Maqedoni: edhe pas ndryshimit të garniturës politike, mediat larg informimit cilësor

“60% e kronika të edicionit qendror informativ, paraqesin mbulim të ngjarjeve të ditës, 17 % e tyre janë hulumtuese, e kurse 6 nga 8 mediat sa janë vëzhguar, kanë nisur edicionin qendror me të njëjtin titull. Aktorë kryesor të tyre kanë qenë funksionarët shtetëror, partitë politike dhe opozita maqedonase”, këto janë të dhëna nga hulumtimi: “Dallimet në informim të edicioneve qendrore informative në televizionet më të shikuara në Maqedoni”, që u realizua nga Instituti i Mediave të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Kjo e dhënë sipas realizuesit të hulumtimit, Goce Terpkovski, profesorit universitar, Sefer Tahiri dhe redaktores së Televizionit Telma, Sanja Vasiq, edhe pse i liroi mediat nga “qendrat e fuqisë” dhe propagandës politike, sërish ato janë shumë larg profesionalizmit, gazetarisë cilësore dhe të veçantë, gjë e cila ka bërë që të humbet besueshmëria e publikut.

“Politika e jashtme, rasti i skandalit në strehimoren “25 Maji”, ngjarjet e “27 Prillit”, ecuria e punës së Kuvendit të Maqedonisë dhe bojkotimi i opozitës, largimi përmendores së “Qoses”, premtimi i ndryshimit të pragut pensional dhe “Programi vjetor i Ministrisë së Kulturës”, janë temat që kanë karakterizuar periudhën prej 19 deri 25 shkurt dhe të cilat kanë qenë tema kryesore në të gjitha mediat”, kështu u shpreh Terpkovski.

Megjithatë, për Programin Vjetor të Ministrisë së Kulturës u tha se i njëjti është trajtuar vetëm një javë, dhe më pas u harrua, pa ndonjë epilog.

Ndërkaq profesori universitar i gazetarisë, Sefer Tahiri tha se zvarritja e reformave në media, paraqet një nga faktorët kryesor, se pse mediat ende nuk arrijnë të informojnë në mënyrë cilësore.

“Ne kemi stagnuar në realizimin e reformave mediale, dhe për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm opozita, por edhe qeveria, sepse ajo duhet të gjejë mekanizmi se si t’i miratojë ligjet dhe të realizojë reformat mediale, e jo të pret arritje të konsensusit”, tha Tahiri duke shtuar se problemi më i madh ende mbetet transmetuesi publik i cili vazhdon të jetë “dorë e zgjatur e pushtetit”.

Ndërkaq, redaktorja e Televizionit Telma, Sanja Vasiq tha se që të kthehet besimi i qytetarëve ndaj mediave, fokusi i edicioneve qendrore duhet të jetë interesi qytetar, e jo politik.

“Tash të gjitha televizionet konkurrojnë që të ketë një politikë redaktuese më të veçantë, por ajo çfarë duhet të bëhet në fillim, është të kthehet besimi i qytetarëve. Problematike mbetet edhe më tej se në mediat mungon qasja sociale, ku në fokus do të jetë interesi social, e jo politik”, tha Vasiq.

Problemi thellohet më shumë, sepse të gjitha mediat e hulumtuara kanë pasur vetëm nga një kronikë në javë për problemet me të cilat përballen banorët e vendeve rurale. E nga ana tjetër, 504 kronika nga 796 sa kanë qenë të analizuara kanë përfshirë informim standard, 256 kronika kanë pasur përmbajtje të ngjarjeve ditore por me qasje më të gjerë, e kurse 50 kronika kanë qenë aktualizim i problemeve nga vetë redaksitë.

Sipas hulumtimit në fjalë, TV 24 ka pasur më shumë kronika hulumtuese, TV Alsat-m kronika analitike, e kurse TV Alfa reportazhe dhe kronika për shëndetësi. Problemi më i madh qëndron me transportuesin publik i cili vazhdon të kryejë informim ditor, pa ndonjë qasje analitike dhe hulumtuese.

Temë e hulumtimit kanë qenë mediat: RTM 1, RTM 2, Alfa, Alsat – m, Kanal 5, Sitel, Telma dhe TV 24.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP