Janë paguar rrogat e vonuara për kuadrin arsimor dhe për të punësuarit tjerë në Tetovë

Kuadri arsimor i Tetovës, të punësuarit e administratës komunale dhe ndërmarrjet publike sot më në fund i morën pagat pas problemit që u paraqit për shkak procedurës rreth miratimit të buxhetit në Komunën e Tetovës nga ana e Ministrisë së Financave. Deri te realizimi i buxhetit vjen prej kur në seancën e qeverisë u angazhua Ministria e Financave që ta zbatojë leximin dhe miratimin përkatës për zbatimin e buxhetit, transmeton Portalb.mk.

“Buxhetin e kemi votuar në vijë në lidhje me datat. Buxheti nuk ishte i lexuar nga Ministria e Financave një kohë të gjatë. Pastaj qeveria mori vendim që të lexohet. Leximi formalisht është përfunduar dje dhe komuna nga sot ka filluar me pagesën e rrogave. Dje në mënyrë administrative janë realizuar rrogat, ndërsa sot duhet t’i marrin të punësuarit në shkolla dhe në ndërmarrjet tjera administrative dhe publike”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Më parë, nga Ministria e Financave deklaruan se nuk miratohet buxheti i Komunës së Tetovës sepse nuk është nënshkruar dhe dërguar nga ana e kryetarit të Këshillit. Këshilli komunal buxhetin e miratoi me shumicën e këshilltarëve edhe pse nuk është zgjedhur kryetari i Këshillit. Në pyetjen gazetareske se deri ku është procedura për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, Arifi shprehi optimizëm se do të gjendet zgjidhje.

“Do të vazhdojmë me konsultime. Këshilltarët me votimin e buxhetit dhanë mundësi që qyteti të jetë funksional dhe me këtë të ketë pagesë të vendimeve të sotme sepse nëse nuk do të kishim buxhet nuk do të mund t’i realizonim rrogat dhe ndihmën për ato që vuajtën nga zjarri. Me këtë atmosferë të kuptueshme shpresoj se do të merremi vesh që së shpejti të zgjedhim kryetar dhe ta aktivizojmë Këshillin për çështje të rëndësishme për qytetarët dhe qytetin”, tha Arifi.

Punën e Këshillit në komunë e koordinon këshilltari më i vjetër, Adnan Bilalli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button