ANALIZË: Vetëm 21% e fidanëve të projektit “Dita e drurit” mbijetuan!

Mospërputhje të të dhënave për prerjen e paligjshme të drurëve ndërmjet institucioneve kompetente, shkatërrim i pyjeve me prerje ilegale, probleme me të punësuarit në NP “Pyjet e Maqedonisë”, mungesë e burimeve njerëzore për lokalizimin dhe parandalimin e zjarreve. Këto janë vetëm një pjesë e gjetjeve të shënuara në raportin e ri të revizionit të titulluar “Efikasiteti i masave, politikave dhe projekteve për mbrojtjen e pyjeve në Maqedoni”, i cili e analizon situatën me mbrojtjen e pyjeve, por edhe problemet me të cilat u përballen institucionet kompetente nga viti 2015 deri në vitin 2017, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

“Edhe pse ka kaluar një periudhë prej tetë vjetësh që nga futja e detyrimit për miratimin e Planit të përgjithshëm për menaxhimin e pyjeve, si një nga dokumentet bazë të planifikimit, i njëjti ende nuk është miratuar “- thuhet në raportin e revizionit. Përndryshe, ky plan duhet të vlejë për 20 vjet dhe të miratohet nga Kuvendi.

Skandaloze – regjistrimi i fundit i pyjeve në vitin e largët 1978…

Një seri mospërputhjesh dhe lëshimesh, gjetën revizorët në segmentin kyç – të dhënat për burimet pyjore.

“Ministria e Bujqësisë nuk ka realizuar një inventar kombëtar të resurseve pyjore, një procedurë përmes së cilës do të sigurohen të dhëna për gjendjen e pyjeve. Këto janë të dhënat që ministria duhet t’i mbledhë, t’i regjistrojë dhe t’i udhëheqë në një bazë të vetme të të dhënave”, – thotë revizori, duke shtuar, ndër të tjera se:

“Ministria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë nuk ka themeluar dhe nuk ka mirëmbajtur një Kadastër të pyjeve dhe të tokave pyjore me qëllim të regjistrimin të pyjeve dhe të tokës pyjore”.

Revizori konstaton se inventari i fundit i fondit pyjor në vend është realizuar në periudhën 1978 – 1982. Të gjitha këto lëshime në lidhje me “regjistrimin” dhe “përshkrimin” e tokës pyjore, sipas revizorit, ndikojnë në mënyrë të papërshtatshme në krijimin e politikave, strategjive dhe planifikimit të qëndrueshëm në këtë sektor, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu ka probleme me mungesën e stafit në policinë pyjore, e cila është  përgjegjëse për mbrojtjen e pyjeve.

“Sektori i Policisë pyjore funksionon me 30 stacione të policisë pyjore, ku janë paraparë 439 vende pune, nga të cilat 375 vende ose 82% janë të plotësuara” – thuhet në raportin e revizionit:

“Në sektorin e kontrollit të brendshëm janë paraparë tetë vende pune, por asnjë nuk është plotësuar “.

Treg ilegal me biznesin me drurë..

Një nga problemet kyçe në këtë sektor është prerja ilegale, thuhet në raportin e fundit të revizionit.

“Në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2016, në NP “Pyjet e Maqedonisë”, është regjistruar prerje e paligjshme e drurit prej 168.255 m3″, thuhet në raportin e fundit të revizionit, duke shtuar se në parqet kombëtare Galiçica dhe Mavrovë ka prerje ilegale minimale të regjistruar, kurse në NP “Pyjet e Maqedonisë” është evidentuar prerje më e madhe ilegale.

“Është konstatuar se ka një konsum më të madh të druve për ngrohje nga familjet sesa masa e regjistruar e drurit”- thekson revizioni dhe shtron pyetjen se nga cilat burime plotësohet konsumi i drurit.

Me revizionin e kryer janë përfshirë disa institucione kompetente në këtë segment, si Qeveria, Ministria e Bujqësisë, Policia pyjore, NP “Pyjet e Maqedonisë”, Fakulteti i Pylltarisë, Inspektorati shtetëror i pyjeve dhe disa të tjera. Disa nga institucionet kanë dërguar vërejtje në lidhje me raportin e revizionit, me ç’rast disa nga këto vërejtje janë vlerësuar si informacion, kurse një pjesë janë refuzuar.

Nga paralajmërimet e mëdha deri te fiaskoja – si përfundoi projekti “Dita e drurit” …

Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2016, projekti “Dita e drurit”, që mbante nënshkrimin e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, kushtoi 13.6 milionë euro. Në raportin e ri të revizionit, i cili e analizon gjendjen e pyjeve në vend, bëhet një analizë e veçantë i është bërë projektit që duhej të “gjelbëronte” Maqedoninë.

Në periudhën e analizuar, janë pyllëzuar 12,869 hektarë pyje me 39.189.860 fidanë. Nga shuma totale e shpenzuar në periudhën e synuar, nga buxheti janë siguruar 520.000 euro, 4.8 milionë janë fonde nga Programi për riprodhimin e zgjeruar të pyjeve, dhe 2.4 milionë euro është vlera e fidanëve të siguruar nga NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe institucionet e tjera.

Ajo që është zbuluar në raportin e revizionit është se vetëm 21% e fidanëve të mbjella në fakt kanë mbijetuar.

“Niveli mesatar i suksesit për sipërfaqen e përgjithshme të pyllëzuar prej 12.869 hektarësh është 21%, që është një përqindje e vogël, duke pasur parasysh se pyllëzimi konsiderohet i suksesshëm atëherë kur mbijetesa e fidanëve është ndërmjet 50% dhe 60%, në përputhje me standardet e vendosura në pylltari ” – theksojnë revizorët.

Projekti “Dita e drurit” u hoq në fund të vitit 2017 me vendim të qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja.

“Në një mbledhje të qeverisë në vitin 2017, u konkludua se nuk është i dobishëm zbatimi i mëtejshëm i aksionit “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë tënde”, dhe për këtë arsye ndërpritet aksioni dhe Qeveria ka konkluduar se aktivitetet e ardhshme të pyllëzimit duhet të realizohen përmes Programit për riprodhim të zgjeruar të pyjeve të Ministrisë së Bujqësisë “- thuhet në raportin e revizorëve.

Aksioni “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë e tënde”, filloi në gusht të vitit 2007, kur këngëtari i operës Boris Trajanov nxiti një projekt për mbjelljen masive të fidanëve në vendet e zhveshura dhe të shkretuara.

One thought on “ANALIZË: Vetëm 21% e fidanëve të projektit “Dita e drurit” mbijetuan!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP