Shkup, do të promovohet libri “Rruga e kampionit olimpik” – Shaban Tërstena

Të martën me datë 12.12.2017 me fillim në orën 19.30, te Libraria e Çarshisë në Shkup do të promovohet libri monografik “Rruga e kampionit olimpik” – Shaban Tërstena, shkruan Portalb.mk.

Gjatë karrierës së tij 19-vjeçare, Shaban Tërstena ka fituar 30 medalje të arta në 42 turne që ka marrë pjesë. Prej medaljeve të shumta, 19 janë nga Lojërat Olimpike, botërore, europiane, mesdhetare dhe ballkanike. Më me vlerë janë të artat nga LOV në Los Angelos dhe e argjendta në LOV në Seul. Ai ka 750 luftëra në karrierë, prej tyre 720 fitore.

Libri kohë më parë është promovuar në Prishtinë, para studentëve, profesorëve të “Kolegji Universi”, gazetarëve dhe punëtorëve sportiv.

“Për të arritur deri te ky titull i lavdishëm duhej të kaloja 20 vite sprova, sakrifica dhe përpjekje titanike, sepse duhej të pushtoja arenat sportive të pesë kontinenteve të botës, duke fituar mbi sportistë të mëdhenj dhe prestigjiozë të meridianëve të ndryshme. Mbi supet e mia duhet të mbaja peshën e fitoreve, që sot në duart e mia të mbaj këtë titull me plot krenari. Askush nuk më ka pyetur se si i kam fituar medaljet dhe në çfarë kushte kam jetuar, por më pyetnin si u bëra kampion. Rruga ka qenë e vështirë, e mundimshme, është derdhur shumë djersë për medaljet e arta. Unë nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi, që kanë qenë nga 7-8 herë kampionë bote, europianë dhe olimpikë, por luftën më të madhe e kam zhvilluar me vetveten. Rivalët e mi kishin masazherë që iu rrinin afër tyre, edhe në saunë, ndërsa unë isha i vetëm. Dhe, në fund, prapë i kam fituar të gjithë. Nuk ka pasur më vështirë se para vetes të kesh ushqim të lloj-llojshëm dhe nuk guxon me ngrënë, sepse duhet të heqësh 12 kg nga trupi”, iu kujtoi kampioni olimpik, Tërstena studentëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button