ANALIZË: Reportazh – Greqia, konstantë turistike për qytetarët e Maqedonisë!

Pas tetë viteve “betejë” me reforma të thella, shkurtime, pakënaqësi të qytetarëve, financa të paqëndrueshme, Greqia hyri në zonën e “autonomisë ekonomike”. Me tërheqjen e këstit të fundit kredisë prej 62 miliardë eurosh, fqinji ynë jugor hyn në fazë të re, në të cilën vetë do t’i menaxhojë financat, por do të duhet të vazhdojë edhe me obligimet e tjera për shkurtime të mëtejshme nga njëra anë, dhe rritje të tatimeve nga ana tjetër, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Qytetarët e Greqisë pa dëshirë i komentojnë ndryshimet dhe pranojnë se pas krizës së thellë financiare, jetesa e tyre ka ndryshuar dukshëm.

Një litër benzinë edhe deri në 100 denarë, çmime të ndryshme – oferta e njëjtë…

“A keni punë gjatë këtij sezoni të verës?” – e pyeta shoferin e taksit, Nikiforos, i cili ka shumë vite që jeton dhe punon në qytetin turistik të Stavrosit. Më tha: “Nuk është sikur më parë, puna shkon me vështirësi”. Nikiforos është njëri nga disa transportuesit me taksi që punojnë në Stavros dhe e ndjejnë drejtpërdrejt pulsin e qytetit, që ndodhet 77 kilometra në lindje të Selanikut. Stavrosi u bë destinacion i rëndësishëm turistik pas rimëkëmbjes ekonomike në vitet e gjashtëdhjeta. Sot aty mund të hasen turistë nga Maqedonia, por më të shpeshtë janë turistët nga Serbia. Vendasit në këtë qytet, të cilët e mbajnë gjallë atë dhe gjatë periudhës së dimrit, thonë se, së pari kriza ekonomike globale, e pastaj edhe rreziku nga falimentimi i Greqisë, megjithatë, kanë ndikuar në mënyrën e përgjithshme të jetës.

Vetëm disa kilometra nga Stavrosi gjenden edhe qytetet bregdetare Nea Vrasna, tërheqëse për turistët nga Maqedonia, dhe Aspravalta. Edhe pse të tre vendet janë të pozicionuara në të njëjtën rrugë – gjeografikisht të afërta, megjithatë ofrojnë çmime të ndryshme për turistët. Më interesant është çmimi i benzinës. Dallimi i çmimit për një litër benzinë mund të jetë shumë i madh varësisht nga vendi – a gjendet pompa në qytet, në autostradë apo në rrugë lokale, njofton Portalb.mk. Kështu, një litër benzinë në një pompë benzine shitej për 1,569 euro për litër, nga një tjetër për 1,619 euro, kur në të tretën për 1,662 euro për litër.

Edhe produkte të tjera të njëjta kanë çmime të ndryshme. Në supermarkete, për shembull 1.5 litra ujë kushton 40 cent, ndërsa vetëm pak metra më tutje nga supermarketi, uji shitet për 1 euro. Në restorante dhe taverna, 1.5 litra ujë kushtojnë rreth 1 euro e 20 cent. Disa nga turistët nga Maqedonia thonë se në krahasim me vitet e mëparshme, çmimet në këtë sezon veror janë “më të kripshme”.

“Një drekë modeste në një tavernë nuk është më e lirë se 20 euro për dy vetë. Çmimi i një pije, për shembull, pije me gaz kushton rreth dy euro, ndërsa birra shitet për 3.5 euro. Një pulë e pjekur kushton 13 euro, ndërsa sallatat nuk janë më të lira se 3.5 euro. Çmimi i giros (donerit) së njohur greke varion nga 2.5 deri në 2.8 euro” – thotë Ivani, një turist nga Maqedonia.

Një nga destinacionet më të popullarizuara për turistët nga Maqedonia, veçanërisht ata më të rinjtë, është ishulli Skiatos, 12 km i gjatë, me rreth 60 plazhe, shumë prej të cilave ekzotike dhe unike,  njofton Portalb.mk.

“Nëse e vizitoni Skiatosin përmes agjencive tona turistike, ofrohen kryesisht aranzhmane nëntëditëshe, sepse ishulli është pak më larg nga destinacionet ku shkojmë zakonisht, në krahët e popullarizuar të gadishullit të Halkidiki. Në Skiatos, koncepti i pushimeve të verës është më ndryshe. Çmimet nuk janë të larta sipas mendimit tim. Një biletë në autobusin turistik lokal kushton 1.5 euro, ndërsa giroja shitet për 2.5 euro” – thotë Snezhana. K. nga Shkupi.

Turizmi – infuzion për ekonominë greke…

Turistët i kalojnë ditët e fundit të verës në Greqi. Në pritje të të dhënave të përmbledhura për numrin e vizitorëve dhe efektin devizor, autoritetet greke njoftuan se kjo verë do të jetë njëra nga “më të levërdishmet” për turizmin. Në fillim të sezonit të verës, kryeministri grek Aleksis Cipras tha se Greqia pritet këtë vit një numër rekord vizitorësh, madje 32 milionë mysafirë.

“Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga turizmi në vitin 2018 do të jenë më të larta për 12.8 për qind nga viti i kaluar. Stabiliteti grek në rajonin që është i ndjeshëm ndaj krizave, ndihmoi në forcimin e imazhit të Greqisë si destinacion turistik” – tha Cipras.

Turizmi i cili kontribuon me një të pestën në Produktin e brendshëm bruto, konsiderohet një “infuzion” i vazhdueshëm për ekonominë. Të ardhurat nga turizmi janë në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2016 ato arritën në rreth 11 miliardë euro, ndërsa vitin e kaluar, sipas vlerësimeve ato arrite deri në 18 miliardë euro. Analizat e agjencive dhe asociacioneve turistike greke tregojnë se ky sektor do të bëhet atuja kryesore për rritjen e ekonomisë greke, me pjesëmarrje edhe deri në 37% në rritjen ekonomike.

Me tërheqjen e këstit të fundit nga kreditorët ndërkombëtarë me vlerë prej 62 miliardë eurosh, Greqia pas tetë vjetësh hyri në fazë të re të “autonomisë ekonomike”, gjegjësisht edhe e zyrtarisht doli nga kriza e borxheve, njofton Portalb.mk. Disa ekonomistë vlerësojnë se programi i përgjithshëm i reformave, i kushtëzuar me rritje të taksave nga njëra anë dhe ulja e rrogave dhe pensioneve nga ana tjetër, i dha rezultatet e pritura. Huaja e treta e fundit me radhë është dedikuar për vazhdimin e reformave të ndërmarra, por do të synohet edhe sektori bankar – gjegjësisht rikapitalizimi i bankave vendase.

Në fund të gushtit, kryeministri grek Cipras bëri rikonstruim të qeverisë, por pa ndryshime në dy pozitat kyçe ministrore. Në qeveri mbetën ministri i financave Euklid Cakalotos, i ngarkuar edhe me politikën e kursimit e poashtu në detyrë mbeti edhe kreu i diplomacisë, Nikos Kozias.

Kriza në Greqi shpërtheu në vitin 2009, një vit pasi bota u përball me njërën nga krizat më të mëdha në historinë e kohëve të fundit – me tronditje të madhe në sektorin bankar dhe në tregun financiar.

Përveç që është një nga destinacionet më tërheqëse për shtetasit e Maqedonisë, Greqia është një nga investitorët më të rëndësishëm në Maqedoni dhe një nga partnerët strategjikë tregtarë të vendit. Sipas statistikave zyrtare, Greqia është partneri i tretë më i madh tregtar i vendit, me ç’rast vetëm në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, vëllimi i këmbimit tregtar arriti në gati 407 milionë euro, dhe sipas vlerës Greqia renditet menjëherë pas Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Eksporti i Maqedonisë në Greqi deri në fund të qershorit kap vlerën prej 100,7 milionë euro, ndërsa importi grek në Maqedoni ishte 306 milionë euro, dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këmbimi i përgjithshëm tregtar është rritur për 17 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button