Kryeparlamentari Xhaferi prej Turqisë: investimet në Maqedoni mbrohen me ligje

Në kuadër të vizitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në Republikën e Turqisë është realizuar darkë pune mes tij dhe kryetarit të Këshillit Afarist në Turqi – Maqedoni, Bilal Kara ku u njoftua për kushtet që ofron Maqedonia për investuesit e huaj, për të cilat u tha se mbrohen me ligje, njofton Portalb.mk.

“Kjo përbërje mahnitëse e përfaqësuesve të biznesit vetvetiu flet për faktin se Maqedonia është vend konkurrent për biznes që ofron kushte me të vërtetë të volitshme për investitorët e huaj dhe investimi i të cilëve është i mbrojtur me ligjet në fuqi të cilat me ndryshimet e fundit ofrojnë kushte të barabarta për të gjithë investuesit, ato të huajt dhe ato vendorë. Përveç rregullores ligjore, një nga faktorët më të rëndësishëm për atraktivitetin e vendit është stabilizimi pas një krize më të gjatë politike, ndërsa marrja e Progres raportit pozitiv, të pakushtëzuar, dinamika dhe aktiviteti i zmadhuar në drejtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore janë gjithashtu në favor të këtij atraktiviteti për investim”, tha Xhaferi në takim.

Ndërkaq, Bilal Kara ka treguar se qëllimi i Këshillit është që të informohet sipërmarrësit për mundësitë që ofron Maqedonia.

“Qëllimi i Këshillit Afarist Turqi – Maqedoni i Bordit për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike (DEİK), është ta informojë sektorin privat në Turqi për mundësitë për investim në Maqedoni dhe për politikat e reja ekonomike ndaj investimeve të huaja dhe pikërisht për këtë ky takim është i rëndësishëm, për arsye se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve duhet ta përcjellë shembullin e marrëdhënieve të shkëlqyera politike. Aktualisht, Turqia është në vendin e gjashtë prej top 20 vendeve me hyrjet e përgjithshme në Maqedoni”, tha Kara.

Por sipas asaj që u tha nga Kara, për Turqinë mbetet sfidë arritja e këmbimit tregtar deri në një miliardë dollarë amerikanë në vit.

Kryetari i Kuvendit, Xhaferi ka shprehur se  Parlamenti dhe Qeveria do të bëjnë çmos për ta lehtësuar bashkëpunimin ekomomik – në favor të së cilit është afërsia gjeografike, ndërlidhja e mirë infrastrukturore me vendet fqinje a risi është edhe linja më e re ajrore ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë.

Në darkë ishin të ftuar përfaqësues të kompanive që veç më janë të pranishme me përfaqësi të veta të suksesshme në Republikën e Maqedonisë dhe kompani që janë të interesuara ta zgjerojnë biznesin e vet në Maqedoni dhe në rajon, të udhëhequra nga eksperiencat pozitive të të tjerëve.

Talat Xhaferi ka qenë i shoqëruar edhe nga Vesel Memedi, nënkryetar i Kuvendit, Enes Ibrahim, kryetar i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë dhe Jusuf Hasani, anëtar i Grupit parlamentar për bashkëpunim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button