të na bashkojnë dhe unifikojnë”, tha ministri Ademi.

Ndryshe, libri i historisë dhe i gjeografisë ka vite që kërkohet të ndryshohet, ajo u aktualizua gjatë procesit të zhvillimit të negociatave Maqedoni – Greqi edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Nëse kalon referendumi, do të duhet të ndryshohet edhe emri i shtetit dhe me këtë të revidohen edhe tekstet mësimore të Historisë dhe Gjeografisë.

Për heqje të librit kishte kërkuar edhe grupi i nxënësve të shkollës së mesme “Zef Lush Marku” në kuadër të Lidhjes së Nxënësve Shqiptarë, por edhe pse u ishte premtuar atëherë nga pjesëtarët shqiptarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, libri edhe pas 9 vitesh, sërish është në duart e nxënësve.

Pjesë nga libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar”

Pjesë nga libri "Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar"

Pjesë nga libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar”

Pjesë e librit të historisë

Pjesë e librit të historisë

One thought on “Ende në përdorim, çfarë fshihet pas librave skandalozë të gjeografisë dhe historisë? (VIDEO)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP