Ndotja e ajrit në Shkup, Qeveria miratoi masa për parandalim: ndalesë e ngrohjes me qymyr

Ne seancën e mbrëmshme qeveritare të Maqedonisë janë miratuar disa masa të cilat priten të realizohen gjatë periudhës së ardhshme si mënyrë e parandalimit të ndotjes së ajrit në Qytetin e Shkupit, raporton Portalb.mk.

Siç njoftoi sot në takim me gazetarët, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, masat e parpara duhet të realizohen dhe vihen në zbatim deri më vitin 2021.

Boshnjakovski bëri të ditur se masat kanë dalë pas një analize të bërë nga Ministria e Ekologjisë dhe Organizata Ekologjike, “Eko Svest” (Eko vetëdije).

“Sipas analizës së bërë paraprakish, masat parashohin kthim të amvisërive në sistemin e ngrohjes qendrore. Ndryshime ligjore për përgjegjësitë e investuesve gjatë marrjes së lejes për ndërtim që të propozojnë projekt për mënyrën e ngrohjes së amvisërisë. Parashihet edhe stimulime dhe subvencione për lloje të reja të ngrohjes si dhe ndalesë e ngrohjes me qymyr në afat deri më vitin 2021. Parashihet edhe gazifikimi por për detaje më të hollësishme do të njoftojnë nga Ministria e Ekologjisë”, tha Boshnjakovski.

Në fushën transportit parashihet, blerje të autobusëve ekologjik, rregullim të komunikacionit, ndryshim të llojit të lëndëve djegëse të veturave dhe kategorizim i veturave në bazë të vitit të prodhimit të veturave. Të gjitha këto masa, siç njoftuan nga Qeveria e Maqedonisë do të parashihen me ligj.

Parashihet edhe stimulim i përdorimit të biçikletave kurse sa i takon hapësirës së gjelbër mendohet të zmadhohet ajo në territorin e Qytetit të Shkupit me qëllim të rritjes së cilësisë së ajrit.

Në sferën e energjetikës parashihet të ketë efikasitet të saj dhe stimulim të amvisërive.

Ajo çfarë paraqet risi, se për parandalim të ndotjes së ajrit parashihet edhe buxhet shtesë në Ministrinë e Ekologjisë.

“Buxheti i Ministrisë së Ekologjisë është zmadhuar për 14,53% kurse financat për investimet kapitale do të rriten në vlerë prej 21,22%”, bëri të ditur sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë në takim me gazetarët, Mile Boshnjakovski.

Përndryshe, ndotja e ajrit në qytetin e Shkupit në vazhdimësi ka qenë e alarmuar ndërkaq organizatat joqeveritare thonë se në ndotjen e ajrit në masë të madhe kanë ndikuar ndërtimet e fundit në qytetin e Shkupit duke bllokuar qarkullimin e ajrit.

Shkupi dhe Tetova janë qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë, kurse grimcat PM10 shënojnë rritje për pesë herë mbi normën e lejuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button