Maqedoni, këto janë shtëpitë botuese që kanë marrë miliona për libra të papërdorshëm (HULUMTIM)

Mijëra libra të përkthyera keq nga projekti pompoz i ish Qeverisë së Gruevskit “1.050 libra” janë duke u kalbur nëpër magazina me lagështi. 19 milion euro kanë përfunduar në bodrumet e errëta të Shkupit dhe Gostivarit. Portalb.mk ka hyrë në hapësirat e mykura, me pluhur të mbushura me libra të përkthyera keq për te cilat askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi dhe nuk ka ide çfarë të bëjë.

LEXO PJESËN E PARË: Qeveria e Gruevskit ka harxhuar së paku 19 milionë euro për libra të papërdorshëm (PJESA I)

LEXO PJESËN E DYTË: Është kryer kontroll se a i plotësojnë librat kushtet teknike dhe nuk është kontrolluar kualiteti i përkthimeve

Autor: Fatbardha Curri

Cilat janë shtëpitë botuese të cilat kanë fituar para?

Për një dekadë thuajse nuk ka shtëpi botuese e cila nuk ka fituar të paktën një tender nga ndonjë ministri. Mbi 21 shtëpi botuese kanë qenë të përfshira në faza të ndryshme për përkthim dhe botim të librave të këtij projekti pompoz. Në fazën e parë sipas të dhënave që i posedojmë vetëm për 6 ministri, institucionet kanë lidhur marrëveshje me minimum 17 shtëpi botuese, në fazën e dytë me 6 shtëpi botuese ndërsa në fazën e tretë vetëm me 2 shtëpi botuese.

Sipas të dhënave nga tenderët, sasinë më të mëdha të parave e ka fituar shtëpia botuese “Ars Lamina” – 636.860.579 denarë.

Sipas të dhënave të marra nga Regjistri Qëndror, në tabelën më poshtë janë të radhitur kush janë pronarët e shtëpive botuese që kanë marrë më shumë para. Edhe pse kemi kërkuar disa herë nga Regjistri Qendror nuk na siguruan të dhëna për strukturën e pronësisë së shtëpisë botuese “Prosvetno Delo”.

 

“Evropa 92” donatore e VMRO-DPMNE-së

Ratko Dimitrovski, si njëri nga themeluesit e “Evropa 92” është donator i VMRO-se ai dhe ka qenë deputet dhe kryetar i komunës së Koçanit. 

Arbëria Design donatore e partisë shqiptare në pushtet BDI

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga MASH dhe shtëpitë botuese, në vitin 2016, nga dy shtëpitë e kontraktuara, njëra është Arbëria Design e cila figuron edhe si donatore e partisë në pushtet BDI radhë e së cilës kanë qenë edhe dy ministrat e Arsimit, Abdulaqim Ademi dhe Pishtar Lutfiu ndërsa tani është Arbër Ademi.

Shtëpitë Botuese heshtin

Portalb.mk, u ka dorëzuar kërkesa shtëpive botuese, atyre që ende kanë kontakt informata të vlefshme, të sqarojnë detajisht për opinionin: si janë zgjedhur përthyesit, cilët janë qenë kriteret thelbësore që të përzgjidhet se kush do të përkthejë dhe lekturojë një titull.

Por përgjigje nga shumica nuk morëm, Gjithashtu, fakti që Ligji për Qasje deri te Informatat me Karakter Publik nuk vlen për to, nuk ka asnjë mundësi si të hapen këto shtëpi botuese para publikut dhe të tregojnë kriteret e përzgjedhjes si dhe për pagesat në lidhje me detyrimet që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjeve me ministritë.

I kontaktuar nga Portalb.mk përgjegjësi për realizimin e marrëveshjes nga “Përkthimi i 1050 librave dhe titujve shkencorë nga universitetet prestigjioze në SHBA dhe Angli”,  Dashmir Ademi nuk deshi ti bëjë të ditura kushtet e kontratës së nënshkruar ndërmjet tyre dhe përkthyesve e lektorëve. Ademi bëri të ditur se nga ata nuk ka ndonjë standard specifik në bazë të së cilit do të përzgjidhej se kush, si dhe sa do të botohej një libër.

 Dashmir Ademi
Dashmir Ademi

“Sa i takon përzgjedhjes së përkthyesve, ne nuk kemi bashkëpunëtor të përhershëm sepse nuk ka aq punë, sa të mund t’i mbajmë të njëjtit. Për pagesën ka normativa praktike do të thosha, e jo të shkruara, sepse llogariten në bazë të faqeve digjitale dhe karaktereve që përfshihen në ato faqe. Faqja digjitale dallon  nga libri në libër, sepse varet nga përmbajtja e termeve të sfera të caktuara. Është shumë normale që një libër me poezi është shumë ma lehtë ta përkthesh, sesa një libër i mjekësisë, shkencave natyrore – që është e vështirë edhe të gjesh njerëz për të përkthyer.
Ka pasur raste që kemi marrë përkthyes edhe nga Shqipëria se nuk ka pasur këtu.  Por kontratat që i kemi të nënshkruara nuk lejon të tregohet se sa është paguar njëri profesor apo tjetri, nuk do të ishte etike karshi profesorëve të tregohen shumat. Nuk i nxjerrim ato të dhëna, nuk është etike. Sikur ta pyesësh dikë se sa e ke rrogën. Librat e fundit i kam dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar”, tha Ademi.

Emri i tij ngjason me atë të ish ministrit, tashmë të ndjerë, Abdulaqim Ademi, por Dashmir sqaroi se përtej një shoqërie, nuk e ka lidhur asgjë tjetër atë me ministrin.
Data Pons është e vetmja shtëpi botuese që na  u përgjigj në thirrjen tonë telefonike. Megjithatë, nga atje refuzojnë të japin deklaratë për çfarëdolloj pyetje apo dileme që mund të parashtrohet për projektin “Përkthimi i 1050 librave dhe titujve shkencorë nga universitetet prestigjioze në SHBA dhe Angli” me arsyetimin se pronari aktual nuk ka qenë kur është realizuar projekti nga kjo shtëpi botuese.

Përgjegjësi nuk mban askush

Nga MASH për Portalb.mk, konfirmuan se nuk kanë synim të vazhdohet projekti po nuk thanë që do të kërkojnë përgjegjësi penale për dëmet e shkaktuara në buxhet.

“Sigurisht se nuk do te vazhdohet me këtë projekt sepse ka qene i huqur tërësisht”, tha thani më ish ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.

Ky tekst hulumtues gazetaresk është mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Përgjegjësinë për përmbajtjen në të e mban vetëm autori dhe në asnjë mënyrë nuk mund të vlerësohet se i pasqyron pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button