Angjushev: Terminali doganor në Jazhincë do të hapet për kohë të shkurtër

Mbi 50 përfaqësues të biznesit nga rajoni i Pollogut u takuan sot në Universitetin e Evropës Juglindore me zëvendës kryeministrin për çështje ekonomike Koço Angjushev. Gjatë këtij takimi problemet e renditura nga biznesmenët për të cilat presin zgjidhje në të ardhmen nga Qeveria, formonin një listë të gjatë, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e barabartë rajonal, transparencë të qeverisë, eliminimi i subjektivitetit në përkrahjen e bizneseve, lehtësira tjera të cilat do të ishin në favor të bizneseve dhe investitorëve potencial, si dhe masa të veçanta për kompanitë që vijnë nga viset rurale dhe bizneset e udhëhequra nga gratë, transmeton Portalb.mk.

Bizneset e pranishme patën mundësi të diskutojnë edhe rreth masave të planit për rritje ekonomike nga shtylla e tretë, të cilat kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të kompanive mikro, të vogla dhe të mesme. Duke marrë për bazë interesin e biznesit, OEMVP do të vazhdojë të përkrah të gjitha iniciativat për politika zhvillimore të vendit e sidomos masat për përkrahje të biznesit.

“Qeveria duhet të veprojë në drejtim të krijimit të strategjisë për zhvillimin e sektorit privat, në produktivitet më të madh, numër më të madh punësimesh, përmirësimin e klimës afariste dhe mundësimin e rritjes dhe zhvillimit të tij”, tha Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së dhe inkurajoi kompanitë që ti shfrytëzojnë masat e qeverisë për përkrahje të bizneseve.

Zëvendëskryeministri Angjushev nga përfaqësuesit e biznesit kërkoi që kërkesat e tyrë t’i artikulojnë në formë më konkrete përmes Odës, në mënyrë që Qeveria të marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen dhe se janë të hapur për kritika dhe sugjerime nga komuniteti i biznesit, me qëllim që të krijohen politika më të shëndosha ekonomike.

“Ne po kontaktojmë me biznese në mënyrë që të shohim se ku qëndrojmë me organizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, çfarë duhet të ndërmarrim si Qeveri, dhe ajo që po konstatojmë është se perspektiva jonë zhvillimore është tek këto biznese, tek bizneset e vogla dhe të mesme, dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore dhe të resurseve njerëzore të cilat i kemi”,  tha zv.kryeministri Angjushev.

Angjushev gjithashtu deklaroi se terminali doganor në Jazhincë do të hapet për kohë të shkurtë duke marrë parasysh faktin se ai personalisht do të angazhohet në këtë drejtim dhe se rruga Shkup – Bllacë do të jetë prioritet i Qeverisë në periudhën në vijim.

“Ekonomia e vendit duhet të jetë e orientuar drejt eksportit dhe kompanitë tona drejt pushtimit të tregjeve të reja. Pikërisht përmes masave nga Ligji për mbështetje financiare të investimeve do të mbështesim projektet investive të kompanive për zhvillimin teknologjik, investimet në arsim dhe trajnim, në një staf profesional dhe kompetent i cili do të paguhet mirë. Nëpërmjet zbatimit të Ligjit dhe Programit për të mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Fondit për inovacion dhe zhvillimit teknologjik do të rritet konkurrenca e kompanive dhe do të sigurohen kushte për zhvillimin më të shpejtë të ekonomisë,  rritja e bruto prodhimit vendor dhe vende të reja të punës”, theksoi zëvendëskryeministri Angjushev.

Gjatë ditës zëvendëskryeministri Angjushev realizoi takim edhe në kompaninë anëtare të Odës nga rajoni i Tetovës “Pofix”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button