Kërkohet përgjegjësi nga ata që lejuan të vendoset furrë toksike në Maqedoni që dëmton shëndetin e qytetarëve

Urgjentisht të gjenden fajtorët të cilët lejuan që të sillet furra për djegien e mbeturinave që është e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, porositën ekologjistët pas lajmit të gazetës britanike “The Guardian” se Britania i dhuroi Maqedonisë furrë toksike që dëmton shëndetin e qytetarëve, shkruan REL, njofton Portalb.mk.

Pas zbardhjes së informatës se në Drislla furra punon me vite në mënyrë aktive, Kiril Ristevski nga “Florozon” paralajmëroi se në periudhën e ardhshme në mënyrë të organizuar do të kryejnë presion ndaj autoriteteve që të zgjidhet problemi.

“Ka informata se institucionet kanë lejuar që të sillet furrë që nuk i plotëson kriteret dhe standardet e nevojshme. Vetë kjo tregon lidhjet potenciale mes interesave të biznesit dhe të politikës aktuale. Duhet të shihet se kush qëndron pas dhe kush ka lejuar hyrjen e një pajisje që nuk i plotëson standardet për një mjedis të shëndetshëm”, tha Ristevski.

Nga Ministria e Ambientit Jetësor konfirmuan se furra për djegien e mbeturinave në deponinë “Drislla” para 16-viteve i është dhënë Maqedonisë si ndihmë humanitare nga Britania dhe akoma po përdoret.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor thanë se janë të vetëdijshëm që furra nuk i plotëson standardet që priten duke theksuar se është planifikuar që të vendoset furrë e re por që nuk dihet se kur. Nga Qyteti i Shkupit thanë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të mbyllen çështjet rreth menaxhimit me deponinë dhe pastaj të zgjidhet çështja rreth furnizimit të furrës së re në pajtim me standardet ekologjike.

Ekologjistët thonë se duhet të shqyrtohet mundësia për marrjen e liçencës për menaxhimin me deponinë. Ristevski paralajmëron se në periudhën e ardhshme do të dalin me propozime konkrete, si dhe me presione për zgjidhjen e problemit.

“Nuk ka hapësirë për të pritur sepse vetë gjendja është alarmante. Nuk duhet më të pritet asgjë dhe sektori civil të ngrihet në këmbë dhe të kryejë presion adekuat ndaj autoriteteve për zgjidhjen e problemit”, tha Ristevski.

Në rrjetet sociale qytetarët shprehen të shqetësuar për kualitetin e ajrit në Shkup dhe me të madhe e shpërndajnë tekstin e gazetës britanike “Guardian” me mbishkrim “Britania e Madhe me dhuratë toksike për Ballkanin”, ku theksohet se furra i është dhënë Maqedonisë nga Britania e Madhe dhe ajo furrë do të ishte jolegale në Britani, ndërsa nëse Maqedonia do të kyçet në Bashkimin Evropian (BE), furra patjetër të tërhiqet sepse është e rrezikshme për banorët dhe i thyen standardet e BE-së.

Ekologjistët thonë se patjetër duhet të gjinden fajtorët që kanë lejuar të sillet.

“I drejtohem Kuvendit që të ftojë diskutim mbikëqyrës dhe t’i ftojë udhëheqësit e Ministrisë së Ambientit Jetësor, inspektoratet e Ministrisë së Ekonomisë. Të shihet pse është lejuar që të vendoset ajo pajisje, të shihet se prej ku vinë mbeturinat, a përmban materie toksike… Kjo çështje është komplekse dhe duhet të bëhet analizë që të veprohet”, tha Ristevski.

Të dhënat e Ristevskit tregojnë se furra për djegien e mbeturinave në deponinë “Drislla” që gjendet në periferi të Shkupit në mënyrë aktive punon prej vitit 2005 ose 2007.

Ndryshe, u bënë disa muaj që gjendja e ajrit në Maqedoni është alarmante dhe tepër i ndotur.

LEXO: Ndotja e ajrit alarmante në Shkup: si ndikon në organizëm dhe si të mbrohemi nga ai?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP