Mesazh i qeshur nga Brukseli: Ecni përpara, por mbaroni punën me Greqinë që të shpërbleheni

I njohur për qasjen e tij pozitive në komunikim me funksionarët e tjerë, presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Kllod Junker përqafoi dhe puthi kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev para dyerve të Qeverisë, pak para fillimit të takimit, njofton Portalb.mk.

Junker dhe Zaev

 

Pas një kohe të gjatë, që kur Maqedonia mori statusin e vendit kandidat (2006), sërish dëgjojmë mesazhe dhe shohim fytyra të qeshura të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, të cilët janë të qartë: ju ka mbetur vetëm çështja e emrit, të tjerat i bëjmë ne.

“Jam i kënaqur që vendi juaj ka zbatuar reforma të cilat ndonjëherë i habitën edhe vendet e tjera të botës. Këto gjithsesi ju rrisin vlerat që duhet të mbeten të juaja. Arritët marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë gjë që jua ka ngritur reputacionin në BE dhe dua ta vë në pah trimërinë e kryeministrit tuaj që e ka bërë këtë. Sa i përket emrit të vendit, nuk mund të ju tregoj çfarë të bëni sepse mbetet përgjegjësia në ju ta zgjidhni këtë problem, këtë ia thash edhe kryeministrit grek Cipras javën që shkoj kur e takova. Por pash që diçka ka ndryshuar, rrugës sime pasi arrita në aeroport.” tha Junker në konferencën për shtyp që mbajti pas takimit me Zaevin ku të pranishëm ishin edhe euro-komisari i KE-së për zgjerim, Johanes Han, euro-ambasadori Samuel Zhbogar si dhe ministrat e Maqedonisë: Radmilla Shekerinska e mbrojtes, shefi i diplomacisë Nikolla Poposki, Bujar Osmani për euro-integrime.

Junker me kujdes përcjelli mesazhin tjetër me rëndësi: ende nuk mund të merrni datë bisedimesh, por ama tha se “jemi në rrugë të mirë” dhe se “kemi bërë mjaftë punë”.

“Nëse vazhdoni të zbatoni reformat, për disa muaj do të mund që Komisioni të rekomandojë deri te Këshilli çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Ende nuk jeni aty por nëse punoni do të mbërrini që të hiqni kushtëzimin nga perspektiva ” tha shkurt Junker, duke thënë se shpejton të shkojë në Shqipëri, njofton Portalb.mk.

Ai, gjithashtu mes tjerash, tha se Maqedonia është pjesë si gjeografike ashti edhe historike e Bashkimit Evropian (BE).

“Vendi juaj e kuptoi se Bashkimi Evropian nuk është vetëm bashkësi e interesave ekonomike por, para së gjithash, bashkësi vlerash dhe duam ti bashkojmë vendet që kanë vlera të përbashkëta.” tha Junker.

Zaev: Ky është emri që Qeveria e Maqedonisë e pranon, ne po punojmë shumë

Kryeministri Zaev, i ngazëlluar nga takimi me përfaqësuesit e BE-së, i falënderoi ata që së pari vizituan Maqedoninë, mes vendeve të Ballkanit Evropian, duke theksuar kështu se BE-ja ia pranon punën reformuese të Qeverisë.

“Maqedonia është e gatshme të jep kontributin e që të bëhet pjesë e BE-së dhe po punon në reformat. Jemi të bindur që do të marrim datë bisedimesh në qershor sepse Evropa na pranon punën tonë” tha Zaev, njofton Portalb.mk.

Për çështjen më të ndjeshme ai foli në fund, duke mos harruar ti rikujtojë qytetarët se reformat janë në të mirë të tyre dhe se zgjidhja e çështjes së emrit do të sjellë ardhmëri evropiane.

“Për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik e cila do të shfaq dallimin mes shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë për të gjetur një zgjidhje e cila do të mundësojë mbyllje të përhershme të kontestit duke u respektuar dinjiteti dhe identiteti i të dy popujve dhe shteteve. E kemi për detyrë të mbyllim këtë çështje historike mes dy shteteve tonë.” tha Zaev.

Nga pritja në aeroport Junker- Poposki

Mbyllja problemeve të hapura disavjeçare me fqinjët tanë nuk është gjë e lehtë sepse bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetaret tanë, u shpreh ai.

“Të inkurajuar nga marrëveshja për fqinjësi të mirë që e arritëm me Bullgarinë, vazhdojmë me përkushtim serioz për të tejkaluar problemin kyç që Greqia e ka me emrin tonë kushtetues. Së bashku me kryeministrin Cipras punojmë në mënyrë të përkushtuar në mbylljen e këtij problemi disavjeçar dhe të mundimshëm, zgjidhja e të cilit do të hap dyert e euro-integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo për qytetarët do të thotë: më shumë vende pune, investime, rroga më të larta dhe jetë më të mirë.” tha në fund Zaev, njofton Portalb.mk.

Junker dhe delegacioni i Bashkimit Evropian është takuar edhe me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, ndërkaq më pas, sipas agjendë viziton Shqipërinë ku pritet të mbajë konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama në ora 19:00.

Ndërkaq, edhe pse e lajmëruar ditë më parë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federika Mogerini ka ndryshuar planet dhe nuk ka qenë në agjendë.

Delegacioni i madh i Bashkimit Evropan zbret në Shkup, cila është porosia?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button