Deri në 1200 euro mund të dënohet avokati i Sërcevit – Dimitar Dangov

Në Gjykatën Penale të Shkupit, pas pauzës njëorëshe ka nisur seanca gjyqësore për rastin “Titanik 2”, në të cilën të pranishëm janë edhe avokati i të akuzuarit Sasho Sërcev, Dimitar Dangov, transmeton Portalb.mk.

Avokati Dangov paraprakisht kërkoi anulim të seancës “Titanik 2”, për shkak se në të njëjtën kohë, sot, mbron të akuzuar tjetër në rastin “E enjtja e Përgjakshme”, dhe për këtë ai u dënua nga gjykatësi i rastit “Titanik 2”, Ognen Stavrev.

Avokati Dangov është dënuar në bazë të Nenit 361 të ligjit për procedurë penale. Edhe pse nuk u kumtua vlera e dënimit, sipas ligjit ai arrin prej 200 deri 1.200 euro. Për këtë avokati ka të drejtë për ankesë në Këshillin Gjyqësor të gjykatës.

Ndaj kërkesës për anulim të seancës, ka reaguar edhe prokurorja Fatime Fetai e cila tha se nuk do të ketë anulim të seancave edhe pse avokatët mund të kenë dy seanca gjyqësore në të njëjtën kohë.

Fatime Fetai: Edhe pse avokatët mbrojnë dy të akuzuar, s’ka anulim të seancave gjyqësore

Në lëndën e Prokurorisë Speciale (PSP) “Titanik 2” akuzohen linderi i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe ish-anëtarët e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor, Sasho Srcev, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski.

Gjykatësit e Gjykatës Administrative Biljana Nikodinovska – Petrovska, Lidija Ivanovska, Bllagorodna Rangellova, Aneta Xhigerova dhe Gazmend Fejzula nuk janë përfshirë në akuzë edhe pse me kërkesë të gjykatëses Verka Petkovska, Këshilli Gjyqësor ua ka marrë imunitetin, ndërkaq Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e PSP-së për akuzën me çka ata kanë qenë të përfshirë.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, penalisht janë përgjegjës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete do të jetë përgjegjës për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”. Kjo është akuza e katërt për Mijallkovin pas “Arkës”, “Target-Fortesa” dhe “Tortura”.

Nga “bombat” e publikuara të LSDM-së, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button