Takimi Dimitrov-Koxias: Në një pjesë të çështjeve ka përparim, por për një pjesë akoma ka dallime (VIDEO)

13:00 – Shefat e diplomacisë maqedonase dhe greke, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias pas takimit të sotëm në Ohër edhe një herë e ranë dakord se bashkëpunojnë mirë, se i kuptojnë dallimet dhe nevojat e tjetrit, por që edhe më tej ka çështje të vështira për t’u zgjidhur, çështje që duhet të diskutohen në takimet e radhës, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov pas takimit tri orësh me shefin e diplomacisë greke, Nikos Koxias deklaroi se bisedimet kanë qenë të sinqerta dhe të hapura. Ministrat kanë biseduar për dallimet rreth çështjes së emrit. Siç tha Dimitrov për një pjesë të çështjeve ka përparim, por për një pjesë akoma ka dallime.

“Kemi biseduar për herë të parë për afat kohor dhe për hapat se nëse arrihet zgjidhje, si do të zbatohet ajo. Kjo ishte bisedë me kuptim për nevojat e tjetrit dhe sfidën tonë më të madhe dhe si të përafrojmë të dy palët. Derisa kemi biseduar ne ka pasur takime edhe mes grupeve punuese të përbërë nga diplomatë të lartë të cilët në bazë të avancimit që e kanë bërë në takimin në Vjenë para dhjetë ditëve, praktikisht janë pajtuar për bashkëpunim të ardhshëm në fusha të ndryshme.  Ato gjithashtu kanë punuar për parandalim të irredentizmit nga të dy palët. Do t’i informojmë kryeministrat tanë për këto bisedime, procesi vazhdon, kemi caktuar takim tjetër, por edhe do të jemi në kontakt këto ditë. Sapo të ketë diçka më konkrete do ju informojmë”, tha Dimitrov në konferencë për media pas takimit me ministrin grek, Koxias.

Ndërsa ministri grek, Nikos Koxias tha se  kanë mbetur vetëm edhe pak tema për t’u zgjidhur.

“Dua t’i falënderohem mikut tim për pritjen e jashtëzakonshme sepse zakonisht kur takohemi flasim për çështje të vështira dhe përveç temave të cilat i kemi zgjidhur kemi edhe mirëkuptim ndërmjet veti. Do të takohemi periudhën e ardhshme, me siguri me 3 dhe 4 maj në Selanik, gjithashtu do të takohemi me 11 dhe 12 maj dhe do të diskutojmë të ardhshmen e Evropës. Dua t’u shpreh falënderim diplomatëve të të dy vendeve, në bisedimet e të cilave shohim përparim, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët, por edhe për çështjen e vështirë që i përket irredentizmit. Ashtu siç përafrohemi dhe i zgjedhim problemet tona, mbeten vetëm pak tema për t’u zgjidhur. Sot kemi bërë hap pozitiv dhe gjithmonë shpresojmë se do të kemi sukses me problemet e mëdha dhe të vështira, përpiqemi të zgjidhim probleme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe janë shkaktuar nga të tjerët, por kjo është punë e diplomacisë”, tha ministri grek, Koxias pas takimit me ministrin maqedonas, Nikolla Dimitrov në Ohër.

Video: Alsat M

————————————————————–

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë he Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias sot në Ohër do të realizojnë takim të ri. Nga Ministria e Punëve të Jashtme theksojnë se vizita e ministrit Koxias është në korniza të dialogut të vazhdueshëm mes dy ministrave, në kontekst të përpjekjeve për tejkalimin e dallimeve rreth emrit, por edhe avancimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, njofton Portalb.mk.

Me rastin e vizitës, kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë deklaruar se është optimist dhe se bisedimet janë në drejtim të vërtetë dhe se ai proces po afrohet deri në momentin kur duhet që të ketë takim mes tij dhe Ciprasit.

“Ajo do të thotë që avancimi i bisedimeve ka arritur deri në atë nivel që të pritet dhe takim mes dy kryeministrave. Nëse dëgjojnë qytetarët se po caktohet takim mes Zaevit dhe Ciprasit, ajo do të thotë vërtetim praktik dhe konkret se bisedimet janë në drejtim të vërtetë dhe se është e mundur që të vijmë deri te zgjidhja. Unë besoj se ajo është e mundshme, unë besoj se është mirë për Maqedoninë që të ndodh sa më herët për shkak se ajo për ne do të thotë garanci e plotë për fitimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por edhe ftesë automatike për anëtarësim në NATO”, thotë kryeministri Zaev.

Ai e përsëriti qëndrimin se për të linja të kuqe në bisedimet janë ruajtja e dinjitetit dhe identitetit, gjegjësisht zgjidhje e cila do të ishte e dinjitetshme për të dyja palët.

Pas takimit Dimitrov-Koxias në Ohër, është e mundshme që të ketë edhe takim të kreut shtetëror – politik. Lideri i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski pret që të mbahet vikendin e ardhshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Koxias, në një intervistë për gazetën gjermane “Shpigel” ka deklaruar se dallimet me Shkupin mund të zgjidhen guxim.

“Dallimet me Shkupin janë të karakterit historik, identitetit, trashëgiminë dhe kulturën. Këto çështje janë të ndjeshme. Por mund të zgjidhen me guxim, ashtu siç e kemi bërë deri më tani”, ka thënë Koxias.

Takimi në Ohër ndodh një javë përpara se Komisioni Evropian ta publikojë raportin për progres të Maqedonisë, në të cilën pritet që Maqedonia të fitojë rekomandim të pakushtëzuar për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Rundi i fundit i bisedimeve për kontestin me emrin është mbajtur më 30 mars në MPJ-në e Austrisë në Vjenë ku shefat e diplomacive të dy vendeve Dimitrov dhe Koxias kanë realizuar takim me ndërmjetësuesin Methju Nimic. Pas takimit, Dimitrov deklaroi se ka avancim të kushtëzuar të bisedimeve, pasi që siç tha ai, sa më afër zgjidhjes vijmë deri te çështjet më të rënda.

Ndërmjetësuesi Nimic ka vlerësuar se ka avancim pozitiv në bisedimet, por sipas tij, ngelen çështjet më të rënda të cilat duhet që të tejkalohen. Nimic ka deklaruar se takimi ka qenë produktiv, për çka është optimist për të ardhmen.

Vijon agjendë e ngjeshur diplomatike, emri hyn në finale

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP