Zaev: Propozimi për ministrin e Shëndetësisë në duart e deputetëve

Aleanca për Shqiptarët nuk do ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë, sepse propozimet për ministra tashmë janë dërguar në Kuvend. Kështu tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në emisionin “Top Tema”, njofton Portalb.mk.

Zaev theksoi se Ministria e Shëndetësisë i ka takuar ASH-së për shkak Arben Taravarit, tashmë ai nuk është.

“Askujt nuk i takon në parim Shëndetësia por shkohet në kualitet, zgjedhja bëhet në baza individuale, jo partiake. Më vjen keq për Selën, sepse ai ishte krah për krah me mua në Kuvend dhe për këtë shkak kaq gjatë zgjatën bisedimet për këtë problematikë, por nuk arritëm zgjidhje të përbashkët”, tha Zaev.

Sa i takon skandalit që doli në opinion në lidhje me të propozuarin e LSDM-së, Venko Filipçe, Zaev tha se: “E di se ka qenë këshilltar i Todorovit, por ajo ka qenë për një kohë të shkurtër. Për aq kohë sa e kam këshilltar, është parë se është njohës i mirë i shëndetësisë, nuk kam paragjykime dhe i japë përparësi si person”, tha Zaev.

Mbetet e paqartë se si do të veprojë në këtë rast partia Aleanca për Shqiptarët, pasi që lideri i saj, Ziadin Sela ditë më parë, duke u përgjigjur në atë se si do të veprojnë si parti meqë LSDM tashmë ka kandidat të tyre për ministër të Shëndetësisë, tha: “Për këtë ASH-ja do të merr qëndrim. Shpresojmë se kryeministri Zaev nuk bie pre e trysnive që ia bëjnë të tjerët, vetëm që të luajnë lojëra. Ne e kemi propozimin e tonë për këtë Ministri, dhe nuk ndërrojmë qëndrim”.

Përndryshe, ditë më parë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas takimit me Zoran Zaevin, u shpreh se Ministria e Shëndetësisë i ngelet Aleancës për Shqiptarët.

“Ne qëndrojmë në opinionin tonë dhe nuk shohim ndonjë arsye se pse duhet të ndryshohen pozitat. Aleancës për Shqiptarët i takon Ministria e Shëndetësisë. Nëse ndokujt i pengojnë sukseset e tona, le të del dhe le ta thotë haptazi. Ne i thamë Zaevit se Ministria është e jona”, tha Sela.

Ndryshe kandidati për ministër të Shëndetësisë nga LSDM-ja, neurokirurgu Venko Filipçe që momentalisht është këshilltar i Zaevit për Shëndetësi, ka qenë pjesë e Plenumit Kundërshar të Profesorëve, që ishin me një linjë me VMRO-DPMNE-në, gjegjësisht i mbronin politikat e reformave në arsim të Nikolla Gruevskit që donin të vendosnin testim ekstern nëpër fakultete.

Ai nuk e ka mohuar këtë, por ka theksuar se në atë kohë nga një specializant ka qenë i informuar se po nënshkruan iniciativë për gjoja reforma në Fakultetin e Mjekësisë.

“Më vonë doli se ato ishin informata të rreme për një Plenum Kundërshtar, që nuk kishte asgjë të përbashkët me informacionet e para. Nuk kam pasur aktivitete, as që kam qenë anëtar i ndonjë Plenumi Kundërshtar, e as që jam pajtuar me qëndrime të tilla. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem përkrahës i të gjitha ndryshimeve demokratike që ndodhin dhe duhet të ndodhin në Maqedoni, duke i përfshirë këtu edhe reformat e patjetërsueshme në shëndetësi dhe arsim”- ka theksuar Filipçe.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. shpresoj qe Sela ta kete kuptuar qe per kete race komunistesh nuk vlen te sakrifikosh vehten…leri te zhbehen gradualisht…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button