ANALIZË: Pa vullnet politik, nuk ka reforma në administratë të Maqedonisë!

Pa një vullnet të fortë politik, nuk ka administratë profesionale. Ky mesazh, i dërguar në Raportin e ri të Komisionit Evropian, i dhënë në pako me rekomandimin për rritjen e kapacitetit të Ministrisë për Shoqëri Informatike, që është përgjegjëse për administratën, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Është e qartë se reformat dhe ndryshimet cilësore në sektorin publik nuk do të ndodhin as shpejtë dhe as lehtë, por inkurajon informacioni se më në fund do të krijohet një mekanizëm për numërimin e saktë të nëpunësve administrativë, me aktivizimin e 1.600 të punësuarve sipas Marrëveshjen së Ohrit dhe me zbulimin e të dhënave për punësimet e përkohshme.

Qarkullimi etnik i administratës…

Arsimi dhe shëndetësia kryesojnë për nga numri i institucioneve, gjegjësisht nga 1.299 institucione shtetërore, madje 543 janë nga fusha e arsimit, 117 nga shëndetësia, 115 nga kultura, 113 nga administrata, 111 nga fusha e shërbimeve komunale. Në “Raportin vjetor nga Regjistri i të punësuarve në sektorin publik” të sapo publikuar thuhet se madje 59.6% e institucioneve publike janë të themeluara nga komunat dhe Qyteti i Shkupit, me ç’rast pas Qytetit të Shkupit, sipas numrit të institucioneve të themeluara, vinë Kumanova, Manastiri, Tetova, Prilepi, Ohri dhe Struga, Gostivari dhe Strumica.

Në nivel shtetëror, në gjithë sektorin publik, sipas të dhënave të fundit nga Regjistri, janë të punësuar 128.722 persona, prej tyre nëpërmjet Agjencive për punësime të përkohshme në institucionet e sektorit publik, janë të angazhuar gjithsej 1,624 persona dhe ata nuk kanë status të të punësuarve në sektorin publik.

Përderisa institucionet i numërojnë të punësuarit në administratë, mirëpo edhe ndryshohen zgjidhjet ligjore për profesionalizim dhe departizim, Brukseli zyrtar edhe në Raportin e ri për përparimin e Maqedonisë, i cila na solli rekomandim të pakushtëzuar për të filluar bisedimet për anëtarësim, na dha rekomandime reforma të domosdoshme të administratës.

“Përparim është bërë me miratimin e strategjisë për reformën e administratës publike dhe menaxhimin e financave publike. Janë bërë hapa konkrete për rritjen e transparencës në vendimmarrje, thuhet në raport. Është e nevojshme të rritet kapaciteti i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, që të mundet t’i zbatojë me sukses reformat e administratës publike.
Është shumë e rëndësishme që të ketë një vullnet të fortë politik për profesionalizimin e administratës publike, sidomos gjatë emërimit në pozitat e larta udhëheqëse dhe të respektohen parimet e transparencës, në përputhje me sistemin e meritave, dhe të respektohen procedurat gjatë emërimit të tyre. Është i nevojshëm edhe trajnimi i mëtejshëm i administratës për zbatimin më të suksesshëm të procedurave administrative”, thuhet ndër të tjera në raportin e KE-së.

Në këtë fazë, ende bëhen përpjekje evidentimin e saktë të numrit të të punësuarve, mirëpo edhe të pozitave të tyre sipas sistematizimit.

“Atë që dua ta theksoj është se jemi duke punuar në mënyrë aktive për ta zgjidhur përfundimisht këtë problem. Për këtë qëllim, siç e dini, ne ndryshuam 4 ligje (Ligjin për Drejtorinë për të hyra publike, Ligjin për procedurë tatimore, Ligjin për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm social dhe Ligjin për të punësuarit në sektorin publik). Kjo rezultoi me rritje të konsiderueshme në futjen e të dhënave në Regjistër. Sa për ilustrim, në dhjetor të vitit 2017 ka pasur 15.533 njësi organizative (sektorë, njësi), ndërsa në mars të vitit 2018 numri i tyre ka qenë 37.615” – deklaroi para do kohësh ministri për shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

Një pjesë e analistëve mendojnë se përderisa administratorët trajtohen si makineri partiake për votim, nuk mund të flasim për një aparat shtetëror profesional.

“Depolitizimi i administratës dhe profesionalizimi i tyre, besoj se do të vijë në shprehje kur kjo administratë do të zvogëlohet, si numër, dhe, nga ana tjetër, nuk do të përdoret si një makineri për votim. Ajo që është e rëndësishme, në të njëjtën kohë do të sigurohet garë me dije dhe me përvojë në vend të dëgjueshmërisë partiake” – konsideron për Portalb.mk analisti politik Albert Hani.

Sipas numrit të të punësuarve, kryeson arsimi, i cili kap 32% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik, e më pas vjen shëndetësia me 18%, ndërsa në vendin e tretë është administrata shtetërore me 15%. Në pushtetin lokal janë të punësuar 5 për qind e numrit të përgjithshëm të administratorëve. Pas ndryshimeve ligjore që u bënë në maj të vitit 2016, tani të gjitha punësimet në sektorin publik duhet të jenë në përputhje me planin për punësim të secilit institucion, por edhe me të drejtën për përfaqësim të drejtë.

Në vitin 2017, siç publikoi “Portalb”-i, 75.3% e të punësuarve në sektorin publik kanë qenë maqedonas, 19.3% shqiptarë, 1.8% turq, 1.1% romë, ndërsa pjesa tjetër u takojnë grupeve të tjera etnike. Analizuar sipas llojit të institucionit, përqindja më e madhe e shqiptarëve, 84.51% janë të punësuar në Sekretariatin e qeverisë, pastaj 40.63% në institucionin e Avokatit të popullit, 26.10% në Kuvend, ndërsa 20.32% e të punësuarve nëpër ministri janë shqiptarë. Përfaqësim më të ulët shqiptarët kanë në Shërbimin e qeverisë, në Këshillin Gjyqësor dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Te organet rregullatore, përfaqësim më të madh të punonjësve të përkatësisë etnike shqiptare ka në Agjencinë për mbikëqyrjen e sigurimit pensional me financim kapital, Agjencinë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike dhe Agjencinë për aviacion civil, ndërsa në Komisioni për letra me vlerë, Komisionin rregullator për banim dhe Agjencinë për rregullimin e sektorit hekurudhor, përqindja e shqiptarëve të punësuar është zero.

Kryeministri Zoran Zaev këtë muaj paralajmëroi reforma të shtuara në administratë me qëndrimin se produktiviteti në sektorin shtetëror është katastrofal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button