Shkupi do të jetë qendër e akademisë rajonale për siguri kibernetike

Me qëllim të ruajtjes së të dhënave të institucioneve, qytetarëve, shoqërisë civile dhe sipërmarrëse gjatë procesit të digjitalizimit dhe regjistrimit elektronik, MSHIA-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore ka përpiluar strategji nacionale për siguri dhe për parandalimin e sulmeve kibernetike në Maqedoni, transmeton Portalb.mk. Paralajmërohet se Shkupi do të jetë qendër e akademisë rajonale për siguri kibernetike.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski sot ka prezantuar strategjinë nacionale për siguri kibernetike, e cila do të mundësojë ruajtjen e të dhënave personale dhe parandalimin e keqpërdorimit të tyre në rast të sulmeve kibernetike.

“Maqedonia së shpejti do të bëjë regjistrimin e popullatës në mënyrë elektronike. Qytetarët nga viti i ardhshëm do të kenë identitetin e tyre elektronik. Për këtë, që të rritet besimi i qytetarëve gjatë funksionimit të këtyre shërbimeve, dhe për shkak të sigurimit të të dhënave të tyre, rritjen e rezistencës nga sulmet kibernetike, kjo çështje është me rëndësi”, tha Mançevski.

Sipas drejtorit të Bankës Botërore për Maqedoni dhe Kosovë, Marko Mantovanelli, bashkëpunimi për strategjinë nacionale për siguri kibernetike, ka për qëllim të ngrit kapacitetet institucionale dhe sociale për ruajtje nga sulmet kibernetike.

“Strategjia ka për qëllim të zvogëlojë rrezikun nga sulmet kibernetike. Rritja e sigurisë paraqet bazë edhe e strategjisë për digjitalizim të institucioneve që parashihet të realizohet gjatë vitit 2018-2022. Parashihet të rritet niveli i informimit digjital, të rritet kultura teknologjike dhe niveli i edukimit teknologjik, dhe të përmirësohen standardet dhe teknologjia”, tha Mantovanelli.

Paraqitje e sulmeve kibernetike

Me strategjinë nacionale për siguri kibernetike, parashihet edhe ngritja e vetëdijes dhe njohurive të rasteve të sulmeve kibernetike

“Me këtë strategji parashihet edhe ngritje e vetëdijes së qytetarëve për paraqitje të sulmeve kibernetike. Meqë ky është problem rajonal, qeverive të rajonit i kemi rekomanduar që Shkupi të jetë selia e akademisë së ardhshme për siguri kibernetike. Ajo do të kryejë obligimet që dalin nga të punësuarit e të gjitha shteteve të Ballkanit, të cilët do të marrin përgatitjet e nevojshme për siguri nga sulmet kibernetike. Maqedonia mundet dhe duhet të jetë qendër e sigurisë kibernetike rajonale”, tha Mançevski.

Me këtë strategji, parashihet rritje e kapaciteteve institucionale, sipërmarrëse dhe civile nëpërmjet trajnimeve, punëtorive me ekspertë, programeve edukative dhe fushatave të ndryshme që do t’ju dedikohen qytetarëve.

Strategjia nacionale për siguri kibernetike ka ardhur si rezultat i analizës së gjendjes aktuale kibernetike të institucioneve, sipërmarrjeve dhe shoqërive civile në Maqedoni e cila është realizuar nga ekspertë vendor, korean dhe profesorë në Universitetin e Oxfordit. Analiza është realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button